Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Abortova fëmijën për t’u hakmarrë ndaj tij!

E di që pasi ta lexoni mëkatin që kam bërë, pjesa më e madhe do të më quani monstër, por jeta disa herë të vë përballë disa zgjedhjeve shumë të vështira. Më parë po ju them se ka momente kur e humb arsyen dhe të duket sikur asgjë nuk ka më kuptim në jetën tënde, asgjë nuk ka zgjidhje! Në momente të tilla kam qenë kur mora vendimin më të tmerrshëm të jetës sime. Isha vetëm 20 vjeçe kur u njoha me Aljonin dhe njohja jonë nuk ishte nga ato tipiket, që njihesh nga shoqëria, por një njohje, krejt rastësore. Zoti e kishte bërë që rrugët tona të kryqëzoheshin, edhe pse asgjë nuk shkoi mirë mes nesh. Aljoni vinte nga një familje e ngritur, me prindër të edukuar dhe të arsimuar. Atij kurrë nuk i kishte munguar asgjë, e kishin çuar në shkollat më të mira dhe nuk e kishte ndjerë asnjëherë mungesën e parave. Aljoni ishte edhe shumë simpatik, nga ata djemtë që kujdesen shumë për veten, veçanërisht për paraqitjen e jashtme. Ky ishte një faktor plus që më bëri ta pëlqeja edhe më tepër. Unë vija nga një familje mesatare, me një jetesë pothuajse normale, por në të vërtetë, ndryshe nga Aljoni, më mungonin shumë gjëra. Megjithatë, në fillimet tona, ne e gjetëm gjuhën e përbashkët. “Që në momentin e parë që të pashë, mendova me veten se do ishe bashkëshortja ime”, më tha ai më vonë dhe pasi e pyesja se çfarë kishte pëlqyer tek unë, “thjeshtësia dhe buzëqeshja”, më thoshte. Ja, ishin pikërisht këto fjalë të ëmbla që më bënin ta pëlqeja dhe më vonë… edhe të dashurohesha me të. Ndoshta Aljoni dinte të thoshte fjalët e duhura në momentin e duhur.
“Dua që të të prezantoj me prindërit e mi nesër”, më tha një ditë dhe unë u gëzova shumë! Mezi e kisha pritur atë moment sepse për mua, kjo do të thoshte se lidhja jonë po bëhej serioze. Që në momentin që ma tha, në kokën timë vërtiteshin njëqind mendime: “Si do t’u dukem? A do t’u pëlqej? Çfarë duhet të vesh që të lë përshtypje të mirë? Duhet të kem kujdes mos bëj ndonjë gafë para tyre sepse kjo do ishte e pafalshme”, etj. Me pak fjalë, ky takim kishte shumë rëndësi për mua sepse do njihja vjehrrin dhe vjehrrën time të ardhshme. Aljoni më kishte folur diçka rreth tyre, por kur i takon vetë personalisht, është ndryshe. Dhe momenti i shumëpritur erdhi… Gjithë natën nuk fjeta sepse e kisha paramenduar në një mijë mënyra takimin me ta. Edhe nëse do të kisha takuar vetë Presidnetin e SHBA-së, nuk besoj se do kisha aq emocione sa atë ditë. Vesha një fustan të thjeshtë të cilin, për fat të mirë, Aljoni e pëlqeu shumë. Prindërit e tij ishin ashtu siç i kisha menduar, shumë të thjeshtë e të dashur dhe, edhe pse unë gjatë gjithë kohës isha në siklet, mamaja e tij mundohej të më qëndronte sa më afër. Më buzëqeshte gjatë gjithë kohës! “Sa kohë keni që njiheni? Prindërit, me çfarë merren? Sa kohë keni që jeni shpërngulur këtu?”… Këto dhe pyetje të tjera m’u bënë lëmsh në kokë dhe m’u duk sikur po më merrnin në hetuesi. Megjithatë, iu përgjigja të gjitha pyetjeve duke u munduar të mposhtja emocionet. Prindërit e tij kishin profesione të mira dhe ndihesha shumë në siklet nëse ndonjë moment do shprehnin ndonjë pakënaqësi ndaj prindërve të mi, që ishin më të thjeshtë. Kaloi dhe ajo ditë “provimi” dhe pas një muaji, ne u fejuam.
