Bisedë Shpirtërash
Pjesa e parë
A…
Ka raste kur njeriu ka nevojë të flejë…
thjesht të flejë si i vdekur..!
Pa e shqetësuar as ëndrra më e bukur…
se, edhe bukuria është trazim shpirtëror…
Y…
Shumë herë njeriu ka dëshira të tilla
të flejë në pafundësi
ama gjumi është krijuar për ëndrrat
siç është krijuar njeriu për dashuri.
A…
Shumë herë dëshirat e njeriut
groposen thellë në pafundësi…
a mos është nata ajo që i shuan ëndrrat
kur bie në gjumë si “i vdekur” në përjetësi”?
Y…
Njeriu gropos vetë dëshirat e veta
atëherë kur mundohet t’i fshihet dashurisë
nuk mund t’i shuajë ëndrrat, dita as nata
gjumi ka ëndrra të bukura
por të vërtetat i prek veç shpirti i lirë.
A…
O ti bukuri, o Yll që natën e bën ditë
si mund të flasësh për shpirt të lirë,
kur në ëndrra nuk gjen qetësi
dhe në shpirt trazime ka
nga e ëmbëla dashuri?
Dhe… nga bota jo nuk fshihet
bota atë vetëm sa e vë në gjumë,
por ka frikë të ëndërrojë sërish
se netët pa hënë e lodhin shumë!
Y…
Një shpirt i lirë s’pyet për vuajtje
sfida, dhimbje a trazime ëndrrash
vetëm te dashuria e gjen lirinë
arrin të zbulojë çmenduritë e fshehura.
Nëse bota gjumin e do
le të flejë, kurrë të mos zgjohet
në netët pa hënë, mos u ligështo
drita e një ylli, shpirtit tënd i dorëzohet
A…
Kush je ti? Hënë, yll apo mister i pazbuluar?
pse më flet për të miat ëndërrime?
Ti nuk njeh, veçse ndjenjat dashurisë dorëzuar
ndaj fshehtësitë e mia
nuk i zbulon dot me të tuat ndriçime… Ylli Jahaj dhe Adja Omidvar
NËNË
Ah, moj nëna ime, çdo njeri thotë
Ah, moj nëna ime, pse larg të kam sot.
Si një tufë me lule s’të prura dot?
Si s’të përqafova e me ty s’ndenja, Zot?
Të më falësh për thinjat që të kam shtuar
Të më falësh që shumë herë s’të kam dëgjuar.
Të më falësh për hallet që të kam shtuar
Po ta dish gjithë jetën të kam adhuruar!
Zëri yt i ngrohtë më shoqëron kudo
Të dua me gjithë shpirt, e di, apo jo?
Për ty, vargje pa fund shkruaj
Ty, dua të të shoh të lumturuar…
Ti e ëmbla, e mira, e buta ime
Nga zemra më burojnë mijëra urime
GEZUAR FESTËN e festë paç gjithmonë
Je nënë e nderuar, krenaria jonë. Tefta Rrakulli