Mamaja që nuk jeton
– Para dy netësh kam parë në ëndërr mamin tim, e cila fatkeqësisht, nuk jeton. Pashë sikur më tha: “Duhet të regjistrohesh në këtë fakultet, jo në atë tjetrin që ke ndërmend”. Çfarë kuptimi ka kjo ëndërr? Faleminderit.
– Ëndrra të tilla duhet t’i besoni, sidomos kur bëhet fjalë për prindërit. Duhet t’ia dëgjoni fjalën mamasë, sepse jo më kot ju është shfaqur në ëndërr. Ëndrra të tilla janë të pashmangshme edhe nëse po kaloni një periudhë paksa konfuze. Gjithsesi, nëse e keni fiksuar fakultetin që ju ka thënë, bëni mirë ta provoni. Fjalët e të vdekurve merren ashtu si thuhen, pa asnjë komentim.
Në labirint
– Vëllai im ka parë një ëndërr të tillë: Sikur po ecte në një labirint të madh dhe nuk dinte nga të dilte. Më pas, sikur i kishte dalë e dashura dhe i kishte thënë: “Hajde se të ndihmoj unë”, ndërsa një koleg i thoshte: “Mos i beso, se është mashtruese”. Ai nuk kishte dalë dot, edhe pse ishte përpjekur shumë. Çfarë kuptimi ka, ju lutem, se është në ankth?
– Vëllai juaj po kalon një periudhë të vështirë dhe, duke ju treguar ëndrrën e vet, në njëfarë mënyre ka dashur edhe të hapet me ju. Nëse s’e ka bërë ende, duhet ta detyroni që të flasë, pasi një këshillë e juaja do t’i vlejë shumë. Labirinti tregon se është shumë i mërzitur dhe është futur në një rreth vicioz nga i cili nuk po di si të dalë. Femra që i është shfaqur, në këtë rast, e dashura, tregon që ajo ka gisht në situatën që po kalon ai. Është një çështje që ka të bëjë me jetën e tij personale dhe me punën, gjithashtu, duke qenë se në ëndërr ka parë edhe kolegun e tij. Vëllai do të kalojë disa ditë të vështira, por nëse ai hapet dhe kërkon ndihmën e personave që i ka më afër, pikërisht ndihmën tuaj, për shembull, do të ndihet më i lehtësuar dhe do të dalë shumë shpejt nga gjendja ku ndodhet.
Po ndaja bukën
– Kam parë në ëndërr sikur ndaja bukë me disa persona, por nuk i mbaja mend kush ishin. Kishte shumë bukë dhe unë e ndaja siç bën prifti në kishë, kur jep kungimin. Të gjithë ishin të gëzuar. Theksoj se ishte bukë shumë e mirë dhe e shijshme. Pres një shpjegim.
– Do të keni sukses sidomos në fushën profesionale. Ndarja e bukës me të tjerë, përveçse tregon shpirtin tuaj pozitiv, tregon edhe se jeni bashkëpunues dhe do të fitoni simpatinë e shumë personave rreth jush. Po të kishte qenë bukë e papjekur apo jo e shijshme, do t’ju këshillonim të kishit kujdes nga kolegët tuaj, por në rastin e kësaj ëndrre që na tregoni, kjo nuk është e nevojshme. Shumë shpejt do të shijoni frytet e fitores suaj.