Lumturia ime nuk kishte limite. Po fejohesha me mashkullin e parë që kisha patur në jetë, të cilin edhe e dashuroja. “Falënderoj Zotin çdo natë që të njoha”, i thashë një natë kur po rrinim vetëm në shtëpi. Ai më puthi në ballë dhe buzëqeshi. Aq e bukur më dukej ajo që po përjetoja saqë disa herë thoja me vete: “Mos jam në ëndërr apo po fantazoj?”. Por, jo! Çdo gjë ishte e vërtetë! Unë vazhdoja të jetoja e lumtur deri në momentin e stuhisë që kaploi jetën time. Mendoj se në çdo lidhje, vjen një periudhë kur përjeton momente shumë të vështira, por në lidhjen time, ishte ndryshe… Ajo lidhje më shkatërroi si person, më tjetërsoi komplet. Aljonin nuk e kisha njohur, ai ishte njeri me dy fytyra, me dy personalitete. Sado që të mundohet njeriu të shtiret, vjen një çast që e tradhtojnë veprimet e tij dhe tregon se cili është në të vërtetë. Për fejesë, prindërit e tij na dhuruan një apartament ku bashkëjetonim ne të dy. Dy muajt e parë ishim mirë, por më pas, ai filloi sillej ndryshe! Kthehej në shtëpi një herë në dy ditë dhe atëhere kur vinte, sillej shumë ftohtë me mua. E kuptova që pas gjithë kësaj, qëndronte një femër tjetër. Nuk flisja, nuk u zura me të, nuk i thashë asgjë për dyshimet e mia dhe as nuk fola me prindërit e tij, derisa u sigurova mirë që ai po më tradhtonte…
Një natë, para se të futej në dush, ai futi celularin në karikim dhe iku në kuzhinë për të ngrënë diçka. Ky ishte ai momenti që kisha pritur për t’u hedhur në veprim. Shpejt e shpejt i kapa celularin dhe lexova mesazhe të shumta të shkëmbyera me njërën që quhej Amanda! Zemra m’u copëtua në atë çast, por e përmbajta veten. Në momentin që po e lija celularin në vend, sepse dëgjova derën e frigoriferit të mbyllej, atij i erdhi një mesazh. “Amanda”, mendova me veten dhe pashë mesazhin pa e hapur, sepse sapo kishte ardhur. Ajo i thoshte: “Zemër, do vonohesh edhe shumë? Po të pres!”. E urreva, e urreva Aljonin shumë në atë moment. M’u kthye në një njeri të neveritshëm. Nuk reagova fare, u futa në krevat dhe po bëja sikur po lexoja një libër, ndërkohë që gjithë vëmendjen e kisha tek ai. I ndiqja çdo lëvizje që bënte…
Ai u afrua te celulari dhe sapo hapi mesazhin, buzëqeshi! E mora me mend që i ktheu përgjigje dhe u fut në dush. Mua nuk më foli fare, sikur nuk isha aty në dhomë me të! Sapo ai u fut në banjo, unë u shtriva dhe gjithë kohës qava me kokën e futur poshtë batanijes. Pse duhet të më ndodhte mua kjo? Çfarë mëkati kisha bërë që ta meritoja diçka të tillë? Vendosa që në fillim të flisja me prindërit e Aljonit dhe pastaj, me atë vetë. Të nesërmen shkova të takoja mamin e tij. Kur më pa, ajo më pyeti nëse isha sëmurë. “Jo, doja të flisnim pak”, i thashë. “Sigurisht”, tha ndërkohë që vetëm më shikonte e çuditur sepse sytë i kisha ende të skuqur nga të qarat e një nate me parë. “Më trego, çfarë ke që je në këtë gjendje?”. Ajo m’i bëri të gjitha pyetjet e mundshme, vetëm djalin e saj nuk e përmendi në asnjërën prej tyre. “Aljoni”, i thashë. “Çfarë ka djali? Është sëmurë? Era, fol të lutem, çfarë ka Aljoni?”. Pasi e pashë ngultas, i thashë që Aljoni ishte shumë mirë, por arsyeja pse unë isha në atë gjendje, ishte ai. Ajo u çudit!
“Prit të të sjell një çaj para se të më tregosh”, më tha dhe iku në kuzhinë. Aty u vonua më shumë seç duhej për të bërë një çaj. Pasi u kthye me çajin në dorë, më kërkoi që t’i tregoja, por ende pa mbaruar së treguari, ra dera dhe ajo u ngrit për ta hapur. Mendova se ishte vjehrri, por jo! Në derë u shfaq Aljoni… i nevrikosur.
