Përshëndetje! Para se të vendosja të shkruaja historinë time, u mendova disa herë sepse sa herë që e kujtoj, ndjej shumë dhimbje dhe lotët nuk më pushojnë… siç po ndodh edhe tani. Nuk dua ta kujtoj më të shkuarën, por vendosa ta ndaj me lexuesit sepse në këtë mënyrë sikur ndihem edhe më mirë. Isha vetëm 15 vjeçe kur jeta ime mori një kthesë tjetër. Kisha shumë ëndrra për veten, për jetën dhe të ardhmen time. Deri në atë moshë nuk kisha ndonjë problem, isha e lumtur, akoma me ato ëndrrat dhe planet për veten. Arjan quhet djali që erdhi të më kërkonte dorën në shtëpi për t’u martuar me të. Ai, bashkë me të atin, ia mbushën mendjen babait tim me gënjeshtra duke i thënë se ishte në gjendje shumë të mirë ekonomike, kishte prona dhe punonte në Itali. “Vajza do jetë e lumtur dhe do ketë një jetë princeshash”, i thoshte ai babait tim. Mua diçka nuk ma mbushte mendjen, e ndjeja se ato që thonin ishin vetëm fjalë, asgjë nuk ishte e vërtetë, ndërsa babai im i besoi të gjitha dhe ishte dakord që unë të fejohesha me të. S’kisha ç’të bëja tjetër kështu që i besova babait i cili më dha fjalën se nëse do dilte e kundërta e asaj që thonin ata, e kisha derën e hapur për t’u kthyer në familjen time. Dhe kështu, Arjani erdhi bashkë me prindërit dhe u bë fejesa. Shkova në shtëpinë e tij dhe, ç’të shihja aty?! Ata jetonin në dy dhoma, në një shtëpi të vjetër! Nuk fola fare. “Nuk do rrimë shumë këtu sepse pas tre ditësh do ikim në Itali. Atje do jetojmë më mirë”, më tha ai. E pashë në sy, por ai e hoqi menjëherë shikimin. E ndjeja që kjo mund të ishte gënjeshtra e radhës. “Por babai im nuk e di këtë”, i thashë. “Do ia themi sonte”, ma ktheu. Ia thashë vetë babait, edhe pse e dija që për atë nuk kishte ndonjë ndryshim. Ai besonte çdo fjalë që thoshte Arjani dhe e besoi edhe këtë, që ne do të ishim më mirë po të iknim në Itali. Kaq shpejt ndodhën këto ndryshime në jetën time saqë akoma pa u ambientuar me njërin, vinte ndryshimi tjetër. Shpresoja të ishte për mirë e gjitha kjo, por ky nuk kishte qenë asgjë tjetër veçse fillimi i kalvarit të vuajtjeve të mia.
Sapo arritëm atje, Arjani takoi disa persona të tjerë që po më shihnin çuditshëm nga koka të këmbët. Ata ishin pak metra më larg dhe nuk i dëgjoja dot se për çfarë po flisnin, por më bënte përshtypje që shihnin nga unë në atë mënyrë. Arjani nuk e ktheu kokën nga unë për asnjë moment. Pasi u nda nga ata, erdhi drejt meje dhe e bëmë rrugën pa folur asnjë fjalë.
“Kush ishin ata?”, e pyeta.
“Disa shkokë”, u përgjigj.
“Pse më shikonin në atë mënyrë?”.
“Si të shikonin?”
“Shumë ngultas”
“Të është dukur ty”, ma preu shkurt.
Mua s’më dukej sikur ai ishte i fejuari im, por si dikush të cilin sapo e kisha njohur. Që në atë moment ndjeva një frikë të pashpjegueshme! Nuk po e dija më me kë isha, ku po ikja dhe çfarë po ndodhte me mua! Shkuam në një shtëpi tepër të thjeshtë, por që ishte në një lagje shumë të frikshme. Kudo shikoje njerëz që rrinin bordurave dhe që dukeshin si të droguar. Nuk bëra zë fare, vetëm ecja pas Arjanit. E dorëzova veten tek ai dhe le të bëhej ç’të bëhej me mua, por ajo që më priste, ishte e tmerrshme. Nuk kaluan as dy ditë dhe Arjani më detyroi që të prostituoja.
“Merri këto, vishi. Mos u vono se po të prersin poshtë”, më tha me një zë udhërues.
“Çfarë janë këto?”, e pyeta ndërkohë që në dorë kisha veshjet dhe po i shikoja. Ishin disa veshje me të cilat më tepër dukeshe e zhveshur sesa e veshur.
“Mos bëj pyetje, vishi dhe zbrit poshtë se po të presin. Të tregojnë ata se çfarë duhet të bësh”.
