Do ishte e tepërt të bënim prolog për grupin e njohur jo vetëm në Shqipëri, por kudo ku ka shqiptarë, Elita 5. Ata mbeten ikona e rokut shqiptar dhe kudo ku kanë koncert apo janë të ftuar të performojnë, publiku është më i zjarrti dhe më i dashuri. Arif Ziberi, vokalisti i grupit, tregon si erdhi albumi “Mohikani i fundit”, realizimi i klipit “Më fal” si një projekt filmik, si dhe shumë hollësira të tjera, të cilat nuk mund t’i gjeni askund tjetër, përveçse në gazetën “Intervista”…
Fabjola Kuburi: – “Mohikani i Fundit”… një titull shumë interesant dhe domethënës, ky i albumit tuaj të fundit. Pse ky titull? Si mund të jetë “mohikani” i fundit dhe kush është ai?
Arif Ziberi (Elita 5): – Elita 5, ka besuar, beson dhe do të besojë gjithmonë në punën që bën. Pra, edhe përkundër shumëllojshmërisë së shijes, ne gjithmonë i kemi qëndruar besnik stilit tonë dhe jemi të vetmit, ndoshta edhe të fundit, që po e bëjmë këtë. Kjo na bën të jemi “mohikanët e fundit”.
– Si është pritur ky album nga publiku?
– Shumë mirë! Kritikat kanë qenë shumë pozitive dhe jam i bindur që shumë këngë nga ky album do të bëhen hite që do t’i këndojë i gjithë publiku.
– Kënga “Më fal”, që është projekti juaj filmik, me sa duket, i ka lënë pa fjalë të gjithë e sidomos, adhuruesit e këngës suaj. Si lindi ideja për një realizim të tillë dhe a pritej ky sukses?
– Të them të drejtën, edhe e kemi pritur një sukses të tillë. Është e vërtetë që videoklipi i ka lënë pa fjalë të gjithë ata që e kanë parë; mendojmë se është bërë një gërshetim i një kënge të bukur dhe një videoklipi të mrekullueshëm.
– Cili ka qenë hapi më i suksesshëm i karrierës suaj?
– Mendoj se albumi “Nuk jam Al Kapone” është albumi që shënon jo vetëm hapin më të madh të suksesit tonë, por njëkohësisht edhe hapin cilësor të strukturimit artistik të Elita 5, stukturimit tingullor, emocional dhe elementëve të tjerë artistikë që na bëjnë të dallueshëm si grup e ku vazhdoi karriera e Elita 5, edhe në vitet në vazhdim.
– Mbeteni veteranët e baladave të dashurisë. Pse keni zgjedhur pikërisht këtë stil?
– Sigurisht që dashurisë mund t’i këndohet në gjini dhe stile të ndryshme, por balada, si një stil që karakterizohet nga qetësia dhe ndjeshmëria ritmiko-melodike, e bën atë të zgjedhurën e parë për t’i kënduar kësaj ndjenje kaq të hollë, kaq të ndjeshme e kaq sublime, e cila me brishtësinë e saj të qelqtë, kërkon një stil të tillë, siç është balada. Ju siguroj se në të gjitha albumet tona, baladat kanë qenë ato krijime që kanë marrë më shumë kohë.
– Ti personalisht, si e përkufizon termin “dashuri”?
– Dashuria, kjo kala e madhe e ndërtuar prej gurëve më të çmuar të kësaj jete, është ndjenja më e lartë prej së cilës vijnë jetët njerëzore, është zbukurimi i shpirtit njerëzor, është ajo ndjenjë të cilën duhet ta rritim me shumë përkushtim brenda vetes, t’ua dhurojmë pa kufi njerëzve, ta përkëdhelim me shumë kujdes që ajo të bëhet edhe më prekshme nga të gjithë njerëzit që na rrethojnë, se pa atë ndjenjë, nuk mund të krijohet as gjëja më e vogël dhe më e rëndësishmja është se, pa atë, nuk mund të paramendohet ajo që unë dhe artistët e tjerë u dhurojmë njerëzve, arti. Dashuria, për mua, është gjithçka.
– Çfarë përpiqeni të transmetoni te rinia e sotme, nga arti juaj?
– Mendoj se të rinjtë duhet të marrin nga arti ynë, pikë së pari, dashurinë dhe përkushtimin me të cilin në punojmë për të realizuar artin që ne transmetojmë tek ata, po ashtu edhe sinqeritetin e muzikës sonë. Falë këtij sinqeriteti, tani jemi menjëherë të dallueshëm te publiku.
– Ju këndoni gjithmonë live nëpër koncerte…
– Pa dyshim, pa dyshim! Sot mundësitë e pafundme që ofron teknologjia, bëjnë të mundur edhe atë lloj performance që në gjuhën e përditshme quhet “playback”. Rreth këtij fenomeni, gjithmonë shtrohen pyetje pafund, por përgjigjja është një dhe e vetme: Nuk mund të transmetosh te publiku ndjenjën që është në themel të artit, pa e interpretuar atë live, se e kundërta është një trup i ngurtë të cilit i mungon momenti emocional që prodhon të kënduarit live dhe pa atë emocion.
– Janë shtuar shumë zhanret muzikore… Ju, si e shikoni muzikën shqiptare sot?
