– I nderuar Doktor Demiri, jam një nënë nga Malësia e Madhe. Vajza jonë u fejua, më saktë, e fejuam me një djalë që punon në Angli. Të gjithë na thonë se është djalë i mirë e punëtor, por jo fort i pashëm. Shkuese ka qenë motra ime. Vajza ra dakord duke parë fotografitë e duke folur me të në telefon. Ai djali erdhi për Vit të Ri dhe ndenji 15 ditë. Që nga dita kur erdhi, vajza jonë vetëm qan, është dobësuar, s’ka oreks e as gjumë. Jam shumë në merak për të. Ju lutem, më thoni se ç’po ndodh me vajzën tonë? Kur flasim për dasmën e saj në vjeshtë, ajo bëhet edhe më keq. A ka nevojë për barna? Mos është në depresion?
Jashar Demiri, psikolog: – Nga letra juaj, gjykoj, ose më saktë, mendoj se vajza nuk e do atë njeri, nuk i ka “ngjitur”. Ajo e ka pranuar fejesën me njeriun e imagjinuar pasi imazhi i tij ka qenë i zbukuruar në mendjen e saj nga fjalët tuaja, nga fotografitë e bisedat telefonike. Kur ai ka ardhur në Vit të Ri, ajo ka njohur nga afër njeriun, i cili i është dukur i papërshtatshëm. Mundet që ajo të ndihet fajtore pse e pranoi këtë fejesë me nxitim, është e zhgënjyer, porse tani, këtë as që guxon ta thotë. Edhe sikur të “guxojë”, ajo do të ndeshet me “murin” tuaj malësor. Ajo e di se me murin nuk flitet, kësisoj, po përpiqet ta bindë më tej veten për t’u bërë gruaja e burrit të fejuar, por që nuk e do. Këtu qëndron edhe vuajtja e saj e madhe e brendshme e vetëfajësimi. Në këtë luftë të ashpër ndërmjet detyrimit të vetëdijes dhe pamundësisë së shpirtit, ajo rrezikon të kalojë në ndonjë histeri konversioni që, e thënë shqip, mund të ishte një lloj “krisjeje” gati e pariparueshme. Ky nuk është depresioni i vërtetë. Është si një lloj depresioni reaktiv që ka lidhje me hallin që ka zënë vajzën. Me vajzën duhet të flisni me kujdes, por pa e sulmuar me fjalë. Pyeteni se përse atë e acaron mendimi për dasmën, nëse ajo përpiqet me zor për t’u bërë gruaja e një burri që nuk e do. Mos u bëni pra si padashje armiq të vajzës suaj, silleni atë për psikoterapi dhe mjekim me ilaçe 100 % bimore. Nëse fejesa e gabuar është vërtet problemi i madh ngacmues i saj, më mirë prisheni atë pa hezituar. Mbi të gjitha, juve ju intereson njeriu juaj, apo jo? As ai djali nuk besoj se do të donte të martohej me një vajzë e cila po përpiqet që ta dojë, me të gjitha fuqitë e shpirtit, por nuk po mundet. Gjykojeni edhe vetë. Besoj se e dini një këngë shkodrane me këto vargje:
Pranvera s’vjen më për mu
Gjersa baba më ka feju
Me një burrë që unë se du
Me siguri, ju do të thoni: Po, vetë deshi vajza, vetë pranoi, ne s’e detyruam. Dakord, por ai që quhet iluzioni i ndjenjës, ndodh mjaft shpesh te të rinjtë e papërvojë, e, nëse u bë një gabim i vogël, të mos lejojmë një të madh e me shumë pasoja.
Advertisement