Ky është një problem i shumë grave dhe këtë e konfirmuan më shumë se 80% e lexueseve tona. Megjithatë, ju mund t’i hiqni qafe ato qimet e bezdisshme në buzën e sipërme… ose kudo tjetër në fytyrë. Ekspertët tanë do t’ju tregojnë si ta bëni këtë gjë lehtë dhe pa shumë dhimbje. Lexoni më poshtë:
1. Me dyllë
Pro: Sa hap e mbyll sytë, ju mund të hiqni plot qime nga buza e sipërme dhe t’i siguroni vetes një muaj të tërë pa probleme. Heqja e qimeve me dyllë është shumë efikase për buzën e sipërme. Nëse nuk e bëni dot vetë, atëherë kërkojini ndihmë parukieres suaj, e cila do të jetë e gatshme ta bëjë për një shumë të vogël parash.
Kundra: Heqja me dyllë shkakton pak dhimbje dhe mund të skuqë lëkurën në pjesën e sipërme të buzës. Gjithashtu, duhet të ndërprisni kremrat me retinoide dhe acid glikolik, një javë para depilimit.
2. Me piskatore
Pro: Ju mund të hiqni me piskatore disa qime në buzën e sipërme apo në mjekër dhe do të duket sikur ato nuk kanë ekzistuar kurrë, të paktën për nja dy javë.
Kundra: Keni nevojë për një pasqyrë zmadhuese që t’ju ndihmojë. Heqja me piskatore nuk është shumë praktike nëse keni shumë qime, plus që ajo mund të bëjë që qimet të dalin nën lëkurë, të shkaktojë puçrra dhe gërvishtje, në lëkurat me ngjyrë të errët.
3. Me brisk
Pro: Një zgjidhje e thjeshtë për të hequr qimet më shumicë dhe në zona më të mëdha të fytyrës (për çudi, edhe e përdorur, sipas specialistëve).
Kundra: Nëse qimet rriten shpejt, juve do t’ju duhet t’i rruani ato çdo ditë dhe, nëse prisni lëkurën tuaj duke u rruar, do të ndjeheni në siklet më pas. Gjithashtu, qimet e rruara kanë tendencë të duken, kështu që nuk është një metodë shumë e mirë, përveçse nëse jeni të detyruara, për shkak të sasisë së madhe të qimeve.
4. Me krem depilues
Pro: Kremrat depilues janë të lehtë për t’u përdorur. Aplikoni një krem apo një locion mbi qimet dhe ato do të shkrihen brenda disa minutash.
Kundra: Substancat kimike që përmbajnë këta kremra, mbajnë erë të keqe dhe mund të jenë irrituese. Provojini në një pjesë të vogël të lëkurës (për shembull, te krahët), për t’u siguruar se nuk jeni alergjike ndaj tyre.
5. Për sipërfaqe të mëdha
Nëse keni aq shumë qime sa heqjen e tyre nuk mund ta përballoni dot vetë, mund të merrni parasysh një nga trajtimet e mëposhtme:
Vaniqa: Ky është një krem i lejuar që të përdoret në Europë dhe SHBA, për të luftuar hirsutizmin te gratë. Ai përmban në vetvete një substancë, eflornitinën, e cila pengon rritjen e qimeve, duke bllokuar një enzimë të nevojshme për këtë. Ju duhet ta aplikoni kremin përgjatë tetë javëve, për të marrë rezultatin që dëshironi. Aplikimi bëhet dy herë në ditë. Kremi, ndërkohë, vazhdon të heqë qimet dhe të parandalojë daljen e qimeve të reja. Ky krem kushton 95$ një tubet.
Heqja me lazer: Kjo procedurë redukton qimet me 40-70% pas shumë trajtimeve. Ajo funksionon duke dëmtuar rrënjën e qimes me anë të dritës së përqendruar që lëshon lazeri. Ky i fundit ka më shumë efekt te gratë që kanë lëkurë të bardhë dhe qime të trasha, të zeza, sepse qëllimi i lazerit është të ndikojë te melanina. Megjithatë, me të, mund të trajtosh edhe lëkurat me ngjyrë të errët.
Elektroliza: Kjo është e vetmja metodë e përhershme për heqjen e qimeve në të gjitha tipet e lëkurës. Duhet bërë me shumë kujdes (futet rryma elektrike në çdo rrënjë qimeje, për të shkatërruar rrënjën) dhe ka më shumë rrezik për dëmtime dhe hiperpigmentim (ngjyrosje me tepri) të lëkurës. Numri i seancave varet nga trashësia e qimes.