Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Meda: Dashuria eshte gjithcka…

Mehedin Përgjegjaj është ish-futbollisti që për shkak të një lëndimi në këmbën e djathtë, u detyrua të braktiste një ëndërr për të nisur një tjetër, atë të këngës. Dhe gjërat nuk i kanë shkuar keq, sepse sot, ai është këngëtari që kryeson listën e më të kërkuarve nga shqiptarët, si brenda, ashtu edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. I destinuar të lëvizë nga njëri avion në tjetrin (ka ndodhur të ketë patur mbi 100 fluturime në vit) gjithë kohën me valixhe në dorë, ai është i pranishëm kudo ku flitet shqip, me dëshirën për t’i argëtuar gjithnjë bashkatdhetarët e tij. Por, çfarë ka përtej të gjitha këtyre? Si është Meda familjar, cilat janë dëshirat dhe frikërat e tij? Si e ka përjetuar ai eksperiencën si aktor së fundi? Çfarë pritet të sjellë në vazhdim? Për të gjitha këto, lexoni më poshtë…

 

Ariana Bregu: – Meda përshëndetje! Je këngëtari më i kërkuar nga shqiptarët. Është kjo më shumë një kënaqësi apo përgjegjësi?

Advertisement

Meda: – Të dyja shkojnë bashkë. Ti punon që publiku të të dojë dhe kur e arrin këtë, duhet t’ua kthesh me akoma më shumë dashuri, kuptohet, duke punuar, në mënyrë që të mos i zhgënjesh asnjëherë.

– Çfarë bën për të ndezur atmosferën në ambientet ku këndon?

– Për fat të mirë, unë kudo ku shkoj, shoh që publiku i këndon këngët e mia bashkë me mua dhe që aty nis atmosfera; ata e bëjnë atmosferën me mua…

Pas këngës së bixhozit, sapo ke publikuar një tjetër këngë me një temë po aq prekëse, për nënën… Çfarë mund të themi për këtë këngë?

– Në këngën për nënën, jemi munduar të bëjmë një punë të mirë dhe më vjen mirë që ka rezultuar një këngë vërtet e pëlqyer. Në fakt, që përpara se ta publikonim, e dinim se do të ishte një këngë që do të prekte shumë zemra sepse kështu është nëna; një strehë e ngrohtë, burim dashurie e ngrohtësie për të gjithë. Jam me të vërtetë i kënaqur që kjo këngë ka zënë vend në zemrat e të gjithë atyre që e pëlqejnë muzikën e Medës. (Buzëqesh)

– Çdonjëri prej teksteve të tua (dhe ti, tekste ke shumë) ka një fabul të caktuar. Kujt i shkojnë meritat për këtë?

– Është e vërtetë që unë kam shumë këngë e për rrjedhojë, edhe shumë tekste. 90% e tyre vijnë nga tekstshkruesi im Fatmir Muja, i cili për fat të mirë, ka bërë një punë jashtëzakonisht të madhe gjatë gjithë karrierës sime. Për këtë, e falënderoj përzemërsisht.

– Ke një këngë që ti vetë e pëlqen më shumë se të tjerat?

– Unë do t’i kisha veçu disa këngë që janë prej këngëve që kanë patur sukses të madh dhe që njerëzit i dëgjojnë pa u mërzitur edhe sot, si “Ah dashni, dashni e vjetër”, “Kuq e Zi” që është bashkëpunim me Sinan Hoxhën, “O melhem i shpirtit tem”, “Ai plumb” si dhe “Bixhozi”, një këngë që e duan dhe e çmojnë shumë.

– E ke mbyllur me bashkëpunimet, apo je gjithnjë i hapur për bashkëpunimin e radhës?

– Ç’është e vërteta, unë kam pas bashkëpunime të shumta me shumë miq, që i dua dhe i çmoj. Bashkëpunime të veçanta kanë qenë ato me Tunën dhe Getin, Seldin dhe Sinanin, Vjollca Haxhiun etj., por ka gjithmonë vend për bashkëpunime të tjera, edhe pse jo ndonjë tani afër, sidoqoftë.

Ndërkohë që veç këngës, kohëve të fundit ke luajtur në filmin “Zori”. Na trego pak për këtë eksperiencë…

– Kjo është diçka tjetër nga ajo që unë jam mësuar të bëj deri tani, por për të qenë një këngëtar që i reziston kohës, konkurrencës dhe sfidave që paraqet kjo rrugë, duhet në radhë të parë me pas shpirt artisti. Për mua, ka qenë një kënaqësi kur më kanë ftu për me marrë pjesë në atë film dhe jam ndarë shumë i kënaqur me gjithë stafin, që më ka befasuar për mirë.

