Altini ishte një djalë shumë i mirë dhe mendoj se kjo qe arsyeja pse u dashurova me të. Ishte me shumë edukatë, i urtë dhe i arsyeshëm, me një fjalë, djalë i mirë, ashtu siç janë të pakët djemtë sot. Kurrë nuk ziheshim, sepse gjithnjë binim dakord me njeri-tjetrin. U fejuam dhe e vetmja gjë që na ndante ishte dëshira për të patur fëmijë. Ai i donte sa më shpejt, kurse unë thoja se duhej të mbaroja shkollën më parë, pastaj t’i bënim. Vazhdoja të lartën për mjekësi dhe kisha disa vjet shkollë përpara, plus specializimet. Kalonte koha dhe ne shkonim mirë me njeri-tjetrin. Sigurisht, shkoja në shtëpinë e tij kur kishim pushime në shkollë dhe i njihja të tërë. Altini ishte shumë i lidhur me të ëmën, e cila bëhej copë për fëmijët e saj. Dukej grua e vendosur dhe e fortë, megjithëse pak konservatore, ndërsa i ati ishte më i butë. Me sa dukej, zëri i saj dëgjohej më shumë në familje. Ata jetonin në një qytet të Jugut, ndërsa unë dhe Altini vazhdonim shkollën në Tiranë, ku edhe ishim njohur. Në çdo udhëtim që bëja, sa herë shkoja në shtëpinë e tyre, ndjeja se prindërit e tij më qëndronin pranë. Kuptova se Altini i kishte ngjarë shumë të ëmës, kishte trashëguar prej saj gjykimin e shëndoshë. Vura re gjithashtu se, si ai, ashtu edhe i vëllai dhe motra e tij, ndikoheshin shumë prej së ëmës. Unë mendoja se Vangjelia (kështu quhej e ëma) do të ishte vjehërr shumë e mirë, derisa një ditë…
Kishim planifikuar të kalonim pushimet e verës në shtëpinë e Altinit. Gjithashtu, kishim folur me njëri-tjetrin për jetën tonë dhe kishim vendosur që, kur të mbaronim shkollën, të qëndronim në Tiranë. Unë vetë jam nga Tirana dhe nuk më ka pëlqyer kurrë të lë qytetin tim, për të shkuar në një qytet tjetër. Pastaj, Tirana të ofron edhe më shumë mundësi, për më tepër edhe Altinit i pëlqente kjo ide. Ishte hera e parë që do të rrija kaq gjatë në shtëpinë e Altinit. U çudita kur pashë se vjehrra na vuri të flinim në dhoma të ndryshme, me preteksin se kishte ftuar në shtëpi edhe vëllanë e saj, i cili do të flinte me të fejuarin tim. Sidoqoftë, unë nuk kundërshtova, për të mos krijuar një klimë të keqe në familje. Mendova se natën Altini mund të vinte në dhomën time, por për çudinë time të madhe, a nuk e bëri. Më tha se nuk mund të vinte. Daja i tij ishte plak dhe nuk do ta kuptonte këtë vajtje natën te dhoma e së fejuarës, ndërkohë që nuk ishim martuar akoma. Më tha edhe se e bënte për respekt ndaj tij dhe mamasë. Në ditët që vijuan, vura re se marrëdhënia e Vasilikës me të bijtë ishte më shumë ajo e sundimit dhe kontrollit. Vëllai i madh i të fejuarit tim bënte ç’i thoshte e ëma dhe e shoqja, kunata ime, dukej se ishte mësuar me këtë situatë dhe nuk i bënte më përshtypje që s’i dëgjohej zëri në familje. Gjithçka bëhej në heshtje, por ishte e qartë se as miza nuk lëvizte në shtëpi pa lejen e sime vjehrre. Një herë, kur ra muhabeti, Vasilika më tha se Altini kishte pasur dhe disa lidhje të tjera më parë, por nuk ishte lidhur me ato vajza sepse asaj nuk i ishin dukur të përshtatshme për të birin. Atë natë nuk mbylla sy, jo vetëm se isha vetëm, por sepse më rëndonte diçka në gjoks, që më dukej sikur po më merrte frymën.