– Është normale që tregu (sot i hapur) të ketë një numër të madh rrymash që nuk janë vetëm shqiptare, pa dyshim. Ndër to, ka edhe të tilla që mendoj se janë jo të domosdoshme, pasi prodhojnë “art” të imponuar nga një moment i caktuar ose i paramenduar për x arsye dhe si të tilla, pa diskutim, futen në kategorinë e pavlerave. Këto mendoj se duhen mundur me qëndrueshmërinë e vlerave të verteta që duhet t’i mbajmë me fanatizëm të skajshëm të pranishme te publiku. Vetëm në këtë mënyrë do ta ndihmojmë publikun të mos bjerë nën ndikimin e tyre.
– A e keni kuptuar ju që të na e thoni edhe neve, se cili është sekreti i suksesit tuaj?
– Nuk ka asnjë sekret, është shumë e thjeshtë: Përkushtim, seriozitet, disiplinë në punë, dashuri ndaj njerëzve e publikut dhe modestia, që mendoj se e shoqëron jetën time.
– Ju jeni grupi që ka nisur të performojë në fillim të viteve ’90. Si ka evoluar muzika me kalimin e viteve?
– Nuk diskutohet që muzika ka ndryshuar që atëhere e deri tani. Ndryshimi ka qenë në ndjekjen e hapave të ndryshimeve që sjell koha me lëvizjen e saj, duke e bërë muzikën e sotme më energjike e më dinamike, në shprehje të dinamizmit që jetojmë, por pa i hequr asaj ndjenjën që duhet ta shoqërojë, për t’ia bërë të mundshëm misionin pa të cilin arti nuk jeton dot; misionin për të qenë afër njerëzve.
– Cili është koncerti që nuk do ta harroni kurrë?
– Koncerti që më ka lënë mbresë, ka qenë koncerti që kemi dhënë në vitin 2001, me grupin me famë botërore Scorpions. Ka qenë një koncert që do ta mbaj mend tërë jetën time dhe një eksperiencë e rëndësishme në karrierën time.
– I suksesshëm dhe i pasur financiarisht, shkojnë bashkë, apo jo?
– Do të doja t’i përgjigjesha pyetjes tuaj me një fjali të ndjerë dhe të sinqertë, siç e vlerësoj unë veten. Për një artist, pasuria më e madhe është kënaqësia që merr nga publiku. Këtë ma lexoni si një ndjesi që më del nga thellësia e shpirtit dhe këtë pasuri, ia dëshiroj çdo njeriu që ndjen të fillojë rrugën e bukur, por të vështirë të artit.
– Në performancat artistike, imazhi ka rol të rëndësishëm. Sa kujdeseni për pamjen?
– Sigurisht, imazhi është element shumë i rëndësishëm, por jo kryesori, në kompleksitetin e një artisti. Imazhi duhet të jetë në përputhje të plotë me stilin e muzikës që interpreton, pasi në këtë mënyrë, bëhet më e plotë gjithçka që përcjell te publiku, i cili ka një pasqyrë të qartë të përfituar nga eksperiencat botërore, edhe për veçantitë e imazheve të artistëve që përfaqësojnë rryma të ndryshme.
– Një tipar dallues te ti janë edhe flokët e gjatë. Kështu ke vendosur t’i mbash gjithmonë?
– Të them të vërtetën, edhe më ka shkuar në mendje ndonjëherë që t’i pres flokët, por është e vërtetë që stili im është ky dhe adhuruesit e mi, më identifikojnë me flokët e mi të gjatë.
– Nëse përballë do kishe veten, për çfarë do ta pyesje dhe për çfarë nuk do ta pyesje kurrë?
– Pyetja e parë që do t’i kisha bërë vetes do të ishte: A ka mundur të bëjë akoma më mirë Arifi në karrierën e tij? Kjo është një pyetje që provokon çdo artist që kërkon e kërkon më shumë prej vetes dhe përgjigjja do të ishte: Po, kam mundur të bëj edhe më shumë. Kjo është e vetmja formulë që të çon përpara, për të realizuar ato që mendon se mund t’i kishe bërë më mirë.
– Sa ndikon në jetën tuaj, fakti që jeni personazh publik?
– Të qenit njeri publik është një përgjegjësi shumë e madhe për një artist. Duhet të më besoni se ky fakt, në një lloj forme, të privon nga shumë gjëra që njerëz të tjerë që nuk kanë këtë ngarkesë, i përjetojnë më lehtë. Të qenurit njeri publik përveç vetes shton edhe përgjegjësinë e familjes, e cila natyrshëm merr një pjesë të kësaj përgjegjësie në funksionimin e saj. Sinqerisht nuk e kisha menduar ndonjëherë se do të isha vokalist i njërit prej grupeve më të njohura shqiptare. Kjo rrodhi shumë natyrshëm në jetën time dhe është pa dyshim, fryt i një punë të lodhshme dhe me shumë përkushtim.
– Cila do ishte deklarata që do ta mbyllte bukur këtë intervistë?
– Ju uroj të gjithëve, në radhë të parë, shëndet të plotë. U sugjeroj të gjithë atyre që kanë pasion muzikën, të dëgjojnë sa më shumë muzikë cilësore, sepse ajo rrit brenda vetes një nivel të caktuar që na ndihmon që gjithçka përreth nesh ta kuptojmë sa më mirë. Lexim e lexim pafund, dashuri, dashuri dhe vetëm dashuri, për të qenë sa më afër së vërtetës, me ndihmën e kësaj vlere universale dhe të papërsëritshme në misionin njerëzor, që ajo mban dhe transmeton.