E nderuar redaksi e gazetës “Intervista”! E lexoj vazhdimisht rubrikën e rrëfimeve të ndryshme të lexuesve. Ndjej keqardhje sepse lexoj histori e fatkeqësi nga më të ndryshmet, por kjo e imja më erdhi vetëm nga mirësjellja, të cilën ma kanë rrënjosur prindërit në gjak.
Kam mbaruar fakultetin në Tiranë në vitin 1992 dhe kam filluar punë në një ministri qëkur mbarova shkollën. Këtë vend pune e fitova falë miqësive të një burri babaxhan, i cili më vonë do të bëhej vjehrri im.
E kisha njohur këtë burrë babaxhan kur isha në vitin e parë të fakultetit, pasi shoqja ime e kishte komshi. Kur shkoja të takoja shoqen time, e thërrisja poshtë ballkonit e përshëndeteshim edhe me zotërinë. Ai dilte në ballkon herë për punë e herë sikur bënte punë dhe ne përshëndeteshim pothuajse gjithmonë. Në shkollë kam qenë studente e mirë, fakultetin e kam mbaruar me mesatare tetë. Edhe shoqja ime ishte studente e mirë dhe koha kur kam qenë unë në fakultet ishte një çmenduri e vërtetë sepse rastisëm edhe në kohën e ndërrimit të sistemeve, prindërit ishin të frikësuar se “po na ikin fëmijët nga Shqipëria”, por edhe më të frikësuar ishin ata që u kishin ikur ndërkohë, sepse nuk e dinin se ç’gjenin andej fëmijët e tyre. Por, unë isha vajzë dhe as që çoja nëpër mend të ikja. Kështu, fakultetin e mbarova duke patur të njëjtën shoqe dhe duke u përshëndetur me zotërinë vazhdimisht. Tashmë, edhe kur rastiste të shikoheshim rrugëve të Tiranës ndaleshim e përshëndeteshim me njëri-tjetrin.
Shoqja ime i kishte thënë se unë isha studente shembullore, se isha vajzë për shtëpi e shumë fjalë të mira dhe për këtë isha e sigurt, sepse zotëria më fliste sikur po i varej jeta nga unë. Kur isha në vitin e tretë në fakultet shkova të kërkoja shoqen time dhe në ballkonin e komshiut nuk doli vetëm zotëria, por edhe një djalë i ri, i pashëm, që të merrte në qafë. U përshëndeta me zotërinë si gjithmonë, ula kokën dhe mezi po prisja të dilte shoqja ime që të zhdukesha nga aty. Nuk e kuptova se nga më erdhi kjo, por u kujtova që shoqja ime më kishte treguar për djalin e komshiut.
Të nesërmen, shoqja më tha se donte të më prezantonte me djalin e komshiut sepse i kisha pëlqyer jo vetëm të atit, që më ruante prej tre vitesh, por edhe djalit të sapokthyer nga mërgimi. Ai kishte mbaruar Inxhinieri dhe sapo kishte mbaruar fakultetin, kishte ikur në Greqi, me idenë se do të gjente diçka më të mirë se në Shqipëri. Në fakt, i kishte ecur mirë. Kur erdhi, babai kishte menduar t’i gjente nusen (që isha unë) dhe ai bleu shtëpinë me paratë që kishte fituar atje për tre vite pune të lodhshme. Unë, pasi më tha shoqja se kush do vinte të na merte pas leksioneve, fillova të emocionohesha duke ndier edhe të nesërmen atë shikimin që kisha ndier ditën më përpara nga ballkoni. Kur dolëm për në shtëpi, në rrugë po na priste zotëria bashkë me djalin. U ndalëm, zotëria më përshëndeti si gjithmonë dhe tha:
– Gimi është djali im, që fatmirësisht ka vendosur të kthehet në Shqipëri dhe sigurisht, mua më duket djali më i mirë në botë. Puna është se unë njoh një vajzë që më duket më e mira në botë dhe dua t’ia prezantoj djalit tim. Dhe kjo vajzë je ti – tha dhe përkuli pak anash kokën sepse e pa që unë u vura në siklet. – Tani, ju mund të shkoni për kafe, besoj ke kohë dhe nuk të prish punë me familjen tënde. Edhe ti Gimi, përcille njëherë vajzën deri në shtëpi dhe ma sill komshijen time shëndoshë e mirë.
Ai më dha dorën dhe u largua duke lënë mes nesh një atmosferë të këndshme, sikur njiheshim prej kohësh. Në u ulëm në një kafe përgjatë rrugës së Elbasanit dhe biseduam të tre bashkë për tema të ndryshme për gati dy orë rresht. Në fillim isha e ngurtë, por fillova të flisja e të debatoja edhe unë me Gimin dhe shoqen time. Vendosëm të çoheshim, Gimi më përcolli mua dhe bashkë me shoqen time u kthyen. Të nesërmen, shoqja ime më tha që Gimit i kishte ikur truri për mua dhe ai kërkonte edhe një përgjigje nga unë nëse isha dakord që ne të takoheshim sërish apo jo.
