Kjo që po ju shkruaj është historia ime dhe atij njeriu që para disa kohësh është bërë bashkëshorti im. E dua shumë, jam tepër e lumtur me të dhe dua që e gjithë bota ta dijë se dashuria i kapërcen paragjykimet.
Erjonin e njoha ditën e parë e punës sime në një kopësht privat. Më ra menjëherë në sy ky djalë që kishte vënë një kapele sportive, kishte veshur pantallona të shkurtra dhe mbante në dorë një top basketbolli. Isha futur në oborrin e kopështit dhe nuk e dija se ai që shihja aty do të ishte shefi im. Ai më injoroi për njëfarë kohe dhe më pas më pyeti me një ton paksa arrogant:
“Ti je koordinatorja e programit?”.
Kjo shprehje dhe vështrimi i tij më inatosën. “Kush kujton ky se është?”, mendova me vete.
Kjo ishte përshtypja ime e parë për të. M’u duk një person tërheqës fizikisht, por arrogant. Gjatë asaj kohe as që më shkonte në mendje se do të lidhesha me atë djalë. Ai vinte nga Veriu i vendit, ndërsa unë nga Jugu dhe për prindërit e mi do të ishte e paimagjinueshme një marrëdhënie e tillë.
Ndërsa unë nuk kisha qenë asnjëherë në Veri dhe nuk e kisha fare idenë se si mund të ishin veriorët. Kisha pasur disa persona nga Veriu në klasë gjatë kohës që isha studente, por nuk kisha mundur të lidhja shoqëri me ta dhe për rrjedhojë, nuk kisha krijuar ndonjë ide për botën e tyre.
Por gjithçka ndryshoi kur takova Erjonin. Gjatë asaj kohe as që më shkonte në mendje të lidhesha me ndonjë djalë dhe aq më pak me shefin tim. Me kalimin e kohës nisi të më bënte përshtypje thellësia e mendimit dhe mirëkuptimi i tij, megjithëse vazhdonte të m’i ngrinte nervat mënyra e tij arrogante e komunikimit.
Një ditë në zyrë u zumë aq keq sa i bërtita duke i thënë se duhet të gjente një tjetër koordinatore. Pas disa orësh mora prej tij një SMS ku më thoshte se ne të dy ishim shumë të ngjashëm dhe se atë do ta merrte malli për mua nëse do të largohesha.
Ai mesazh më bëri të dridhesha. E lexova me qindra herë dhe më në fund ia pohova vetes se edhe mua do të më merrte malli për të…
Kështu, u riktheva në punë. Për muaj të tërë vetëm e vështroja vjedhurazi nëpër mbledhje, gjatë kohës që ai nuk e kishte mendjen. Hera e parë kur na u desh të qëndronim vetëm përballë njëri-tjetrit ishte ajo kur shkuam për një trajnim jashtë shtetit. Gjatë gjithë kohës vrisja mendjen se çfarë do të flisnim me njëri-tjetrin dhe ndihesha shumë në siklet… por, ai bëri një gjest që m’u duk sa fëminor, aq edhe i ngrohtë. Ndërsa prisnim në aeroport, ai erdhi pranë meje dhe më kërkoi ta vinte kokën në prehërin tim. Në atë pozicion e zuri gjumi. Isha e habitur, por edhe e lumtur në të njëjtën kohë.
Disa ditë më pas u puthëm për herë të parë. Për të mos pasur telashe, vendosëm që ta mbanim fillimisht sekrete lidhjen tonë. Takoheshim pothuajse çdo mbrëmje në apartamentin e tij, duke qenë se ai nuk jetonte me prindërit. Unë kisha qenë gjithnjë një vajzë e hapur, ndaj edhe varësia ndaj Erjonit më bëri paksa të dobët, por nga ana tjetër, me të në krah e ndjeja se mund të bëja gjithçka.
Dy muaj më vonë ai më propozoi për martesë. Ai e dinte që marrëdhënia jonë nuk mund të vazhdonte pa vënë në dijeni prindërit. Kështu, unë vendosa t’i thosha familjes sime duke menduar se kur t’u tregoja se sa shumë e doja, ata do ta pranonin lidhjen tonë, por babai im refuzoi të flisnim për këtë çëshjte. Ai mendoi se ndoshta gjithçka do të kalonte me kohën, por kur e pa që nuk ishte kështu, më tha se nuk më ndalonte dot, por se nuk do të ma jepte bekimin e tij.
Unë e respektoja shumë babain tim, por edhe Erjonin e doja me gjithë shpirt, kështu që vendosa ta vazhdoja lidhjen. Me kalimin e kohës ne ndiheshim akoma më mirë me njëri-tjetrin. Çdo ditë zbulonim gjëra të reja e të bukura. Familjet tona ishin shumë të shqetësuara, por ne vazhduam të dashuroheshim.
Ndoshta ishte kjo arsyeja përse ata i “dorëzuan armët”. Babai im kërkoi që ta takomte Drinin. Kur e pa vetë se çfarë djali ishte ai, i dha dorën dhe i uroi mirëseardhjen në familje. Ka qenë një nga momentet më emocionuese të jetës sime. Mbaj mend që kam qarë shumë.
Dita e dasmës ishte madhështore dhe mahnitëse. Kam parë se si, pavarësisht nga ndryshimet, dy familje po lidheshin nga ndjenja më e shenjtë në botë, dashuria.
Tashmë unë jetoj me Drinin në Tiranë dhe presim fëmijën tonë të parë, që e presim si një dhuratë që na e bëri Zoti për vështirësitë që kemi kaluar.
Advertisement