Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
EDI RAMA HAP EKSPOZITE NE PARIS
Dëfrim Met’hasani: Më shkon, vetëm kostumi i sportit!
Po bënte dashuri me një tjetër!

Dëfrim Met’hasani: Më shkon, vetëm kostumi i sportit!

– Dëfrim, takohemi bashkë për këtë intervistë në 50 vjetorin tënd… urime! Sa nga këto vite i ke kaluar pas mikrofonit sportiv?

– Së pari, është vërtet kënaqësi të flasësh në këtë gazetë ku nisin edhe hapat e mi gjatë viteve të para në Tiranë dhe në numrat e parë të gazetës, me mikun tim të kahershëm, Artan Kristo. Kur mendoj ndonjëherë 20 vitet në RTSH, më duket sikur e gjithë jeta ka qenë pikërisht me mikrofonin e radios dhe ekranit, që më dha mundësinë ideale për të qenë jo vetëm Dëfrimi i familjes, fisit, apo shoqërisë, por edhe i shumë të tjerëve, brenda e jashtë vendit.
– Fakti që ke mbaruar Akademinë e Sporteve, më bën të mendoj se nuk i ke hyrë rastësisht gazetarisë sportive…
– Jo, gazetaria sportive nuk erdhi rastësisht. Kam qenë tejet i dhënë pas sportit veçmas, në shkollën e mesme, në Peshkopi. Nisa të luaja futboll, basketboll dhe atletikë me skuadrën e Korabit, por kuptova që nuk isha nga më të mirët dhe duhej një shteg tjetër brenda sportit, që të tregoja më mirë veten. Nisa të imitoja komentatorët e njohur të asaj kohe, Ismet Bellovën, Ahmet Shqarrin, Vladimir Grillon e të tjerë dhe aty u ndjeva komod. Në vitin 1982, nisa të shkruaja vetëm për sportin në gazetën lokale “Ushtima e Maleve”. Bëja komentet e ndeshjeve në futboll, volejboll, mundje e shumë veprimtari që kishte qyteti dhe rrethi i Dibrës. Nga ky vit, nisi edhe bashkëpunimi me gazetën “Sporti Shqiptar”, “Zëri i Rinisë” dhe “Bashkimi”…
– Po të kishe patur mundësi të zgjidhje, do të kishe dashur të kishe qenë i njohur si sportist, apo si gazetar sportiv?
– Them se më mirë gazetar sportiv, sepse karriera e një sportisti zgjat maksimumi 20 vjet, ndërsa e një gazetari, derisa del në pension. Tani që shoh vlerat e këtij profesioni, mendoj se gazetaria sportive është detyrim, por edhe privilegj. Të tjerët paguajnë për të ndjekur një event sportiv, ndërsa ne paguhemi për ta promovuar dhe për ta ndjekur.
– Emri yt është i lidhur pazgjidhshmërisht me sportin… Pyes veten nëse do të kishe dashur të kishte qenë ndryshe…
– Gjithnjë i them Zotit: “Faleminderit që ma krijove këtë mundësi”. Sinqerisht, kam njohur shumë njerëz dhe kam bërë shumë miq. Është një profesion i bukur, që lë gjurmë dhe të pasuron botën emocionale. Ndjehem me fat që zgjodha këtë mision sa profesional, aq edhe fisnik e shpirtëror. Unë jam edhe njeri sportiv dhe mendoj që s’më shkon asnjë “kostum” tjetër, përveç atij të sportit, si gazetar…
– Çfarë të ka mbajtur kaq gjatë të lidhur pas RTSH-së, besnikëria apo mungesa e një oferte më të mirë nga televizionet e tjera?
– Më ka mbajtur emri i këtij institucioni, besnikëria ndaj tij, por edhe të qenit shkollë e gazetarisë dhe e krijimtarisë. Natyrisht, oferta kam patur, madje tre vjet kam punuar në Telesport, jo si një braktisje e imja, por si një ndrydhje dhe shtypje që iu bë sportit nga drejtuesit e asaj kohe. Në vitin 2004, me dhimbje i kam zbritur shkallët e këtij televizioni, për t’u kthyer më 2007, kur drejtuesit e rinj më riftuan të jepja kontributin tim, duke rikthyer edhe njëherë redaksinë që ishte, Vladimir Grillon dhe mua. Bashkë me ne, ishte edhe moderatorja Enkeleida Zeko. Me TVSH-në jam shumë i lidhur, nga dita e kronikës së parë në shtator 1993 e deri më sot, kur kanë kaluar 20 vjet…
– Veç të tjerash, ti do të mbahesh mend edhe si personi që solli i pari në Shqipëri jehonën e suksesit të vëllezërve Keta. Çfarë të lidhi fillimisht me ta?
– Të falënderoj sinqerisht për pyetjen që më bëre. E konsideroj fat njohjen me vëllezërit dhe familjen Keta. Mendoj që ata përbëjnë një rast unikal, si njerëz, si sportistë, por mbi të gjitha, si vlerë njerëzore. Të parin kam njohur Ismailin, më shumë se 11 vjet më parë. Sapo ishte shpallur nënkampion bote e Kampion i Gjermanisë dhe bëra kronikën e parë në TVSH, që u prit mjaft mirë. Më pas vajta në vendlindje, në Bulqizë, ku njoha nga afër thjeshtësinë e shpirtin e atyre njerëzve bujarë dhe të guximshëm. Pastaj vitet rrodhën e bashkë me sukseset e Ismailit dhe vëllait tjetër, Gjetanit, si kampionë të njohur në Gjermani e në botë, edhe miqësia e familjes sime me ta. Tashmë, rasti i mbesës sime Ambra Meda, e cila vuan nga tumorri dhe ndodhet