– Më duket i mirë, – i thashë shoqes sime, – por nuk mund të them që jam e sigurt se si mund të ecë muhabeti dhe nuk mund të të premtoj agjë. Pastaj, duhet të pyes edhe familjen time.
– Po sigurisht që duhet të flisni prapë, ta njihni njëri-tjetrin më mirë, të pyesësh familjen tënde e të gjitha këto, por puna është, a pranon ta takosh prapë?
– Mendoj se po, – i thashë dhe ajo m’u hodh në qafë.
– E dua si vëllanë tim sepse më të vërtetë që është djalë i mirë, – më tha ajo.
Atë ditë nuk folëm më për këtë muhabet. Të nesërmen, kur mbaruam leksionet, Gimi më priste jashtë. Ne u takuam të tre dhe pasi u pyetëm me njëri-tjetrin, shoqja ime tha se do të shkonte direkt në shtëpi dhe ne u ulëm në kafe. Kafet tona vazhduan për afërsisht gjashtë muaj. Ndërkohë, Gimi filloi edhe punë. Sapo ai filloi punë, më tha se ne duhej të vendosim se si do ta vazhdonim muhabetin më tej.
– Punë fillova, yllin tim e takova, shtëpinë e bleva e më mbetet vetëm të shkoj në gjendjen civile dhe më pas ta rrëmbej yllin e ta mbaj për vete, – tha dhe një lumë puthjesh të zjarrta më erdhën në moment.
U fejuam kur unë mbarova vitin e tretë të fakultetit dhe sigurisht që isha e lumtur. Vitin e katërt e mbarova pa e ndier fare sepse isha në qiellin e shtatë. Më Gimin në krah, gjithçka merrte dritë tjetër dhe pasi u diplomova, ne bëmë edhe dasmën. Muajin e mjaltit e bëmë në jug dhe kur u kthyem nga pushimet, vjehrri na tha se më kishte gjetur edhe punë.
– Këtë punë nuk e ke vetëm falë miqësive të mia moj bijë, por edhe falë diplomës tënde me nota të mira. Isha i nderuar kudo që e dorëzova te shokët e mi. Mendoj se varianti më i mirë është në ministri, – tha ai.
Sigurisht që isha e kënaqur që po filloja punë dhe iu futa me zell për të mësuar dhe për t’i vënë në praktikë ato çka kisha mësuar në shkollë. Lodhesha pak më shumë, por ishte e përballueshme. Isha e re, në shtëpi Gimi m’i kishte bërë gjërat të thjeshta sepse shumicën e orendive i kishim blerë. Më Gimin e kishim vendosur të mos bënim dasëm të madhe as unë te prindërit e as ai në shtëpinë e tij dhe të blinim sa më shumë gjëra, që të mos shtrëngoheshim shumë gjatë.
Por sigurisht që nuk mbetesh pa ndonjë problem, shtëpinë e kishim, bashkëshortin e kisha të mrekullueshëm, në punë shumë të mira ishim të dy. Kishim dy vite martesë dhe unë nuk po mbetesha shtatzënë. Fillova të bëhesha merak. U vizitova dy-tri herë dhe mjekët më thoshin se isha mirë. Edhe Gimi bëri nja dy analiza dhe ai doli mirë. Kjo gjendje që kishte filluar të më ngacmonte nervat pa fund, zgjati pesë vjet. Gjatë kësaj periudhe, lidhjen dhe dashurinë tonë e mbajti gjallë vetëm këmbëngulja e Gimit, qetësia e tij për të më duruar mua. Më në fund, Zoti na gëzoi. Një të diel, sapo u zgjova, bëra një mëngjes ndryshe nga herët e tjera dhe po prisja që edhe Gimi të zgjohej. Kur ai erdhi në kuzhinë, po më shihte me dyshim se ç’kishte ndodhur dhe pa e lënë të mendohej gjatë, i dhashë në dorë një dhuratë të mbështjellë me shumë kujdes.
– Kam harruar ndonjë përvjetor, datë apo çfarë? – tha ai dhe u mek nga “pakujdesia” e tij.
– Hape, – i thashë dhe tundesha si vajzë shkollë.
E hapi dhe më mbërtheu në krahë, më puthi e më nduku si asnjëherë tjetër, kur pa se çfarë i kisha dhuruar. Ishte një badi bebesh, ishte mënyra për t’ia thënë se isha shtatzënë.
– Ky po që është lajm, do bëhem baba! – bërtiste dhe qeshte.
– Mami, hajde hamë tani, – tha dhe më kapi në krahë e më uli për të ngrënë.
