Ajo është femra që kurrë nuk e ka vrarë mendjen të ecë konform rregullave të vëna nga shoqëria, përkundrazi, i ka përbuzur ato dhe çuditërisht, në mënyrën e saj, gjërat nuk i kanë ecur keq. Ia ka dalë të jetë në krye, më e kërkuara në koncertet brenda dhe jashtë vendit (me data të zëna që 6 muaj më parë), më e komentuara në media sa për veshje-zhveshjet, të qenit në formë të plotë, pavarësisht së është nënë e dy fëmijëve, për jetën luksoze, por edhe për bamirësinë, së cilës Gjystja i ka kushtuar gjithnjë rëndësi të veçantë në listën e gjërave për t’u bërë në jetë. Për të gjitha këto dhe të tjera, këngëtarja flet në këtë intervistë “pa doreza”, si personi për të cilin do të ketë gjithnjë një arsye të flitet. Ndoshta kjo shpjegon dhe lidhjen e veçantë me fansat, që e kanë Gjysten kaq “të shtrenjtë”.
– Gjyste, ke kaq shumë publik, që të ka shumë për zemër edhe pas kaq vitesh në skenë… Mjaft të përmendim fansat që të bëjnë dhurata, të dërgojnë pusulla, lule, të dedikojnë poezi… Si të bën të ndihesh e gjithë kjo?
– Unë i jam shumë mirënjohëse publikut tim të dashur pasi prej tij jam sot kjo Gjyste që jam, jam në këtë fazë të jetës. Fansat e mi janë rritur bashkë me mua, kanë ndjerë shpirtin tim në këngët e mia, tekstet e të cilave shpesh i shkruaj vetë, kanë gjetur veten aty e kjo pastaj sjell atë afeksionin për të cilin po flasim. Është reaksion i ndërsjelltë, ata marrin dashuri e kjo dashuri më kthehet po prapë mua, kështu që jepni vetëm dashuri, njerëz. Është e vetmja që na bashkon, na bën më të lumtur, më të bukur, na bën njerëz, mbi të gjitha.
– Ne të gjithë ndryshojmë me kohën… Ti, në çfarë ke ndryshuar për mirë dhe në çfarë, për keq në jetë?
– Unë them se njeriu në thelb s’ndryshon kurrë, por jeta na sprovon çdo ditë, kështu që nganjëherë ndryshoj vetë për të mirën e të tjerëve, nganjëherë ndryshoj me qëllim, dal nga binarët që tjetri ta kuptojë se është gabim, i bëhem pasqyrë. Koha na ndryshon dhe unë pajtohem me këtë, pa marrë parasysh a kam ndryshuar për mirë a për keq. Kurrë s’mundemi me qenë të mirë me gjithkënd.
– Cila fazë e jetës të duket e largët dhe të bën për të qeshur sot?
– Momentet e jetës që kanë qenë të bukura në përgjithësi, kur kemi bërë qejf si të marrë me shoqëri, këto raste i kujtoj me kënaqësi, ndonjë rast kur kam bërë ndonjë budallallëk të vogël, kuptohet, atëherë kur isha shumë e re. Sidomos më bën gjithmonë për të qeshur faza e adoleshencës sepse bëja ato që dëshiroja unë të parat, ndërsa harroja detyrat që m’i jepnin halla apo gjyshja. Kisha një kasetofon dhe gjithë dita më kalonte duke dëgju muzikë e hallën e pengonte ndonjëherë kjo, se nuk e ndihmoja. Pastaj më ndiqte me thupër e unë i ikja me vrap. E ke parasysh, si ajo “e nxuni macja miun”. (Buzëqesh)
– Në punë, ndihesh e rrethuar nga njerëz të mirë apo nga inate, bërryla dhe xhelozi?
– Profesioni më ka sprovuar në këto situata sidomos në fillim të karrierës. Tani mund të rastisë, ama kam kujdes se me kë bashkëpunoj. Nëse dikush më ka inat, mua asgjë s’më bën, veçse i shkakton dhimbje e nervozitet vetes së vet. Logjikisht, unë nuk mund ta di se kush ka xhelozi, inat apo çfarëdolloj ndjesie tjetër ndaj meje.
– Cilin prej kolegëve e admiron për vlerat artistike?
– Janë mjaft, por po ceki Danin.
– Për ty, injoranca më e madhe qëndron në faktin që…
– Dikush s’e kupton kurrë realitetin.
– Sa ndikim ka patur mami te vajza? A po rritet edhe Roza, një femër e guximshme dhe moskokëçarëse si mami Gjystja?
