Nga unë, Flamur Bërdëllima, urime për ju:
– Më vjen mirë, i dashur arkitekt Arben Shtylla, që kemi një mik të mirë të përbashkët, si inxhinierin Kastriot Shehu. Nuk e di për ty, por mua Kaçi më kujton vitet e një rinie aq të pastër, të etur për shkollim, për të ecur përpara vetëm me ndershmëri. Eh, na ishte njëherë, mund të thuhet. Po, për atë Zot, Kastrioti, ky çun Peze, ka ngelur gjithaq i mirë, edhe pse nuk është më 25 vjeç, por mbi 60. Urime të sinqerta, miku im i mrekullueshëm i rinisë.
– Mirë nurin që e ke plot fisnikëri, po ti je edhe pastërtore, moj e dashur Leni Karajani. Ti, që më kujton nënën, më kujton Idajeten, Ollgën, që nuk janë më mes nesh. Po ja ku je ti, plakë mbi 80 vjeçe, që mban ditar dhe nuk i ndan kufjet ku dëgjon muzikë. Hajde Leni, hajde! Të qoftë hallall jeta! Urime.
– Pa dyshim që për mua, ti je drejtuesi më i suksesshëm i kompanve të sigurimit në Shqipëri, i dashur Avni Ponari. Pa dyshim, që je një nga konsujt më aktivë, me një kontribut sublim për basketbollin. Por mua (ashtu si dikur, mikut tim, Alfons Gurashit) më thith si me magnet dimensioni yt human. Lum ai që të ka mik, thuhet për ty dhe thuhet një e vërtetë, sidomos nga gojët dhe zemra e hallexhinjve të shumtë. Ti do të mbetesh gjithnjë i tillë, o çun Tropoje, djalë king i Shqipërisë dhe më tej.
– E di që ke dalë në pension, por e di që ende aktivizohesh si mjek kirurg në Spitalin Ushtarak, i dashuri miku im i fëmijërisë së përbashkët. Dr. Myzafer Brati (Myzi). Më vjen mirë që, kur takon të njohur të përbashkët, më kujton edhe mua. Bashkë me urimet më të sinqerta, për sy të fortë dhe dorë që nuk dridhet, po të dërgj edhe një urim, doktor. Urime nga zemra!
– Edhe pse emrin nuk ia di, i di pasionin dhe përkushtimin drejtorit të parkut të madh të liqenit të Tiranës. Nuk janë vetëm 110 mijë pemë që duhen mirëmbajtur, por janë rrugët, mjediset sportive apo të argëtimit, etj. njerëzit thonë: “Shyqyr që e kemi këtë park!”. Unë shtoj: “Shyqyr që drejtori këtu është ai që është, një agronom i mrekullueshëm, i rrahur fort nga era e jetës”. Urime, miku im!
– Kandidimi yt në Kamëz është supersfida e këtyre zgjedhjeve, i dashur Safet Gjici, por ty të pëlqejnë sfidat, si duket. Është kjo fitore më e rëndësishme se një kampionat futbolli, apo të qenurit prefekt i suksesshëm. Por një zë brenda meje thotë: “Safeti do t’ia dalë, se njerëzit u lodhën nga hajdutëria dhe hipokrizia, se tani ata duan ndershmërinë!”. Urime, miku im, Safet Gjici!
– Duket sikur po shkoj kundër rrymës, por, punë e madhe! Vota ime e thjeshtë, por prapë votë, shkon për Halim Kosovën! E para, e njoh që fëmijë; jemi rritur bashkë! E dyta (që është e para, në fakt), është alamet djali! Ka marrë gjenet më të mira nga babai i tij dhe miku im, qëkur isha student, Maksuti. E treta, duhet ndërruar pak gjella! Kush do që të më kuptojë, më kupton! Unë them: Urime Halim!
– Kanë filluar të tunden dhe të shkunden ca, se “do të bëjnë namin kur të vijnë në krye të Lezhës”, kurse ti, miku im aq i vyer Viktor Tusha, po punon edhe me taktin e një ish-mësuesi, edhe me argumente. Të uroj ty, por uroj Lezhën time të shtrenjtë që do ketë pas 21 qershorit një bir të denjë të saj si ti, Viktor Tusha.
– Jo se është ndonjë çudi që edhe një biznesmen i fuqishëm ndërtimi ecën më këmbë, por ja që nuk të kisha parë, miku im, Behar Malaj! I gjatë, me atë të qeshurën plot mirësi dhe syzet të lidhura që të mos bien. Vallahi, të dua fort, Behar! Ti këtë e di, por nuk bëj keq që e përsëris. Urime, miku im fisnik!
– Kam vënë re, i dashur Nesti Deçka, se megjitëhse je pedagog (Në Itali, madje) se megjithëse je biznesmen, ish-prefekt, aktualisht në kryesinë e një partie, ti mbetesh kaq njerëzor dhe i vërtetë në modestinë tëndë, në respektin ndaj njerëzve. Është një aset i karakterit, që do ta kesh gjithë jetën, shoku im i rinisë dhe aktualitetit moshor. Urime!
– Paraditen e 18 prillit (e diel) ishe në aksion në Paskuqan, për pastrimin. Pasdite, tek Ora Nevvs dhe gjithë po aq e bukur, e kuruar dhe me sytë plot dritë. Të uroj fort, shoqja ime aq e vyer, Erisa Xhixho. Me këtë rast, edhe gazetaren e Ora Nevvs, që quhet Klea dhe është një korçarkë aq punëtore! Urime të dyjave!
– Nga afër nuk të njoh, i dashur Zef Hila, por “krismën” ta kam dëgjuar. Për burrë zotni, patjetër. Të uroj fitore bindëse në bashkinë e re të Vaut të Dejës! Urime nga zemra! Dashtë Zoti, të mos i harrosh miqtë e vjetër.
– Kisha vërtet kohë pa të parë, i dashur miku im jurist, Fatos Lula. Më vjen mirë që po i ngjit një nga një shkallët e karrierës, po sidomos, më vjen mirë që ke mbetur po aq djalë king si dikur! Të uroj nga zemra gjithë të mirat, ty, Ditës, Ilirit.