Fibromialgjia është një sëmundje kronike që prek afro 5 milionë njerëz vetëm në SHBA. Doktorët e diagnostikojnë fibromialgjinë duke u bazuar te simptomat e pacientit dhe në ekzaminimin e tij. Pacientët ndjejnë dhimbje dhe mpirje të muskujve, megjithatë, analizat laboratorike, ekografitë dhe skaneri, në shumicën e rasteve, nuk tregojnë gjë. Megjithëse fibromialgjia nuk dëmton kyçet dhe organet, dhimbja e vazhdueshme dhe lodhja mund të kenë një ndikim domethënës në jetën e përditshme.
– Cilat janë simptomat e fibromialgjisë?
– Simptoma kryesore është dhimbja e muskujve në gjithë trupin, e shoqëruar nga: Lodhja, problemet e gjumit, ankthi apo depresioni dhe prania e pikave të buta në trup.
– Ku ndodhen këto pika të buta?
– Një nga aspektet specifike të fibromialgjisë është prania e vendeve të buta në zona të caktuara të trupit. Kur ushtrohet presion në këto vende, njerëzit me fibromialgji ndjejnë dhimbje, ndërsa ata që nuk janë të sëmurë, ndjejnë vetëm presion. Në figurë ilustrohen disa nga këto pika të buta.
– A është reale dhimbja e shkaktuar nga fibromialgjia?
– Dhimbja e shkaktuar nga fibromialgjia mund të jetë e fortë. Meqë analizat e zakonshme apo grafitë nuk konfirmojnë diagnozën e saj, disa pacientëve dikur u thuhej se “kjo dhimbje ekzistonte në mendjen e tyre”. Por, tani, mjekët e kanë pranuar se dhimbja e shkaktuar nga fibromialgjia është reale. Studimet thonë se ajo shkaktohet nga një çrregullim i mënyrës se si trupi percepton dhimbjen.
– Kush rrezikohet nga fibromialgjia?
– Më të rrezikuara nga kjo sindromë janë gratë e moshës 25-60 vjeç. Doktorët nuk e dinë mirë arsyen pse gratë janë 10 herë më të prekshme se burrat nga fibromialgjia. Disa studiues mendojnë se luan rol gjenetika, por ende nuk janë identifikuar gene specifikë.
– Si shfaqet lodhja?
– Pas dhimbjes, simptoma më problematike e fibromialgjisë është lodhja. Kjo nuk është lodhje normale që vjen pas një dite të mbushur me punë, por më shumë një ndjesi këputjeje. Njerëzit me fibromialgji mund të ndjehen të lodhur porsa ngrihen nga shtrati në mëngjes, megjithëse kanë kaluar orë të tëra me gjumë. Lodhja mund të jetë më e keqe në disa ditë sesa në të tjera dhe mund të ndikojë te puna, aktivitetet fizike dhe punët e shtëpisë.
– Cilët janë shkaktarët e fibromialgjisë?
– Ka shumë teori për shkaqet e fibromialgjisë, por studimet ende nuk kanë gjetur një shkaktar të qartë. Disa doktorë mendojnë se disa çrregullime hormonale apo kimike mund të ndikojnë në mënyrën se si nervat e perceptojnë dhimbjen. Të tjerë sugjerojnë se një eveniment traumatik ose stresi kronik mund të shtojë ndjeshmërinë e një personi. Shumica e ekspertëve janë dakord se fibromialgjia mund të jetë më shumë një kombinim faktorësh, sesa e shkaktuar nga një faktor i vetëm.
– Si ndikon ajo në jetën e përditshme?
– Lufta e vazhdueshme kundër lodhjes dhe dhimbjes mund t’i bëjë njerëzit nervozë, të mbushur me ankth dhe depresivë. Ju mund ta keni të vështirë të punoni, të kujdeseni për fëmijët, apo të bëni punët e shtëpisë. Fizkultura ose pasione të tilla si kopshtaria, mund t’ju duken rraskapitës. Lodhja dhe irritimi mund të dëmtojë edhe lidhjet me miqtë. Për fat, ekzistojnë trajtime efikase që ndihmojnë shumë pacientë të kryejnë aktivitetet që u pëlqejnë.
– Si bëhet diagnostikimi i fibromialgjisë?
– Doktori juaj mund ta diagnostikojë fibromialgjinë pasi ka dëgjuar simptomat tuaja dhe pasi ka bërë një ekzaminimim fiziologjik. Doktori mund të bëjë edhe analiza të tjera, për të përjashtuar problemet e tjera. Sigurohuni t’ia përshkruani dhimbjen tuaj në detaje, përfshi edhe ku dhe sa shpesh ndodh. Gjithashtu, përmendni edhe simptomat e tjera, si lodhja, problemet me gjumin, apo ankthin.
– Cili është hapi i parë në trajtimin e sëmundjes?