– Mami është moskokëçarëse ndaj njerëzve që sendërgjojnë gënjeshtra për mu, ndaj atyre që më shpifen. Unë kam një moto: “Dëshira e ligë e të tjerëve s’mundet kurrë me të njollos, as me të ndryshu, ia kam frikën veç Zotit”. Mjafton që jam e pastër nga ato paragjykimet e ca njerëzve dhe s’çaj kokë se çfarë flasin inatcinjtë. Roza është e re akoma, akoma pyet mamin dhe babin për çdo gjë, ka një përkrahje të fortë nga ne, ka besimin tonë, lirinë, edukatën dhe nga këto është e qëndrueshme, vajzë e ndershme, e sjellshme. Jemi shumë të kënaqur me të. Nganjëherë shamatohem me të se edhe ajo, si mami kur ishte në moshën e saj, rri gjithë ditën me kufje në vesh.
– Cilat janë ato cilësi që mendon se e bëjnë një femër tërheqëse?
– Mendoj që duhet të ketë 60 % të bukurisë, sy të bukur të cilët nuk i shërbejnë veç për me pa, por edhe për komunikim, qëndrimi, sjelljet, mënyra se si komunikon, paraqitet, stili në përgjithësi… Duhet të ketë edhe vetëbesim, prandaj edhe thonë: “Nuk është e bukur, por tërheqëse”. (Qesh)
– Nëse do të ishe një nga protagonistet e “Sex and the citty”, cilën do të zgjidhje?
– S’di, ndoshta asnjërën e ndoshta të gjitha nga pak. (Buzëqesh)
– Çfarë mendon Gjystja për seksin?
– Seksi është për mua një kënaqësi, ndjenjë e veçantë e një çifti të dashuruar, që s’funksionon natyrshëm pa të.
– Fjalët e pahijshme i përdor më shumë në përditshmëri apo në krevat?
– Kur nervozohem. (Qesh)
– Cila është e shara më e keqe që mund të thuash?
– Nuk e tregoj. (Qesh)
– Çfarë mendon për ato femra të cilave u pëlqen dhuna?
– No coment!
– Çfarë do të thotë për ty fjala “katundare”?
– Këtë fjalë e përdorin shumë shpesh dhe është shumë gabim! S’mund t’i thuash katundare një vajze që lind e rritet në qytet, sepse nëse s’i punon ashensori, s’di të zbresë shkallëve pa ia zgjat dorën mami. (Qesh) E përdorin njerëzit që s’dinë se po fyejnë prejardhjen e vet, po fyejnë një femër punëtore, të fortë, e cila në mungesë të kushteve për shkollim, e çon jetën në katund, pa marrë parasysh si një çobaneshë, një amvisë, një nënë, një gjyshe, një femër bujare etj. E përdorin gjoja për ato vajzat si dikur kohëve të stërgjysheve tona që s’kanë dalë jashtë katundit tërë jetën e kësisoj, janë të paemancipuara. Në vend që t’i thonë “injorante” apo “naive” dikujt që duan ta shajnë, i thonë “katundare”.
– Çfarë kujton nga ëndrra e një nate më parë? Beson në domethënien e ëndrrave?
– Shumë shpesh më paralajmërojnë ëndrrat dhe kur e shoh atë lloj ëndrre, se tashmë e dalloj ëndrrën nga tjetra, e di 100% që diçka e keqe ka me ndodh dhe asnjëherë s’kam pas rast që nuk më ka tregu diçka. Para ca kohësh, pashë një ëndërr të gjatë, sikur isha në Kosovë dhe pashë gjyshen e vjehrrën, kur në një moment nga pakujdesia ime i lëndoi syrin dhe m’u duk se syri i saj pikonte një lloj uji dhe u shterr, mbeti pa sy. Në mëngjes ua tregova ëndrrën motrës dhe Rozanës, duke i porositur që t’i hapin sytë dhe të kujdesen për djalin. Në mbrëmje, unë kisha shfaqje dhe ato i lashë në hotel me djalin. Kur u ktheva, Besi ishte gërvisht mu afër syrit, në një karrige. Ndodh edhe që shpesh e shoh të njëjtën ëndërr 3 herë, por është thjesht ëndërr.
– Përdor më shumë para kesh apo kartë krediti?
– Të dyja.
– Cila është veshja më e shtrenjtë që ke në gardërobë?
– Uf, kam mjaft të tilla, aksesorët i kam më të shtrenjtë se fustanet, çantat i kam të shtrenjta, tash i kam ble dy nga YSL. Sa për çmime, kujt i interesojnë modelet që kam unë, i ka në faqen zyrtare të kësaj firme.
– Një ngjarje për t’u përmendur në avion, në aeroport…
– Është e gjatë për ta treguar këtu. (Qesh)
– Hera e fundit që të është dukur vetja jo e bukur para pasqyrës? Pse?
– Nga lodhja, të rraskapiturit, pagjumësia, i them vetes: “Shiko si je bërë, moj dreq!”. (Qesh)
– Një gjë që nuk e ke thënë asnjëherë, por është momenti ta ndash tani me ne?
– Po e lëmë për herën tjetër. (Buzëqesh)