Nga unë, Flamur Bërdëllima, urime për ju:
– Nuk jam vetëm unë që i vlerësoj emisionet e tua, e dashur Alma Çupi. Edhe gazetari i “Hapësirës së Blertë”, z. Esat Çuçllari, ndan me mua mendimin se reportazhet e tua më kujtojnë se ka edhe një jetë, jashtë studiove të zakonshme, ku të “famshmit” artistë thonë ato gjëra që i di edhe një fëmijë. Rreshtimi është ky: Vjen ti, i dyti, Agim Pipa dhe pastaj “Hapësira e blertë”. Urime të gjithëve dhe mos harro të më japësh një grusht arra…
– E dashur Daniela Kostandini! Takimi me ty dhe Xhokaxhiun, atje te “Sheratoni” ishte krejt rastësor. Ndërkohë, vura re (po nuk ta thashë) se je kaq fine, jashtë ekranit. Një gjë kaq e bukur dhe… prapë bukur. Besoj, kështu do t’i kesh edhe fëmijët, që janë ëndrra jote aq e madhe. Të uroj gjithë të mirat dhe lus (përsëri) të drejtosh një emision të plotë.
– I dashur Mustafa! Në fillim mendova se mos do të qe Anika Taçi, vajza jote, në krye të ekipit të Parmës, se e pashë dhe në TV, në ambientet e stadiumit, por përsëri qe një shqiptar i deleguar nga Rezarti, djali yt. Përsëri, mrekullia qëndron: Një shqiptar, president i Parmës. Urime!
– I dashur Arben Malaj! Edhe pse nuk je më anëtar i ndonjë forumi politik, je përsëri Arben Malaj, një nga ekspertët më të shquar të Makroekonomisë dhe jo vetëm. Si mijëra të tjerë, të ndjek në prononcimet e tua profesionale dhe them me vete: “Kemi edhe ne shqiptarët koka”. Dhe e them me gjithë zemër. Të uroj gjithë të mirat, miku im i dashur1
– Sapo mbylla telefonin, pas bisedës me ty, i nderuar Arben Babameto, qesha fort me vete. Të betohem në Zot që unë marr telefonata, ku më ankohen se “përse nuk kam shkruar edhe për atë”, ndërsa ti, me një ton radikal, më the që të mos shkruaj për ty. Sinqerisht, e vlerësoj modestinë tënde, që vjen nga një vizion shumë i kthjellët për jetën dhe për këtë të uroj, me këto pak radhë!
– Jo simpatike, por e bukur, shumë e bukur, është një vajzë, aty ku mbush kartën e telefonit. Quhet Lorela. Emër gati muzikor dhe buzëqeshjen si sheqerpare. Dhe mendo, një studente që ka mbaruar me rezultate shumë të mira Ekonomikun. Lorela, me ato vetulla të bukura dhe sytë gjithë gaz, kështu mbetsh përherë!
– Atje ku bëj fizkulturë, te Liqeni, pra, vjen edhe një burrë, me një qen bukurosh, të vogël, të bardhë. E pyeta një ditë: “Si quhet qeni?”. “Aspirin”, m’u përgjigj. E përgëzova nga zemra se ai vërtet të qetëson si aspirina e farmacisë. Urime, mik i dashur i fizkulturës.
– Sa i këndshëm ishe edhe në timon, i dashur miku im, Fatos Çuçi. Unë e di fort mirë se makina duhet trajtuar si një qenie me shpirt dhe ti, me siguri, e bën këtë, i nderuari miku im. Urime për 2015-n!
– Më ngrohu shumë zgjedhja jote në forumet drejtuese të Këshillit të Europës, e dashur Valentina Leskaj, mikja ime, oh sa e vjetër! Është një nder që i bëhet Shqipërisë së pari dhe vlerësim për imazhin e saj. Të përqafoj dhe të uroj fort nga zemra, e dashur Vali!
– Po! Në foto, ishte ti, në mes të trupës pedagogjike, i dashur Jetmir Aliçkaj. Me këmishë me mëngë të shkurtëra, modest dhe krenar njëherësh. Tamam, një kolonjar i vërtetë! Suksese, ti dhe shkolla “Faik Konica” që drejton, mik i shtrenjtë, drejtor dhe matematikan!
– Me gishtin lart, e përgatitur, me referencë dhe një agresivitet profesional: Kështu të pashë tek intervista me Kryeministrin, e dashur Rudina Xhunga. Po mua, më pëlqen më tepër fakti se të kam kolege fizkulture, andej nga liqeni. Po të them shkurt, mike e vjetër: Të lumtë, Rudina, gazetare, nënë, fizkulturiste!
– Në fund, ëmbëlsira: Shoqja ime e vyer zëvendës ministrja e Integrimit Erisa Xhixho: Ti, e bukur ke qenë edhe më parë. Ta kam thënë që atëhere, në sy të Pirros, babait, por tani që je martuar, për atë Zot, je bërë yll, si thotë fjala. Lum ai që të ka marrë! Unë për vete, të përqafoj fort, edhe për zgjarsinë e rrallë që ke, mbesa e komandantit tim, Thoma Xhixho!
Advertisement