NËN TËNDEN ÇADËR
Sa herë të kam parë tek ecën në shi,
kokën të strukur nën çadër,
sytë në pellgje uji zhytur,
sikur diçka, aty të kesh humbur,
një rreze dielli si kometë,
nga larg të kam nisur,
diell nga i shpirtit tim,
për të ndricuar paksa tëndin shpirt.
Sa herë të kam parë të vetmuar në shi,
kokën tek rrotulloje, dikë kërkoje me sy,
ti nuk e dije, unë isha aty,
si hije të jam afruar,
shtrënguar në tëndin krah,
ti i vetëm në çadër, unë isha me ty.
Ndoshta… as nuk e ke kuptuar,
kur çadrën ke mbyllur,
kur në ndonjë bar ke hyrë,
a kur je kthyer në shtëpi,
që njëri krah yti nuk ishte i lagur,
madje i ngrohtë ishte,
ai krah ku isha unë, i ngrohtë, i palagur,
ndoshta është edhe tani,
por nuk jam unë aty.
Çadra jote, tepër e vogël,
nuk na mbronte dot të dy,
unë u laga, u ftoha, veten harrova,
duke u kujdesur për ty,
por ti… asnjëherë nuk e vure re
që unë isha aty.
Sot të shoh përsëri, tek ecën në shi,
nën po atë çadër, por pa mua,
kujdesu për veten, për veten
duhet të kujdesem edhe unë tani.
Nën tënden çadër, ti nuk e di,
ke qenë shpesh me mua,
sa herë binte shi,
ndërsa në çadrën time
nuk ke qenë, asnjëherë ti… Aida Previzi
“Po Zoti”…
Familjen ma dha Zoti
nuk e zgjodha unë,
Vëllain ma mori po Zoti
se e deshi më shumë.
Dhe Zoti qau që të gjithë e panë
Të mirin e merr Zoti përsëri e thanë
Vëllain ma dha Zoti po Zoti ma mori
Në mosh të re e humbi jetën i gjori…
S’i kam shkruar unë
Ka shkruar për të edhe Zoti
Shkrime që nuk janë kot së koti
Por Zoti gjithçka krijoi
Ndaj po Zoti pranë vetes e mori! Fiqerete Dervishi