Arben Ahmetaj: “Ma futi përkthyesi kinez…”
Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj e takuam në një kafë pranë ministrisë… Sa na pa, na u drejtua…
Arben Ahmetaj: – Hajde ulu Kaso, hajde!
Kaso Kosa: – Përshëndetje zoti Ahmetaj! Mirë jeni?
– Le mo përshëndetjen, po hajde ulu! Ç‘do piç, mo?
– Po më dhe një kafe, faleminderit!
– Po pse mo, ç’jam unë? Unë vërtet jam gjirokastrit, por kur është llafi te qerasja, ia bëj fora. Merr ç‘të duash, domethënë, ç’kafe të duash.
– Të gëzuar të shoh, zoti Ahmetaj. Ç‘ka ngjarë?
– Si, mo, ç‘ka ngjarë, po më thua? Plasën mediat. E ke marrë vesh, mo, që po largohen dynjaja për në Gjermani? Informonesh ti Kaso, apo jo?
– Po, e di dhe është e dhimbshme…
– Po ç‘e dhimbshme është, mo Kaso? Për mua, kjo është arritje.
– Si “arritje”, zoti Ahmetaj?
– E, mo Kaso, që s’merr vesh fare. Po a më ngopën edhe Ministrinë e Turizmit mua? Ata që largohen për në Gjermani, këtu në kufi deklarojnë se po shkojnë në Gjermani për turizëm. Ja, pra, kjo tregon, Kaso, që turizmi po përjeton një bum. Dhe sigurisht, falë punës sime. Më parë, kur ishte ministre zonja Gjermeni, s’kishin lek njerëzit të iknin në Gjermani.
– Kuptova zoti Ahmetaj, por kisha kohë pa të parë. Ku kishe humbur?
– Jesha në Kinë, Kaso.
– Do kesh nënshkruar kontrata besoj. Lum si ne! Kam dëgjuar që deri në vitin 2020, kinezët do investojnë nëpër botë, 250 miliardë $.
– Aha, ma futën Kaso. Nuk nënshkrova asnjë kontratë, por këtë po ta them vetëm ty.
– Si nuk nënshkrove!? Po në televizor unë dëgjova që kinezët do ndërtojnë portin e Shëngjinit, Rrugën e Arbërit etj.
– Lëre Kaso, se ma futi përkthyesi. Për të kursyer, unë nuk mora me vetë përkthyes. Përdora si përkthyes një kinez që kishte studiuar në Shqipëri në kohën e shokut Enver…
– Dhe?
– Dhe ai ma futi Kaso. Mora vesh që përkthyesi, kur ishte student në Shqipëri, kishte fiksim një vajzë. Ajo nuk e donte kinezin. Ky tani, për t’u hakmarrë ndaj nesh, ma futi. Unë u thosha qeveritarëve kinezë: “Ejani investoni!”, përkthyesi u thoshte: “Nuk kemi nevojë për investime”. Njeri më hakmarrës se ky përkthyes, nuk kam parë Kaso. Dhe për se? Për një femër. Po kot nuk thonë: femra të merr në qafë.
– Ashtu është, zoti Ahmetaj. Femra…
– Po kur i thashë përkthyesit o Kaso: “Dua të na ndërtoni Rrugën e Arbërit”, përkthyesi, në vend që t’u thoshte qeveritarëve kinezë të na ndërtonin Rrugën e Arbërisë, u tha: “Qeveria shqiptare shpreh dëshirën e saj që të ndërtoni Rrugën e Kalabrisë”. Të nesërmen, plasën shkrimet në gazeta: Zoti Ahmetaj, një patriot i vërtetë. Kërkon të ndërtohet Rruga e Kalabrisë, për arbëreshët.
– Sa kohë ndenje në Kinë, zoti Ahmetaj?
– 3 muaj.
– Si 3 muaj? Pse kaq gjatë?
– Eh, mo Kaso! Sa kam vuajtur unë atje, shpirti ma di. Kur po nisesha të kthehesha me delegacionin shqiptar, unë mbeta atje. Ma futi përkthyesi prapë. E përse? Për një femër. U tha atyre në aeroportin e Pekinit, që unë nuk isha shqiptar, por vietnamez.
– Dhe ata të aeroportit e besuan?
– E besuan the!? Nga mos ta besonin. Unë si vietnamez ngjaj! U bëja be që s’isha vietnamez, po ku besonin ata?! Pasaportën ma kishte marrë përkthyesi kinez, e kishte fshehur. Më morën e më futën në kampin e refugjatëve… Ç’kam hequr, Kaso! S’e kisha mendjen te vetja aspak. “Si do shkojë Shqipëria, mendoja. Si do t’i venë punët zhvillimit ekonomik të vendit?”. Në situata të vështira, Kaso, njeriu veç te vendi e ka mendjen…
– Shyqyr që u ktheve zoti Ahmetaj. Po investimet, si venë?
– Investimet, mysybet! S’kemi potenciale, ne Kaso, kot mburremi. Doja unë, për shembull, të lidhja një kontratë me të huajt për një park energjetik me erë? S’e lidha. Nuk ka erë këtu, Kaso dhe më akuzojnë mua pastaj që nuk e lidha se doja ryshfet dhe kjo punë mban erë. Por kam edhe një problem, Kaso…
– Çfarë problemi?
– Me shtimin e emrit të ministrisë time, vetëm të shkruash emrin, zë gjysëm faqeje. Tani, më thuaj mua, Kaso, ku do t’i shkruaj detyrat për vartësit unë ?! Mbetet vetëm gjysëm faqeje letër që të shkruaj.
– Po përdor letër tjetër, zoti Ahmetaj!
– Kaso, mos harro se unë jam nga Gjirokastra dhe jam kursimtar. Po harxhuam letrat kështu si thua ti, shkatërrojmë ekonominë e vendit, Kaso…
Bisedoi me shaka KASO KOSA
(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)