E kuptova për çfarë bëhej fjalë dhe fillova të bërtisja, të qaja, por çdo gjë ishte e kotë sepse askush nuk më dëgjonte në atë lagje, ose edhe sikur të më dëgjonin, nuk do më ndihmonte njeri. Arjani filloi të më rrihte dhe më mbyllte gojën që të mos bërtisja. Po më trajtonte si një të huaj dhe jo si të fejuarën e tij. E dija që kjo e fundit nuk kishte aspak rëndësi për të sepse ai po sillej me mua si kafshë. Pasi e mora pak veten dhe më dha një gotë me ujë, më tha përsëri se duhet të vishja rrobat që më dha dhe të zbrisja poshtë. Unë përsëri nuk pranova! Këtë herë ai më rrahu më keq, më bëri gjysëm të vdekur. Nuk mora vesh asgjë që në momentin që më ra të fikët. Pasi u zgjova e pashë veten në një dhomë të vogël, të errët. Po më ngjante me një dhomë izolimi, të pisët dhe u frikësova shumë. Thirra Arjanin, por asgjë. Ishin bërë ditë që nuk kisha ngrënë fare, vetëm kisha pirë pak ujë. Nuk kisha më fuqi, prandaj pranova punën që ai më detyroi të bëja. Më mirë të vdisja sesa të vazhdoja të bëja atë lloj jetese. Ia thoja shpesh Arjanit që më mirë të më vriste sesa të vazhdoja në atë mënyrë, por ai nuk donte t’ia dinte. Për fat të mirë, doli dikush që më ndihmoi. Ishte një burrë i cili më kishte parë disa herë në atë rrugë sepse kalonte andej për të shkruar në shtëpinë e tij. “Ishe e vetmja që më kishe bërë përshtypje sepse në fytyrën tënde lexoja vetëm vuajtje”, më tha.
Ai arriti të më largonte nga ai ferr dhe më mori në shtëpinë e tij. Edhe pse ishte i martuar, mori përsipër të kujdesej për mua; më dha para dhe më ndihmoi të kthehesha në shtëpi. Për fat të mirë, edhe bashkëshortja e tij u tregua mirëkuptuese.
“Nuk dua të kthehem më në Shqipëri”, i thashë me lot në sy.
“Po ti nuk mund të qëndrosh gjatë këtu sepse je pa letra”, më tha.
E kuptova se përfundimi im ishte në Shqipëri, edhe pse e ndjeja se nuk doja të kthehesha atje. Kur vajta te familja ime, i gjeta në gjendjen më të mjeruar. U çuditën kur më panë. Ata nuk dinin asgjë. Babai në fillim nuk po më besonte, kur i tregoja se çfarë më kishte ndodhur, por më pas më tha se as aty nuk mund të qëndroja, sepse ata mezi po mbanin veten e tyre. Dola të kërkoja punë dhe falë Zotit, arrita të punësohesha në një firmë private. Djali që e kishte, u tregua zemërgjerë dhe më ktheu sërish shpresën, por vuajtjet e mia nuk patën fund… Besi, quhej pronari i firmës i cili më punësoi. Ai sillej shumë mirë me mua dhe më veçonte nga punonjëset e tjera. Pak nga pak filluam të afroheshim shumë me njëri-tjetrin dhe unë po ndihesha shumë mirë në praninë e tij. Një natë ai më ftoi në shtëpinë e tij dhe që nga ajo natë, nisi gjithçka… Mendova se ai vërtet kishte ndjenja për mua dhe se mes nesh po lindte diçka e bukur. Kjo ide m’u përforcua edhe më shumë pasi mora vesh se isha shtatzënë. Besit i kisha treguar gjithçka për jetën time më parë, për atë që më kishte ndodhur dhe ai ishte treguar mirëkuptues… deri në momentin kur i thashë se isha shtatzënë dhe se prisja një fëmijë nga ai. Në fillim nuk e besonte dhe më thoshte se po e gënjeja.
“Këto gënjeshtra thuaja dikujt tjetër. Fëmija që pret nuk është i imi. Do ta kesh me ndonjë tjetër”.
I thashë se mund t’i bënim analizën që ta vërtetonte se ishte fëmija e tij. Pastaj më tha të shkoja ta hiqja sepse ai nuk do të mbante asnjë përgjegjësi. Më lëndoi në shpirt me ato fjalë, por unë nuk kisha ndërmend ta hiqja fëmijën. Rrija me shpresën se një ditë do ta pranonte si fëmijën e tij dhe pasi ta shikonte djalin, do ndryshonte mendje, por gjithë shtatzaninë e përballova e vetme sepse ai më hoqi nga puna dhe nuk pranoi të më shikonte më. E kërkoja për ta takuar, por gjithmonë më shmangej. Djali lindi dhe ende nuk kishte një mbiemër sepse Besi nuk pranonte ta njihte si djalin e tij. Mundësitë për ta mbajtur dhe rritur djalin i kisha shumë të pakta. Mundohesha të gjeja ndonjë punë dhe jeta më shkoi mes punës dhe mundimeve të shumta për ta bindur Besin që të njihte djalin, por ai kurrë nuk pranoi të më takonte as mua, as fëmijën e tij. Kërkova të takoja vëllain e tij me shpresën se do të kuptoheshim. “Unë nuk di ç’të të them. Do mundohem të bind vëllain që t’ia japë atësinë djalit, por nuk mund të të premtoj asgjë”, më tha ai. Sytë m’u mbushën me lot, shpresat po më shuhehin çdo ditë pak nga pak para syve, por kurrë nuk u dorëzova që djalit të mos i mungonin të paktën gjërat elementare.
