– Përshëndetje dermatologe! Kam probleme me këmbët, gjatë gjithë kohës kanë një aromë shumë të keqe dhe djersiten shumë. Asnjë metodë nuk ka rezultuar e suksesshme, prandaj kërkoj këshillën tuaj se si të veproj. Si hiqet kjo aromë e keqe? Theksoj që edhe duart më djersiten ndonjëherë. Jam vizituar te tiroidet dhe më kanë thënë që jam në rregull. Si të veproj, si hiqet aroma e djerses? Faleminderit.
Dr. Albana Lufi, mjeke–dermatologe: – Djersitja është një mekanizëm me të cilin trupi rregullon temperaturën e tij. Shumë herë, ky proces është i natyrshem dhe i shëndetshem, por në mjaft raste, djersitja është shume e shprehur duke përbërë një problem shqetësues jo vetëm për femrat, por edhe për meshkujt. Djersitja e tepërt (hiperhidroza) në varësi të shkakut, ndahet në parësore dhe dytësore. Djersitja e tepërt parësore është zakonisht qendrore dhe mund të ketë një predispozitë gjenetike. Zakonisht, fillon në fëmijëri ose ne adoleshencë. Djersitja e tepërt dytësore mund të vijë si pasojë e çrregullimeve endokrine, kryesisht çrregullimet e tiroides, diabetit, menopauza, medikamenteve të ndryshme etj. Hiperhidroza është e lokalizuar ose e gjeneralizuar në të gjithë trupin.
– Vendet kryesore ku shfaqet hiperhidroza e lokalizuar janë: sqetullat, pëllëmbët e duarve, shputat e këmbëve, fytyra. Zona të tjera mund të jenë beli dhe gjoksi. Për trajtimin e hiperhidrozës parësore ose idiopatike, nuk ekzistojnë barna specifike. Trajtimi i kësaj forme deri tani bëhej duke përdorur deodorantet dhe substancat anti-perspirante, por pa efekt të dukshëm. Metodat e vjetra, si heqja kirurgjikale e gjendrrave të djersës dhe simpatektomia thorakale janë braktisur sepse nuk ofrojnë zgjidhje reale për djersitjen e tepërt. Jonoforeza është një teknikë që vazhdon të përdoret edhe në ditët e sotme për të trajtuar hiperhidrozën dhe konsiston në transmetimin e një rryme të vazhduar me intensitet të ulët nga një gjenerator i rrymës së vazhduar në pëllëmbët e duarve ose në shojet e këmbëve të zhytura në një solucion elektrolitik.
– Rryma bllokon kanalet e gjendrrave të djersës për njëfare periudhe kohore dhe trajtimi duhet të përsëritet rregullisht. Trajtimi modern i djersitjes së tepërt në ditët e sotme është përdorimi i botoksit (injektimi i toksinës botulinum tipit A). Botoksi është i famshëm për eleminimin e rrudhave të shprehjes, të formuar nga kontraktimet e muskujve sa herë që ju buzëqeshni apo merziteni. Përdorimi më i fundit i botoksit është për të luftuar djersitjen e tepërt të sqetullave, të duarve dhe këmbëve. Përtej efektit terapeutik të botoksit në sqetulla, injeksioni ndihmon për të larguar ndjenja të pakëndshme të të qenit i djersitur gjatë gjithë verës, ose pse jo, gjatë gjithë vitit, në qoftë se procedura përsëritet. Kjo procedurë aplikohet edhe në Klinikën Dermatologjike dhe Estetike Dermovita. Injeksioni me botoks bllokon transmetimin e impulseve nervore nga gjendrrat e djersës dhe kështu, pengohet prodhimi i djersës. Kjo procedurë nuk ka efekte anësore dhe mund të përsëritet në varësi të individit pas 6 ose 9 muajve, ose çdo fillim vere.