– Fibromialgjia dikur trajtohej vetëm nga reumatologët. Sot, ajo ka tërhequr vëmendjen e shumë doktorëve. Hapi i parë që duhet bërë është të identifikohet se çfarë i përkeqëson simptomat. Ja, disa prej këtyre faktorëve: Koha e ftohtë, apo e lagësht, aktiviteti fizik me tepri, apo me pakicë, stresi, gjumi i keq. Përsa i përket këtij të fundit, shumë njerëz me fibromialgji kanë probleme me gjumin, për shembull e kanë të vështirë të flenë, ose ngrihen shpesh gjatë natës. Studimet kanë treguar se disa pacientë bëjnë një gjumë të lehtë dhe kurrë një gjumë të thellë, çlodhës. Kjo e pengon trupin të rimarrë veten, duke krijuar një rreth vicioz, sepse gjumi i keq e bën dhimbjen të duket më e madhe dhe ajo na çon te gjumi i keq. Një nga simptomat e tjera të fibromialgjisë është depresioni. Afro një e treta e njerëzve me fibromialgji kanë edhe depresion. Lidhja mes këtyre të dyjave është e paqartë. Disa studiues mendojnë se depresioni është rezultat i dhimbjeve kronike dhe lodhjes. Të tjerë sugjerojnë se çrregullimet në tru mund të çojnë edhe te depresioni dhe ndjeshmëria e madhe ndaj dhimbjes. Simptomat e depresionit mund të përfshijnë: vështirësi për t’u përqendruar, mungesë shprese dhe humbje interesi për aktivitetet e preferuara.
– Çfarë ilaçesh jepen në këto raste?
– Qëllimi i trajtimit kundër fibromialgjisë është të minimizohen dhimbja, problemet e gjumit dhe çrregullimet e humorit. Doktorët mund t’ju japin ilaçe që lehtësojnë simptomat tuaja, që nga ilaçet e zakonshme kundër dhimbjes, si dhe të tjera si amitriptyline. Ka edhe ilaçe specifike për trajtimin e saj, si: Cymbalta (duloxetine), Lyrica (pregabalin) dhe Savella (milnacipran). Përveç ilaçeve ka edhe mënyra të tjera për të trajtuar fibromialgjinë:
- Ushtrimet fizike.
Ato mund të lehtësojnë disa nga simptomat e fibromialgjisë. Aktiviteti fizik mund të reduktojë dhimbjen dhe të përmirësojnë formën. Është provuar se fizkultura, vetëm tre herë në javë, ka lehtësuar lodhjen dhe depresionin, por është e rëndësishme të mos e teproni. Për njerëzit me fibromialgji, mënyrat më të mira për të nisur ushtrimet fizike janë ecja, shtriqja e muskujve dhe aerobia në ujë.
- Dieta.
Disa ekspertë thonë se mënyra e të ngrënit mund të luajë një rol në fibromialgji, por jo të njëjtin në të gjithë pacientët. Disa ushqime, si aspartami, MSG, kafeina dhe domatet duket se i përkeqësojnë simptomat te disa njerëz, por evitimi i këtyre ushqimeve nuk i ndihmon të gjithë. Për të zbuluar se çfarë funksionon për ju, përpiquni të evitoni këto ushqime (ose të tjera) një nga një dhe mbani shënim nëse simptomat tuaja përmirësohen.
- Masazhet.
Disa studime sugjerojnë se masazhi mund ta lehtësojë dhimbjen e fibromialgjisë, megjithëse kjo ende nuk është vërtetuar. Masazhatorët thonë se çelësi është të ushtrohet presion i moderuar, ndërsa teknika është më pak e rëndësishme. Një i afërm mund të mësojë t’ju bëjë masazhe të rregullta dhe një seancë prej 20 minutash, mjafton për të dhënë rezultat.
- Akupunktura.
Studimet e ndryshme kanë dhënë rezultate të ndryshme përsa i përket përdorimit të akupunkturës për fibromialgjinë, por disa pacientë thonë se ajo u lehtëson simptomat. Kjo praktikë tradicionale kineze përfshin futjen e gjilpërave të holla në pikat kyç të trupit. Akupresioni është një teknikë që stimulon të njëjtat pika dhe mund të jetë një alternativë e mirë për njerëzit që duan të evitojnë gjilpërat.
- Stërvitni trurin
Shumë njerëz me fibromialgji kanë probleme me përqendrimin, një fenomen i njohur me emrin mjegullim. Ndërkohë që kundër dhimbjes merr ilaçe, ka mënyra të tjera për të përmirësuar përqendrimin. Mbani shënim gjërat që doni t’i kujtoni dhe mbajeni mendjen aktive duke bërë pazëlla, sudoku dhe copëzojini punët në hapa të thjeshtë, që mund t’i mbani mend.
- Stresi
Stresi duket se është një nga shkaktarët më të zakonshëm të krizave të fibromialgjisë. Megjithëse është e pamundur të eliminoni gjithë stresin nga jeta juaj, mund të përpiqeni të reduktoni stresin e panevojshëm. Përcaktoni se cilat situata ju fusin ankthin, në shtëpi apo punë dhe gjeni mënyrën për t’i bërë këto situata më pak stresante. Provoni jogën, meditimin, ose teknika të tjera relaksimi. Gjithashtu, lejojini vetes të evitoni aktivitetet jo të domosdoshme që ju shkaktojnë stres.
– A mund të përmirësohet gjendja e një të sëmuri me fibromialgji?
– Shumë njerëz që vuajnë nga fibromialgjia zbulojnë se simptomat dhe cilësia e tyre e jetës përmirësohet dukshëm kur gjenden trajtimet më efikase dhe bëhen ndryshime në stilin e jetës. Megjithëse fibromialgjia është një sëmundje kronike, ajo nuk dëmton kyçet, kockat, muskujt, apo organet e brendshme.