Vëllai që nuk jeton më
– Përshëndetje! Kam parë mbrëmë vëllain që ka një vit që më ka vdekur, sikur unë i vajta te varri dhe ai u çua. U gëzova dhe e shikoja se mos kishte ndryshuar trupi i tij një vit nën tokë, por vetëm flokët i kishin rënë, kurse trupi ishte i njëjti, i bukur yll, siç ishte në të vërtetë. Unë i thashë: “Si ka mundësi? Me çfarë je ushqyer këto kohë? S’ke ndryshuar fare!”. Ai më hodhi dorën në qafë dhe u nisëm për në shtëpi, të gëzuar që të dy. Më tha: “Jam përpjekur të dal, por nuk dilja dot, se ju më futët të gjallë aty”. Unë mendoja çfarë kishim vënë në arkivol, por vetëm rroba mendova. Rrugës na flisnin njerëz të çuditshëm. Pastaj m’u shfaq nusja e tij, që ishte e mërzitur e vetëm ne gëzonim. Nuk e di ç’do të thotë, por di që humbja e tij më ka shkatërruar.
– Ëndrra juaj është shumë e qartë… Ju kanë ngelur shumë pengje të lidhura me të, gjë që shfaqet shumë mirë edhe në ëndrrën që keni parë. Më vjen keq për humbjen e vëllait tuaj, uroj që dhimbja që keni, t’ju zbutet me kalimin e kohës dhe të mbani mend vetëm gjërat e bukura që keni kaluar me të. Ëndrra juaj tregon një lloj pengu që ju ka ngelur ndaj tij. Ju ndiheni keq apo fajtor për humbjen e tij, por kjo s’ka kuptim dhe s’keni arsye pse të mërziteni, sepse nuk është faji juaj. Kjo është arsyeja pse ju e shikoni në ëndërr, sepse ju vijnë lloj-lloj mendimesh në kokë në lidhje me të. Përse e quani veten fajtor? Nuk keni arsye, ishte e shkruar që ai aq të jetonte. Duhet të shkoni të ndizni ndonjë qiri për të, të luteni për shpirtin e tij e qetësinë tuaj dhe mos mendoni më negativisht, apo të keni brerje ndërgjegjeje, sepse i bëni keq vetëm vetes tuaj dhe vëllait tuaj në atë botë. Të vdekurit shfaqen në ëndrrat tona në shumicën e rasteve, kur nuk jemi mirë shpirtërisht. Përpiquni të qetësoheni, të mendoni gjëra të bukura, të jetoni jetën tuaj dhe do të shikoni që edhe ëndrrat tuaja do të ndryshojnë. Çfarë ju ka thënë vëllai në ëndërr, është mendimi juaj, pengu juaj pa arsye, asgjë më tepër. Duhet të kujdeseni më shumë për veten e për ata që ju rrethojnë dhe vazhdoni jetën përpara. Gjithë të mirat.
Vajzës i ra një shkëmb
– Kam parë në ëndërr vajzën time, sikur po kullosnim lopën në një shpat mali. Unë fillova të ecja nëpër mal dhe si pa kuptuar, pashë që isha larguar nga vajza dhe lopa. U ktheva dhe pashë se ishte shkëputur një shkëmb i madh dhe kishte rënë në vendin ku lashë vajzën time dhe lopën. Megjithëse shkëmbi ishte i madh, unë e pata forcën për ta larguar dhe pashë se vajza kishte qenë nën shkëmb. Unë fillova ta lëvizja, duke i thirrur në emër dhe ajo hapi sytë e buzëqeshi. Isha aq e tronditur sa më doli gjumi. Çfarë kuptimi ka, ju lutem?
– Jeni shumë e lidhur pas vajzës suaj dhe kjo është normale, ama mbani dhe mbani një peshë të rëndë në kurriz, që ka lidhje me fatin e saj. Jeni shumë e shqetësuar nëse do t’i dalë fati apo jo, si do t’i shkojë jeta dhe dëshironi ta shikoni vajzën tuaj të buzëqeshë. Sigurisht, kjo është dëshira e çdo nëne. Ëndrra që keni shikuar, ka lidhje me mendimet tuaja rreth vajzës, jeni në ankth. Vajza, po ashtu, po kalon një periudhë të vështirë, sepse ndihet e vetmuar, ka nevojë të hapet, të lëvizë. Ëndrra ju këshillon shumë hapur se jeni ju si nënë që duhet ta ndihmoni pak vajzën të jetë më e lirë, të jetojë jetën e saj. Përveçse nënë, bëhuni shoqja e saj, që të hapet me ju dhe do ta heqë atë peshë të rëndë që ka ajo dhe ju, bashkë me të. Jepini pak më shumë liri vajzës që ta jetojë jetën e saj, të dalë jashtë mureve të shtëpisë apo ambientit të saj, që të krijojë një shoqëri të re dhe bashkë me të, sigurisht, do të njohë edhe fatin e saj. Thjesht, duhet të lëvizë… Ju uroj fat!