A përbënte sfidë të aktruarit për ty?

– Në fakt, jo dhe aq, sepse kur bëhet fjalë për skenën, qoftë në këngë apo në film, artistit i duhet me aktru nga pak. Ti mund të mos jesh gjithë kohën në humor të mirë apo në gjendje të gëzueshme e prapë, ajo çfarë duhet të bësh, është të hiqesh sikur je i tillë sepse publiku të do kështu dhe ti je aty për t’i përcjellë atij gëzim, gjendje të mirë, atmosferë të gëzueshme. Pastaj, edhe më herët se të isha në film, unë i kam ditur ca rregulla të xhirimit sa i përket prapaskenës, si për shembull, nuk duhet parë kamera drejt etj., kështu që nuk ka qenë shumë e vështirë për mua kjo eksperiencë dhe besoj se e kam kry me sukses pjesën time. (Buzëqesh)

– A do të shërbejë kjo si pikënisje për të qenë pjesë e projekteve të këtij lloji edhe në vazhdim?

– Të them të vërtetën, njëherë për njëherë nuk kam ndonjë ftesë, por nëse dikush më bën një ofertë dhe bëhet fjalë për një pjesë të mirë, pse jo? (Buzëqesh) Në fakt, kjo nuk është edhe aq surprizë, pasi në botë, shumica e këngëtarëve kanë luajtur edhe në filma, kështu që, pse jo? Kënga dhe aktrimi janë dy gjëra që mund të shkojnë mirë bashkë… (Buzëqesh)

– A do ta kishe lënë muzikën për aktrimin?

– Jo, sepse muzika më fle në shpirt, unë jam rrit me muzikë, ashtu sikurse jam rrit me futbollin dhe nuk mundem me u largu as nga njëra, as nga tjetra.

– Si të tingëllon fakti që këngët e tua dëgjohen tashmë kudo, në dasma, koncerte, pabe, mbrëmje muzikore? Është diçka e zakonshme tashmë kjo për ty?

– Është kënaqësi e veçantë kur dëgjon këngët e tua në makina apo kudo, është kënaqësi kur kupton se të do populli yt.

– Çfarë të frymëzon?

– Më frymëzon fakti që kur ngrihem në mëngjes, i shoh fëmijët në gjumë që janë mirë dhe të shëndetshëm e kjo më jep forcë me përballu gjithçka.

– Çfarë nuk do ta kishe bërë kurrë?

– Tradhtinë nuk e duroj dot as në shoqëri, as në familje, as sa i përket dashurisë për vendin.

– Çfarë do të kishe dashur të bëheshe?

– Unë kam ikur në Gjermani që 12 vjeç dhe, kur isha 17, u angazhova në futboll, por si pasojë e një lëndimi, duke e kuptuar se nuk do të arrija aty ku unë doja me arrit, e lashë. Por krahas futbollit, edhe pse një nga frikërat e mia është aeroplani, do kisha pas qejf me u bë pilot. (Buzëqesh)

– Udhëtimi më i largët që ke bërë deri më tani…

– Në Australi, 22 orë fluturim, por ia vlen ta bësh kaq rrugë për atë publik të mrekullueshëm.

– Ti je edhe prind i 3 fëmijëve… Sa kohë kalon me ta, sa arrin t’u gjendesh pranë?

– Sa herë jam pa angazhime, përpiqem që shumicën e kohës ta kaloj me ta, edhe pse kurrë nuk mjafton e më mungojnë shumë. Tani edhe ata kanë nisur ta ndiejnë mungesën time, por sa herë që jam në shtëpi, jam gjithë kohën me ta.

– A do të ishe dakord që ndonjëri prej fëmijëve të të ndiqte ty në rrugën e këngës?

– Për të qenë i sinqertë, unë nuk do të doja të ndërhyja në jetën e tyre, edhe pse do të ishte kënaqësi që fëmija të ndjekë rrugën e prindit, por nëse flasim për qejfin tim, unë qejf e kam që njëri të paktën të bëhet futbollist, se më pëlqen shumë futbolli. Megjithatë, jetës nuk i dihet, kështu që ata mund të bëhen çfarë të duan, edhe pse janë akoma të vegjël, kanë kohë për këtë.

– I ke kënduar kaq shumë dashurisë, me të gjitha ngjyrat e saj. Në të vërtetë, çfarë është dashuria për ty?

Dashuria është gjithçka, për gjithkënd! (Buzëqesh)

– Projekte të reja në vazhdim…

– Jam në përgatitje të albumit, i cili do të dalë në fund të qershorit.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Themi fjalën tonë mbi Projektligjin për Nënshtetësinë

Next Post

A mund të çrregullohet sperma?

Advertisement