Tani jetoj në një dhomë të vogël në kushte shumë të këqija. Besi u martua dhe krijoi familjen e tij. Unë nuk e kam marrë kurrë guximin që të shkoj t’i tregoj gruas së tij për djalin që ka Besi sepse nuk dua të bëhem unë shkaku u prishjes së martesesës. Pastaj, ajo nuk ka ndonjë faj që bashkëshorti i saj është një njeri kaq i ulët. Kjo situatë më erdhi në majë të hundës dhe u detyrova që të marr një avokate. Besi më përdori dhe në momentin që duhej të merrte përgjegjësi u largua, më braktisi. As prindërit e tij nuk duan t’ia dinë për nipin e tyre. Besi nuk është me ndonjë gjëndje të keqe ekonomike që të paktën t’i plotësojë disa kushte djalit. Pothuajse çdo ditë tentoj ta takoj për t’i mbushur mendjen dhe me vete në çantë marr fotot e djalit dhe të tijat, që të shikojë edhe ngjashmërinë e madhe mes tyre. Shpresoj që Besi ta vërë dorën në zemër dhe ta shohë djalin. Ajo që më ndodhi ishte një fatkeqësi dhe ai kurrë nuk duhet të më kishte përdorur, ndërkohë që nuk kishte patur ndërmend të kishte një lidhje serioze me mua. Herën e fundit që fola me Besin dhe i thashë se isha shtatzënë, ai ma preu shkurt: “Nëse nuk do të kishe bërë atë punë që ke bërë më parë, do të isha martuar me ty”, por unë nuk desha ta bëja atë punë; ajo ishte fatkeqësia ime. Tani mendoj se ky ka qenë thjesht një justifikim i tij, për të mos marrë mbi vete përgjegjësi.
Tani, kam mbetur pas gjykatave me letra në dorë. Zgjohem herët dhe dal nga shtëpia që të jem një orë para në vendin ku pres të takohem me avokaten. Ngaqë nuk kam para që t’i jap më tepër nga sa paguhet, ajo e ka zgjatur aq shumë këtë çështje saqë kam filluar të mendoj se do të jem unë humbësja, por në momentin që shoh djalin në sy, më duket sikur shoh Besin dhe në atë moment i jap shpresa vetes se në një ditë të afërt, çdo gjë do të rregullohet. Ajo që më vret shumë është se unë jam ende e dashuruar me Besin. Pasi ai krijoi familjen e tij, e pashë që ishte e pamundur të kthehesha përsëri me të, por kjo ishte një vuajtje të cilën e kam mbajtur për vete për një kohë shumë të gjatë. Megjithatë, rëndësi për mua ka që Besi t’i japë mbiemrin djalit të tij sepse ai po rritet dita-ditës, bashkë me të rriten edhe vështirësitë për ta rritur dhe unë do ta kem shumë të vështirë ta përballoj këtë. Dua vetëm që Besi të pranojë ta shohë djalin sepse atëherë mund ta thërrasë gjaku dhe gjërat do ndryshojnë. Unë nuk do të dorëzohem derisa të arrij që djali im të ketë një mbiemër sepse në të kundërt, ky peng do ta përndjekë për gjithë jetën. Jeta ime mori fund sepse kështu paska qenë e shkruar. Kam kaluar shumë trauma në jetë, kam mbetur jo vetëm me pasoja mendore, por edhe fizike dhe prapë shpresoj që djalit të mos i mungojë një mbiemër dhe ndihma ekonomike që i përket. Besi tregoi që është një njëri zemërgur sepse nëse do të ishte pa ndonjë gjendje të mirë ekonomike edhe do ta kuptoja, por ai ka aq shumë para saqë bën pastrim parash në shumë biznese. Këtë gjë nuk do t’ia falë kurrë edhe djali, pasi të rritet, por unë prapë nuk i uroj asgjë të keqe as atij e aq më pak, familjes së tij. Jeta e vështirë më ka bërë të besoj se të tillë personave është mirë t’u lësh Zotin sepse Ai e di më mirë se ç’bën me ta.