I mençur dhe dinak
Iku ajo punë, besomë, iku
Vazhdo, ushtro gjeste tinëzare.
Të luash me besimin e një miku
Nuk do shkollë, as mendje fare!
Mos u hiq për kaq i zgjuar
Bota ka burra dhe buracakë
Ka me vlerë edhe të shquar
Tjetër i mençur, tjetër dinak.
E nëse mburresh me këtë të fundit
Edhe më lart grada shtazore
Unë për mik i bëj ballë plumbit
Se kam grada njerëzore! Bledi Ylli
Skicë-njeriu
Mezi duket në fund të rrugës
Një grumbull leckash, një skicë-njeri.
Vështrim i shpëlarë, një qenie e mugët
Një lypës, i çmendur a kush e di…
Ne jemi të vetmit që poshtërojmë
kur shohim dikë që vuajtje heq.
Si të paturp barkun fërkojmë
”Na vjen mirë që ka më keq”!
Duke e vështruar si me keqardhje
Dorën i zgjas t’i jap lëmoshë.
Më thotë: Mik, kësaj bote të madhe
Fundin kurrë s’do t’ia shikosh!
Ti më sheh ndryshe nga të tjerët
Por nuk më pyet si të shoh unë
Si gjithë ata të lumtur-mjerët
Si gjithë ata, asgjë më shumë!
Ti më sheh kështu, të mugët
Edhe unë ashtu të shoh ”zotëri”.
Jeta t’i tregon gjithë rrugët
Cilën do zgjedhësh? E di ti!
Kjo botë ka kohë që shkon së prapthi
E unë vendosa të shkoj me të
Ti zotëri, shkon në të kundërt
Të kesh gjithçka edhe asgjë!
Mezi dukej në fund të rrugës
Ai njeri lecka mbuluar…
Vështrim i shpëlarë, një qenie e mugët
Më tha diçka për t’u menduar! Bledi Ylli