Kënga Magjike është një ndër festivalet më të ndjekur deri tani, ama siç ndodh zakonisht, edhe prej tij, konkurrentët ndahen me hatërmbetje. Një prej tyre është Kelly, i cili e ka shprehur këtë hatërmbetje me anë të një statusi të Leonard Bombajt. Në këtë status, Bombaj e konsideroon Këngën Magjike si një kompeticion komercial me shitje-blerje vlerash. Shpeshherë, të nesërmen pas spektaklit, këngëtarët mblidhen tek “E Diela Shqiptare” për të diskutuar hatërmbetjet mes njëri–tjetrit në prapaskenë. Diskutohet shpesh se këngëtarët ia japin pikët maksimale kolegut/es me të cilin kanë më shumë shoqëri dhe jo atij që mund të ketë këngën më të bukur se “miku”.
Edhe pse realisht kjo mënyrë votimi është vendosur nga ana e Arditit me synimin për të shmangur pikërisht të tilla konflikte dhe hatërmbetjeje, ndoshta Arditit do t’i duhet të shpikë një tjetër mënyrë votimi. “Shiten fustane, sparkata të depiluara, pikë maksimale, me një të shkelme syri. Aty ka gallatë dramatike. Për shembull, shitet kompozim i ndjerë për t’u kënduar nga buzë silikoni, yje arrogantë me stafe të fshehur përballë një vokali të bukur që vajton në një vetmi totale, talente të brishtë të manipuluar, ka servilë të çoroditur, ka “yje” prej letre me ngjitës nga mbrapa, ka yje të vërtetë që nuk dallohen në qiellin artificial të televizionit. Aty blihet çmimi jo me vota, por qëkur zgjidhet muzika, teksti, studioja. Aty ka edhe PD dhe LSI, ka tipa të kremosur që këndojnë valsin e falënderimit: “je ti pa jemi ne”, ka talente në vorbullnajë që detyrohen të mësojnë rapsodinë e lëpirjes. Aty, për disa është triumf komercial, për disa, komedi për të qarë. Aty këndojnë pleq që rinohen për një natë, të rinj që plaken nga zhgënjimi. Aty “Mimoza Llastica” i vë stërkëmbësh “Benit që ecte vetë”. Aty, ca qajnë, ca qeshin, lumturia zgjat sa një refren. Aty jemi ne, që 2014-s i themi: “Ik, ne nuk ndryshojmë!”. Vlerat, të gjitha bashkë, zor se i gjen. Uron fituesin vetmitar, por të dhimbsen ëndërrimtarët që ndihen fajtorë. Për aq kohë sa në gojën e moderatorëve ka “faleminderit birrës” këtu e “rrofsh spitali i syve” atje, aktiviteti privat po privatizon artin kombëtar në emër të kombit me Presidentin e Republikes spektator në sallë”, ka përfunduar Bombaj përmes një ironie të thellë…
Advertisement