Djali që kam pas fiksim
– Kam parë në ëndërr një djalë me të cilin kam biseduar pak muaj në telefon, por për të cilin kam pasur ndjenja të forta dhe e kam menduar për një kohë të gjatë. Kjo ka ndodhur para 5 vjetësh. Në ëndërr m’u shfaq sikur ishte në motorr me mua, por më dukej ndryshe krejt nga pamja, ishte dobësuar shumë dhe në fytyrë nuk ngjante ai, po më thoshte se e dinte kur unë kisha shkuar në fshatin e tij dhe po më thoshte se kushedi me cilin djalë isha takuar. Unë i thoja që nuk duhet t’i kishte shkëputur telefonatat me mua dhe ai më thoshte se kishte pasur probleme të tijat, i ishte fshirë numri dhe kishte ndryshuar celular. Ndërsa ecte me motorr, puthte edhe duart e mia që kishin rrethuar trupin e tij. Pastaj, pashë në ëndërr sikur dola jashtë dhe po binte borë.
– E nderuar, ëndrra tregon pengun tuaj të së kaluarës; është normale më pas të shikoni një ëndërr të tillë. Po kështu, po kaloni një moment pasigurie, nuk dini çfarë të bëni dhe çfarë vendimi të merrni, sepse e kaluara ju ka kapur pas këmbe dhe nuk ju lëshon, po nuk i dhatë shqelmin ju e para, përgjithmonë. Ëndrra ju këshillon të shikoni përpara dhe ta harroni të kaluarën tuaj, e cila do t’ju bëhet shumë pengesë për gjithë jetën. Bora që keni parë, tregon raste të reja dhe sukses në të ardhmen, nëse ju do dini ta jetoni të tashmen dhe të hiqni dorë nga fiksimet e së kaluarës. Nuk po ju themi të nxitoheni, por ajo që duhet të bëni është ta harroni atë djalë dhe të shikoni jetën tuaj. Me siguri, ai djalë që e keni pasur fiksim, po bën qejfin e tij dhe as nuk i bie mendja për ju, ndërsa ju e mendoni sërish. Ka ardhur koha të shikoni përpara. Merreni jetën tuaj në dorë dhe shijoni çdo gjë që ju vjen.
Shkula flokët
– Përshëndetje! Kam parë në ëndërr sikur unë isha në një tokë me bar, shkula disa fije floku nga flokët e mi dhe i hodha në tokë. Në vendin ku unë hodha fijet e flokut, u hap një gropë dhe doli një gjarpër i madh i zi. U frikësova e u largova dhe babi sikur qëndroi aty. Ëndrra tjetër ishte sikur ca mace dolën nga toka me placentë dhe donin të hynin te shtëpia ime, por unë nuk i lashë. Kishin ngjyrë të zezë. Shoh shpesh në ëndrr foshnja, flori nëpër duar, apo fustan të kuq të gjatë. Pres parashikimin tuaj, ju lutem. Faleminderit.
– Kjo është një ëndërr që e tregon qartë se keni disa probleme shëndetësore që kanë lidhje me intimitetin tuaj. Shkulja e flokëve tregon ankth, stres dhe gjarpri që ju është shfaqur, tregon problemet intime për të cilat ju fola më sipër. Ndjeni mungesë intimiteti ose nuk ndiheni i/e plotësuar në këtë pikë. Nuk e di nëse jeni femër apo mashkull, por sido që të jetë, jeni person shumë pjellor, ju pëlqen të keni marrëdhënie të forta intimiteti, si dhe të keni pasardhës. Jeni person pasionant, por që për momentin ndiheni shumë bosh dhe jo shumë i/e plotësuar në këtë pikë. Pra, ëndrra juaj ka shfaqur gjendjen aktuale në të cilën ndodheni.