Periudha e shkollës ka qenë më e bukura në jetën time. Ka shumë që nuk e mendojnë kështu, sepse shkolla të streson, por veç kësaj, nuk ka gjë më të bukur sesa të jesh në shoqëri shkolle. Unë kam qenë nxënëse e mirë, ndonëse jo gjithmonë kam dhënë maksimumin. Pasi mbarova shkollën e mesme, ika nga qyteti im dhe vazhdova studimet e larta për Psikologji, një degë shumë e bukur, që jo vetëm e pëlqeja, por edhe e ndjeja se ishte e përshtatshme për profesion në të ardhmen time. Sot, kur kam mbaruar studimet dhe ëndrrat që i ushqyem për vite në bangat e shkollës, u vanitën, gjendem përpara një fakti: Të kesh një punë, mund të konsiderohet luks i tepruar. Jam katandisur në një shtëpiake të dëshpëruar edhe pse kam sakrifikuar bashkë me familjen time për të studiuar, me shpresën se një ditë gjëra do përmirësohen dhe ndoshta do gjendet ndonjë mik për të më rregulluar me punë, se ndershmërisht, nuk bëhet fjalë. Gjithsesi, kujtoj vitin e fundit të shkollës kur stresoheshim për provimet e fundit përpara se të hynim për të marrë diplomën. Më ndodhi diçka që jo vetëm më bëri të ndihesha keq, por m’u desh edhe të shtyja diplomën për disa muaj.
Atë sezon provimesh e kishim marrë me frikë edhe sepse ishte i fundit dhe vetëm ai na ndante nga diplomimi. Kishim vetëm katër lëndë për të dhënë dhe praktikën. Provimin e parë e kishim jashtë profilit tonë, nga ato lëndët shtesë, që duheshin për të plotësuar numrin dhe që të na shisnin librat. Kisha ndjekur vetëm dy orë të asaj lënde sepse në shumicën e rasteve, pedagogu nuk vinte. Ai ishte një burrë te të 50-at, të cilit i pëlqenin lavdërimet dhe në ato pak orë me të, nuk bëmë shumë mësim. Megjithatë, ditën e provimit, ai jo vetëm që u tregua i rreptë, por edhe një njeri imoral. Atë ditë kapi disa studentë me kopje, se ruante si një mace që gjuante minj. Unë kisha bërë kopje, por as që pata mundësi ta hapja, nga frika se mos digjesha kot. Megjithatë, qeshë me fat, sepse më ranë pyetje që i dija dhe njërën ma treguan në minutat e fundit. Kështu, isha e qetë e nuk rrezikoja. Ndoshta nuk do të merrja notë të lartë, por ishte e sigurt që nuk do të ngelja. Pasi dhamë edhe dy provimet e tjera, na mbeti edhe një provim. Atë sezon e bëra aty dhe nuk shkova në shtëpi, duke menduar se më shumë do më vente rrugë sesa kohë për studime. Gjatë kohës që studionim, ne shkonim edhe në universitet për të marrë përgjigjet e provimeve që kishim dhënë. Korridoret ishin plot me studentë që prisnin përgjigjet. Pedagogu erdhi dhe ne të gjithë i turreshim nga pas, për përgjigjen.
Notat as që ishin të larta dhe shumë, kishin ngelur. Kur erdhi radha ime dhe më tha “katër”, shtanga në vend. Doli nga klasa dhe tha: “Kush nuk është i kënaqur, të vijë te zyra. Ejani një nga një”. U radhitëm gati 7 veta te dera e zyrës ku do të kontestonim notën. Hynë disa dhe dolën të kënaqur. “Hajt, se ka shpresë”, thashë me vete. Kur erdhi radha ime, hyra dhe po i thosha që i kisha bërë të sakta përgjigjet, ndoshta nuk meritoja maksimalen, por jo të ngelja. Ai hoqi syzet dhe filloi: “Dëgjo, nuk i ke bërë saktë… Ti je kaq e bukur… Pretendoja më shumë nga ti…”. Ai vazhdonte të lëvizte fletët e provimit, sikur do të gjente ndonjë gjë kushedi se çfarë aty. Pastaj mbylli fletoren, po më vështronte në sy dhe më tha: “Shiko, nëse ta rregulloj notën, ti çfarë do të bësh për mua?”.