Pas disa ditësh, Vangjelia na tha të dyve se mezi priste që ne të dy të mbaronim shkollën për të jetuar në shtëpi me të. Ajo na tha se na kishte caktuar edhe dhomën ku do të flinim, të cilën do ta rregullonte kur të vinte koha. Ajo e quante të sigurtë vajtjen tonë atje, meqë djali i madh jetonte veç, kurse e motra do të martohej një ditë… Mbeta si e ngrirë, sepse mendoja se i biri i kishte treguar që ne të dy donim të jetonim në Tiranë. Kur ia thashë këtë me zërin që më dridhej, Vangjelia më siguroi se “kështu do të jetë më mirë për të gjithë. Kështu unë do të mund të rris fëmijët tuaj”. I fejuari im, që ishte ulur përballë meje, nuk guxonte të më shihte në fytyrë. Gati sa nuk shpërtheva, por e mbajta veten në momentin e fundit, sepse mendova se këtë kërkonte edhe ajo. Mërmërita diçka për të ndërruar muhabet dhe nuk fola më gjithë darkën. Më vonë, kur fola me të fejuarin tim, më kërkoi që të mos bëja skandal, se kur të shkonim në Tiranë do të sqaronim gjithçka dhe m’u lut të mos krijoja zënka të kota.
Pa më rënë në sy, Vasilika më shpalli luftë. Çdo gjëje që thosha unë, i përgjigjej me një buzëqeshje të përzemërt, por dukej që priste të hidhja një hap të gabuar ose të mos i mbaja dot nervat. Nga ana tjetër, edhe unë numëroja ditët për t’u kthyer në qytetin tim dhe buzëqeshja me zor. Altini mundohej të shmangte përballjet tona, por Vasilika gjente rast kur ai ishte vetëm, për të më kritikuar pas shpine. Kulmi qe kur u mundua t’i mbushte mendjen se më kishte parë duke i hedhur vështrime një djali në plazh, një pasdite që i biri kishte dalë për një punë, pastaj që kisha dalë me të, ndërkohë që gjoja kisha thënë se do shkoja në pazar. E tha si pa të keq në tavolinë dhe më vonë u mundua t’i mbushte mendjen të birit, por ajo nuk e dinte se atë pasdite unë dhe i biri kishim vajtur të dy në një motel, se nuk po duronim më larg njeri-tjetrit. Më e keqja ishte se i fejuari im nuk donte të pranonte se çfarë kishte bërë e ëma! Diskutuam dhe me tha se duhej të mendonim edhe një herë për faktin që do të banonim në Tiranë dhe më tha se, përsa u përkiste fëmijëve, nuk mund të prisnim aq gjatë, sa të mbaroja unë specializmin. Më tha se nuk duhej të shqetësohesha për shkollën, pasi ai kishte para dhe mund të më mbante në shtëpi edhe pa punë fare! Fliste ai, por fjalët ishin të vjehrrës sime. U zumë atë ditë për herë të parë në jetën tonë, por kësaj radhe, asnjë nuk hiqte dorë nga e tija. Ditët e mëpasme u mendova shumë për të ardhmen time me atë djalë. Me sa dukej, ai nuk kishte ndërmend të bënte me kokën e vet dhe gjithmonë do të ishte nën ndikimin e së ëmës. Kur u kthyem në Tiranë, i thashë se nuk ishim dakord mbi shumë gjëra dhe ishte më mirë të ndaheshim. Ngeli një moment pa folur, pastaj uli kokën dhe pranoi edhe ai ndryshimet e mëdha që kishim. U ndamë dhe secili shkoi në punë të vet.
E gjitha kjo ndodhi para disa vjetësh. Unë mbarova shkollën dhe kam filluar specializimin për pediatre, degë që më pëlqen shumë. Altini, mora vesh se është kthyer në qytetin e tij, bile këtë verë e pashë në plazh. Unë isha me një djalë me të cilin jam njohur prej disa kohësh, kurse ai me dy fëmijët e tij dhe me gruan, një vajzë simpatike dhe të urtë, e cila në pamje të parë dukej shumë e bindur. Nën hijen e çadrës të plazhit pashë edhe të ëmën, Vasilikën, e cila më pa dhe filloi t’u thërriste të nipërve. Mbase është thjesht imagjinata ime, por m’u duk sikur nënqeshi me ironi me cepin e buzës…
Advertisement