Kësaj radhe po ju paraqesim disa mini-kekë me të vërtetë dietetikë, me miell integral, mollë, tërshërë dhe stevia (ëmbëlsues natyral), në vend të sheqerit. Provojini dhe do të mbeteni të kënaqur.
1 filxhan miell integral
1 filxhan tërshërë (nga ajo që hani në mëngjes)
Pak kripë
2 lugë çaji kanellë
½ lugë çaji arrëmyshk
1 lugë gjelle me majë, stevia
¾ filxhani qumësht
¼ filxhani vaj
3 lugë çaji pluhur pjekës
1 vezë
1 mollë mesatare, e qëruar dhe e prerë në kubikë
¾ filxhani rrush i thatë (ose banane, ose arra, etj)
Përgatitja:
Përgatitja e këtyre minikekëve është vërtet shumë e thjeshtë. Ndizet furra në 180 gradë, përzihen të gjithë përbërësit të bashku dhe hidhen në format e minikekëve, që më parë i keni lyer me vaj (ose jo, nëse janë silikon). Piqen për 15-20 minuta. Të shkëlqyera për mëngjes, por edhe për çdo moment të ditës. Nëse i doni pak më të ëmbël, hidhini pak më shumë sheqer stevia.