Shtanga sepse as që e prisja këtë gjë. Si mund të m’i thoshte mua ato fjalë? E pashë si me çudi, duke menduar se po bënte shaka. “Çfarë do bëj unë për ju?”, e pyeta. “Gjithë kjo vajzë e bukur, mos më thuaj që nuk ke fantazi”, vazhdoi ai.
E përmbajta veten duke e harruar fare provimin dhe e tensionuar, iu drejtova: “Asgjë nuk do të bëj për ju profesor, edhe sikur të më duhet të vij 20 herë për këtë provim”.
Ai më pa pa u ndjerë aspak në siklet nga fjalët që tha dhe unë i ktheva shpinën e u largova. Te dera më pyetën se çfarë ndodhi, por nuk i fola asnjeriu. Vetëm shoqes sime tregova për atë që më kishte ndodhur. Isha shumë e stresuar dhe mendo që po atë ditë kishim edhe provimin e fundit dhe fillonte diploma. “O Zot, thashë, hajt të jem në gjendje të bëj provimin me këtë stres”. Mendova “të vejë ku të vejë”, nuk bëhej fjalë më për diplomë, se ai fytyra ma nxiu. Fillova të frikësohesha si do t’i vente filli sepse tek ai nuk shkoja e nuk dija kujt t’ia qaja hallin. Edhe provimin e fundit e bëra mes gjithë atij stresi dhe më e çuditshmja ishte se ai ishte provimi më i vështirë dhe atë e mora më me lehtësi. Më gjeti e keqja, nuk e kisha çuar kurrë nëpër mend se mund të më ndodhte mua një gjë e tillë! Kisha kaluar gjithë ato provime të vështira dhe ia kisha dalë mbanë. Dhe, të mendosh se një pedagog që më jepte një lëndë e cila nuk ishte as një lëndë zanati, sillte problem të tilla! Mendoja: “Ç’lloj njerëzish janë që mendojnë të ngacmojnë një vajzë në moshën e fëmijës së tyre?!”.
Kur dilja për kafe me shoqet, e diskutonim këtë… Disa më këshillonim që të veja ta takoja përsëri, se mbase kishte bërë shaka, por unë në mendjen time e kisha vendosur që nuk shkoja t’i lutesha, madje edhe të mitë i kisha njoftuar që nuk e kisha marrë atë provim. I thashë “lamtumirë” diplomës për atë sezon. Një ditë vajta me shoqet për të pyetur në sekretari… Të pyesësh në sekretarinë e fakultetit, është sikur të pyesësh në sekretarinë e shtetit se sekretaret nuk të japin përgjigje për asgjë, megjithatë, atë ditë qenë me të mira. Iu luta të më shikonin pak një provim dhe, megjithëse sekretarja ma përsëriti tri herë që notat i jep vetëm pedagogu, ma tregoi. Pas gjithë atij stresi dhe frike, i famshmi profesor që kërkonte të dinte se çfarë mund të bëja për të, më kishte kaluar, madje më kishte vënë 7! Ngela pa fjalë! Ja, që e kisha marrë! Edhe pse e mësova me vonesë dhe e humba atë sezon diplomimin, prapë u lumturova. Nuk arrija ta besoja se kjo ishte e vërtetë. Shoqet filluan të talleshin dhe më thoshin se me siguri, ai kishte bërë shaka, por unë e di shumë mirë se ai, edhe shumë vajzave të tjera mund t’ua ketë bërë një presion të tillë. A do të kenë patur guximin ato t’i përgjigjen në të njëjtën mënyrë si unë?! Kushedi sa të tjera kishin rënë pre e presionit të atij maskarai që quhet pedagog…
Advertisement