– I nderuar Dr. Demiri, kam humbur gjithçka në bixhoz… paratë, shtëpinë, gruan e cila më divorcoi e mezi po e mbaj një punë shteti. Lidhjet me fëmijët më janë zbehur shumë. Shokët e ngushtë, që dikur më donin, më shohin plot keqardhje e më duket sikur thonë: “Ja, ky i shkreti, që mbeti si ai kokoshi pa pupla!”. Mbase kanë të drejtë edhe të mendojnë: “Ja, ky budallai, ky “krapi” që e “hëngri” të gjallë ruleta”. Më dinë për të mençur aq sa s’u besohet që të jem unë ai. Bixhozi më është bërë fiksim, ankth. Kisha vendosur të mos luaja më kurrë, por u josha dhe vura “bast” të rëndë para ndeshjes Hollandë-Rusi, tepër i bindur se fitonte Hollanda e cila na u katandis përpara Rusisë, si ndonjë skuadër fshati. Ndoshta ishte një “grackë”. Pas “cirkut” që Rusia i bëri Hollandës, unë humba një shumë të paimagjinuar parash. Tani, çdo gjë më duket e kotë e them me vete: “Inshallah ma merr jetën ndonjë aksident!”. Megjithatë, jam i gjallë, por s’di nga t’ia filloj jetës se më rrënoi bixhozi, kam humbur shumë, shumë. Çfarë më këshilloni të bëj?
Jashar Demiri, psikolog: – Keni nevojë për psikoterapi me “plug”, pasi edhe në popull thuhet: “Shpirti del, huqi nuk del”. Megjithatë, nuk ka “huq” që psikoterapia të mos ia shkulë “rrënjët” po qe se ti tregohesh bashkëpunues i mirë me psikologun. Po të përgjigjem me dy poezi të vogla, dy strofa, një nga Gëte dhe dy nga Kiplingu. Zbërtheji dhe dil në rrugën e mbarë të jetës…
Gëte:
Paratë ke humbur? Diç ke humbur…
Duhet të punosh, të tjera të fitosh…
Nderin ke humbur? Sa shumë ke humbur!
Të duhet shumë për të punuar
Të bësh njerëzit për të besuar…
Guximin ke humbur? Tepër ke humbur!
Të jesh i bindur, më mirë të mos kishe lindur!
Kipling:
Në mend fitoret që ke korrur, t’i flijosh
Si në kumar, në një të vetme lojë…
Të rrezikosh, të humbësh e prapë t’ia fillosh
E humbjen kurrë të mos e zësh në gojë
Në i detyrofsh dot muskul, nerv, puls e zemër
Të të shërbejnë edhe kur gjithçka duket e kotë
E të qëndrosh kur s’ke asgjë më veç vullnetit
Që veç një fjalë: “Qëndro”, gjithnjë të thotë.
Në mundsh t’i mbushësh ti minutat aq të rënda
Me vepra që peshojnë, dije dhe mos ki hiç dyshim
Se e jotja do të jetë bota me çka brenda
Dhe burrë do të jesh ti, o biri im!
Besoj se të vlejtën vargjet, më kuptove. Ta fitosh apo ta humbësh përfundimisht jetën, kjo varet nga ti, në radhë të parë, nga ti. Asnjë avion nuk ngrihet në fluturim, po nuk i punoi motori i vet. Mos “qaj” çfarë iku, por eja t’ia fillojmë për nga e mbara. Mos thuaj asnjëherë se është vonë. Fati i zgjat dorën guximtarit, por guximtarit të mençur, kurrë “guximtarëve” të bixhozit apo aventurave. Gjykoje vetë!