“Çfarë dreqin do ti këtu?”, më tha.
“Aljon, ulu aty dhe më shpjegoni të dy se çfarë po ndodh”, i tha e ëma.
Aty e kuptova që ajo i kishte telefonuar atij gjatë kohës që kishte qenë duke “përgatitur” çajin në kuzhinë. U nevrikosa më shumë sepse nuk e dija me çfarë qëllimi e kishte bërë atë veprim: Për të mbuluar djalin e saj apo për të marrë vesh të vërtetën tamam?! “Ti më tradhton me Amandën dhe mos e moho këtë sepse e di shumë mirë, të kam parë mesazhet që shkëmben me të. Ti vjen në shtëpi një herë në dy ditë dhe prindërit e tu nuk e dinë këtë”, i bërtita me lot në sy. Ai u bë si i xhindosur sepse nuk donte që e ëma t’i merrte vesh ato gjëra. Një fytyrë i ikte dhe një i vinte! “Të vërteta janë këto që thotë Era?”, e pyeti e ëma. Ai mundohej të justifikohej, por ngecte. Ajo i kërkoi telefonin për ta parë dhe vërtetoi edhe vetë gjithçka kisha thënë. “Unë dua të ndahem”, i thashë. Ai nuk foli, ndërsa e ëma u mundua të më qetësonte. Edhe pse e doja shumë Aljonin, nuk mund ta duroja tradhtinë. “Sonte qetësohuni dhe do flasim nesër, kur të jemi më të qetë. Ti, Era, qëndro sonte këtu, mos ik në shtëpi sepse nuk je në gjendje”, tha ajo.
Në fakt, mamaja e tij ishte ajo që vuri ekuilibrin mes nesh. Na kërkoi që prindërve të mi dhe babait të Aljonit të mos i tregonim asgjë dhe më bindi që t’i jepja edhe një mundësi Aljonit. “Çdo mashkull gabon dhe Aljoni, mashkull është. Ai është simpatik dhe shumë femra të tjera mund ta pëlqejnë, por ai të zgjodhi ty”, më tha. Ajo e kishte aftësinë që të më bindte dhe unë e fala tradhtinë e Aljonit. Ai m’u betua që do t’i jepte fund lidhjes me Amandën dhe se do të më përkushtohej vetëm mua. I besova! I besova, sepse e dashuroja, por ai kurrë nuk e meritoi besimin tim. U duk sikur ndryshoi, por përsëri më tradhtoi dhe përsëri, me Amandën. Ngaqë e besova plotësisht pas atij betimi, nuk dyshoja më tek ai sepse mendoja se edhe ai më dashuronte, por e gjitha kishte qenë shtirje, loja e tij e pisët.
Kur e kuptova se më tradhtonte përsëri e për më tepër, me të njëjtin person, u bëra kurioze të njihja kush ishte kjo Amanda e famshme dhe e ndoqa një ditë kur e takoi. I mësova shtëpinë dhe ditën tjetër, shkova ta takoja. Ajo hapi derën dhe nuk bëri asnjë lloj reagimi, thjesht më pyeti kush isha. E kuptova që nuk më njihte; ai nuk i kishte folur kurrë për mua. I kërkova të futesha brenda dhe të flisnim. Edhe pse isha një e huaj për të, ajo pranoi. “Unë e di që Aljoni më tradhton… me ty, i thashë. Si mundët të ma bënit këtë?”. “Aljoni është i dashuri im, çfarë kërkon ti me Aljonin?”, ma priti ajo e çuditur dhe e nevrikosur. “Para se ta kesh ti të dashur, unë e kam të fejuar dhe për pak, do martoheshim”, i thashë dhe lotët filluan të më rridhin në faqe pa pushim. Ajo u çorientua komplet. Nuk po i dilte ansjë fjalë nga goja, tha vetëm: “Domethënë, ai… më ka gënjyer, më ka mashtruar”. “Po, dhe jo vetëm ty. Më ka mashtruar edhe mua”, i thashë. “Megjithatë, unë Aljonin e dua dhe nuk e lë”, tha ajo. Ngrita sytë për ta parë nëse po bënte shaka apo e kishte me të vërtetë, por lotët ma kishin turbulluar shikimin. “Kështu që, të lutem, dil nga shtëpia ime dhe zgjidhini vetë problemet tuaja!”, më tha. Në atë moment po më dukej sikur po përjetoja një déjà vu, përsëri e tradhtuar, përsëri me zemër të thyer. Në momentin që bëra të ngrihesha, m’u morën mendtë dhe mbaj mend vetëm që më ra të fikët.