Sigurisht që lajmi ishte shumë i mirë për familjen e Gimit dhe timen. Shtatzania shkoi mirë dhe unë linda një vajzë bullafiqe që solli veç gëzim në shtëpinë tonë. Njeriu që kishte më shumë debulesë për të ishte gjyshi. Vinte çdo ditë ta puthte, ta përqafonte, të lozte me të. Kur vajza u bë tre vjeçe, unë mbeta sërish shtatzënë dhe linda një djalë. Thashë që në fillim që jeta më ka ardhur e këndëshme dhe nuk jam lodhur shumë për të arritur deri këtu. Bashkëshorti më ka ndihmuar dhe më ka mbështetur. Familja e tij dhe e imja së bashku më kanë ndihmuar për të rritur fëmijët dhe kam patur kohë të merresha edhe me veten. Pastaj, të qenit në punë në një dikaster të rëndësishëm, do të thotë që gjithmonë kam patur rrogë të mirë dhe jam mbajtur mirë. Ndërkohë, edhe unë në punë u bëra shumë e zonja, asnjëherë nuk kam patur probleme në zgjidhjen e problemeve të ndryshme. Edhe me ndryshimet e shumta të pushteteve si e majta me të djathtën, nuk kam patur probleme serioze për arsyen e vetme sepse isha shumë e zonja në punën time.
Por kjo rehati, nuk mund të jetë përjetë e imja. Para katër vitesh, na u ndërrua shefi i zyrës. Ne, zakonisht, kemi patur shefe (femër), por këtë radhë na sollën shef (mashkull). Për nga natyra nuk jam ndonjë muhabetqare e madhe, por puna të detyron të flasësh. Pastaj, kur je çdo ditë në të njëjtën zyrë me të njëjtin person gjatë tetë orëve, edhe mund të flasësh. Ne ishim tri gra dhe shefi në zyrë.
Shefi në fillim na fliste njësoj të trijave, por shumë shpejt filloi të bënte diferencime. Filloi të fliste shumë më shpesh me mua, të bënte shaka me vend e pa vend, me gjithë tërheqjen time gjithmonë e më të theksuar. Situata po bëhej e padurueshme. “Zotëria” gjeti momentin një ditë në zyrë kur të dyja koleget e mia mungonin dhe më tha se i pëlqeja shumë.
– Jam e martuar, kam një burrë të mrekullueshëm dhe kam dy fëmijë që nuk dua të ndihen të turpëruar kur të prezantohen si fëmijët e mi, – i thashë dhe u ktheva nga kompjuteri.
– Edhe unë jam i martuar, kam një grua jo të mrekullueshme si ti, kam një djalë dhe prapë ti më çmend. Dua të jesh edhe imja, – më tha dhe u afrua te tavolina ime.
– Të lutem, mund të largohesh nga tavolina ime ose unë mora çantën e ika!
– Nuk ke nga të shkosh, – më tha, – është akoma ora dhjetë dhe unë nuk të kam dhënë leje që të ikësh, kështu që do të bëjmë muhabet bashkë dhe nuk është e thënë të bëjmë vetëm muhabet, mund të bëjmë edhe gjëra të tjera, – tha dhe më zgërdhihej si djall.
– Do iki, se jam sëmurë, – i thashë. Arrita të merrja çantën dhe të largohesha mes tërheqjeve të tij për të më përqafuar.
Ika e tromaksur, por në shtëpi nuk tregoja dot. I thashë Gimit se nuk isha mirë dhe ai u mor me fëmijët. U kujdes edhe për mua dhe ma përsëriti dy herë që isha zverdhur si asnjëherë. “Ah, ta dish ti se ç’kam unë!”, mendoja me vete. Mora raport atë javë dhe dy ditët e javës në vijim, por duhej të kthehesha në punë dhe kur u ktheva, shefin e gjeta të xhindosur. Ky tmerr për mua vazhdoi edhe dy muaj të tjerë. Një ditë, kur s’po duroja dot më, i tregova Gimit.
– Kam probleme me punën, – i thashë. – Nuk është se nuk di të punoj, por shefi i ri që na ka ardhur është burrë i ndyrë. Ka kaq kohë që më bie në qafë…
– Çfarë? Pse s’më ke thënë? Çfarë jam unë, teveqel? Tjetri më ngacmon gruan gjithë kohën e unë qetë-qetë, rrugës e në shtëpi?!
– Nuk të kam thënë se kam menduar se ai idiot do ta kuptojë që nuk dua dhe do të më lërë rehat, por nuk po e duroj dot më.
– Atëherë, cilën zgjidhje ke bërë, me mua apo me atë? – më tha.
Sa s’më ra pika nga ajo që dëgjova.
– Si ma thua këtë? Unë s’dua t’ia shoh surratin atij ndyrësire! – thashë.
– Atëherë, jep dorëheqjen që nesër! – dhe e pashë që nuk bëhej fjalë të kundërshtoja.
Të nesërmen paraqita dorëheqjen te drejtori dhe kam tre vjet që jam pa punë, por jam nënë dhe bashkëshorte e lumtur. Jam e qetë se as fëmijëve, as bashkëshortit tim, as prindërve të mi apo prindërve të Gimit, nuk do t’u vijë turp kur të përmendet emri im.
Advertisement