Veten e pashë më pas të shtrirë në krevatin e një spitali dhe afër meje kisha prindërit e mi e prindërit e Aljonit. Ai nuk kishte guxuar të vinte! Shpresoja të isha duke përjetuar ndonjë ëndërr të keqe, por jo, ishte realiteti i hidhur. Jeta ime ndryshoi komplet, e kisha humbur arsyen dhe isha në një gjendje tepër të rënduar psikologjike. Nëse do të ndahesha nga Aljoni, unë nuk e dija çfarë do të bëja. Nuk mund ta pranoja ta humbja, nuk mund ta lija. Teksa po mendoja këto gjëra, dëgjova mamin dhe vjehrrën të më thonin të gëzuara: “Urime!”. “Për çfarë?”, i pyeta”. “Je shtatzënë”, thanë ato dhe vazhdonin të më përqafonin. Nuk e kuptova mirë në fillim, nuk arrita ta perceptoja shpejt atë që më thanë. Pasi e kuptova, fillova të qaja. Si do ta doja atë fëmijë kur babai i tij nuk më donte mua? Ato u munduan të më qetësonin dhe nuk e dinin as kush më kishte sjellë në spital dhe çfarë kishte ndodhur para se të më binte të fikët. Aljoni as që e mori mundimin të vinte në spital. Me siguri, ishte me dashnoren e tij, Amandën. Nuk e doja më jetën time! Sa herë që e mendoja në krahët e asaj femre, doja të vdisja. E doja dhe e urreja në të njëjtën kohë. Doja ta bëja të përjetonte të njëjtën dhimbje që përjetova unë. Aljoni nuk e dinte ende se priste një fëmijë nga unë dhe vetëm pasi e mësoi këtë nga mamaja e tij, erdhi menjëherë në spital. Më përqafoi dhe u lumturua shumë. Bënte sikur nuk kishte ndodhur asgjë, por unë tashmë, nga ajo Era e dashuruar, isha kthyer në një gur. Dola nga spitali dhe ende në kokë kisha një pikëpyetje: Si ta bëja të përjetonte të njëjtën gjë si unë?! Doja të hakmerresha. Një moment, kur ai erdhi dhe më puthi barkun, kuptova se fëmija ishte personi që ai e donte me shpirt dhe aty do t’i dhimbte shumë. Që të nesërmen në mëngjes, mora guximin dhe e abortova fëmijën. Të gjithë këtë e bëra vetëm për t’i shkaktuar dhimbje Aljonit, por pasi e bëra, e përjetova edhe vetë shumë keq. M’u duk sikur një pjesë e trupit tim, vdiq përjetësisht…
Kur Aljoni e mori vesh, më urreu. Më urrejnë edhe prindërit e tij dhe prindërit e mi. I humba të gjithë personat e dashur në jetën time. Jeta ime mori fund! Tani, pasi ka kaluar pak kohë, prindërit mundohen të ma lehtësojnë dhimbjen e cila nuk do të zhduket kurrë. I falënderoj që nuk më braktisën dhe më ndihmuan të kaloja ato momente shumë të vështira në jetën time. Me familjen e tij nuk kam më kontakt, mbaj mend vetëm fjalët e fundit që më tha mamaja e tij: “Kjo që bëre, është e pafalshme! Këtë herë, do ta kishe tëndin Aljonin përgjithmonë, por i dhe shkelmin gjithçkaje”.
Tani, kur i sjell ndërmend këto situata të përjetuara, nuk ia fal vetes, por ja që dashuria që unë përjetova ishte një dashuri e sëmurë dhe për pak, më shkatërroi jetën. Ndoshta, as lindja e fëmijës nuk do ta ndryshonte atë…

(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (2) View Comments (2)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Çfarë dini për nuhatjen?

Next Post

Rovena Ibrahimi: Shumë shpejt, do ta shijoni…

Advertisement