e shtruar në Gjermani, ku këta njerëz po bëjnë maksimumin për jetën e saj, i vuri “vulën” një marrëdhënieje më shumë se shoqërore, mendoj, vëllazërore. Ata janë fat për mua, familjen time, por edhe të gjithë shqiptarët kudo në botë, sepse të mirat e tyre nuk kanë të mbaruar. Më 7 dhjetor, Ismaili ka një ndeshje për të mbrojtur titullin Kampion Bote dhe të gjitha të ardhurat që kish planifikuar për Ambrën, do t’i kalojë për vajzën balerinë që është paralizuar, Sigi Gjini, meqë për Ambrën mendoi shteti gjerman dhe ia paguan të gjitha shpenzimet. E pra, a nuk kam të drejtë të mburrem unë dhe gjithë shqiptarët me të tillë njerëz kampionë në sport dhe në jetë?!
– Ndihesh më mirë duke punuar në gazetarinë e shkruar, në atë radiofonike apo në televizion?
– Për mua, televizioni është në epërsi. Ai është edhe imazh e kur mendon imazhin, duhet të mendohesh më shumë e më gjatë për të bërë diçka që mbetet. Mbi të gjitha, në televizion ke përballjen me njerëzit, ke figurën që s’duhet ta zbehësh asnjëherë…
– Nga dokumentarët që ke bërë, cilin ke më për zemër?
– Dokumentarët janë një gjini shumë e bukur televizive që unë i kam patur për zemër që në fillimet e mia në televizion, krahas lajmit, kronikës, telereportazhit apo komentit e bisedës në studio. Kam realizuar shumë figura të spikatura në vite, që me Xhavit Demnerin, por kulmi mendoj përbën figurën e madhe dhe “Nderin e Kombit”, Panajot Pano, që me punën time dhe mundësinë që sjell televizioni, mbeti i përjetësuar edhe për brezat që vijnë, si një “mbret” në futbollin shqiptar.
– Po nga aktivitetet e organizuara prej teje?
– Në gjithë këto vite jam përpjekur të mos mbetem vetëm në kornizën e gazetarit sportiv. Organizimi i veprimtarive me komunitetin e gazetarëve sportivë kanë qenë ideja dhe dëshira ime e kahershme. Kupat e ndryshme dedikuar figurave të spikatura të sportit si Frederik Fico, Panajot Pano, Medin Zhega, Fatbardh Deliallisi, Ymer Striniqi, por edhe të mjaft emrave të tjerë, kanë shërbyer edhe si urë miqësie mes gazetarëve dhe njerëzve të sportit e jashtë tij. Prej dy vitesh, kemi ndërtuar urat e lidhjes me gazetarët sportivë të Kosovës dhe Maqedonisë, por prej vitesh kemi konsoliduar raportet mjaft të mira me gazetarët e Shkodrës, që dua t’i përgëzoj përmes kësaj interviste, si: Gaspër Marku, Gjergj Kola, Admir Uruçi, Mejdan Zhivani, Anton Zalli, Senad Nikshiqi, Gjon Gjeka e mjaft të tjerë.
– Në kaq vite punë, ka edhe momente emocionesh të paharrueshme apo vlerësimesh…
– Ka shumë, por po veçoj vetëm disa prej tyre, pasi është një histori e gjatë suksesi dhe emocionesh të paharrueshme. Kujtoj ndeshjet e ekipit tonë kombëtar në mars 2001 në Leverkusen, Gjermani-Shqipëri, ku kuqezinjtë tanë drejtoheshin nga i madhi dhe i ndjeri, Medin Zhega. Në vitin 2004, në Tiranë, Shqipëri-Greqi 2-1, ku grekët vinin si kampionë Europe, të shpallur vetëm dy muaj më parë. Në vitin 2004 u vlerësova me çmimin “Anton Mazreku”, çmimi i gazetarit sportiv të vitit në Shqipëri, që atë vit për herë të parë u organizua në Kosovë. Emocionet ishin tepër të mëdha, pasi ky çmim m’u dorëzua nga emblema e futbollit kosovar, Fadil Vokrri. Në vitin 2007, në TVSH, u organizua për herë të parë edhe çmimi për kronikën sportive më të mirë të vitit, e cila rezultoi të ishte kronika ime. Ishte një sadisfaksion tejet i madh për mua, pas rikthimit në TVSH së bashku me kolegun Grillo. Ka edhe mbi 15 mirënjohje të tjera, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Emocione të paharrueshme kam përjetuar gjatë emisioneve “Sporti i një qyteti”, që na njohu më nga afër me njerëzit e sportit, por edhe me gjithçka ofronin njerëzit e thjeshtë dhe figurat e sportit në “frontin” e punës. Ka qenë e jashtëzakonshme! Këto emocione kanë vazhduar edhe në emisionin e disa viteve më radhë, “Mëngjes sportiv”, ku vinin figura të ndryshme në studio dhe rrëfenin gjithçka nga jeta e tyre sportive, familjare e shoqërore, duke mos llogaritur këtu dokumentarë e telereportazhe të ndryshme.
– Për cilën skuadër të futbollit shqiptar bën tifo?
– Kur isha fëmijë, kam qenë tifoz me Dinamon, sepse më pëlqente treshja Përnaska-Zëri-Ballgjini, por me nisjen e punës si gazetar, ky pasion u shua dhe kurrë s’kam bërë tifo për një skuadër, por për të bukurën dhe emocionin që dhuron një ndeshje futbolli.
– Po në futbollin e huaj?
– Kam qenë dhe mbetem fanatik i Milanit, edhe pse në jo pak raste më zhgënjejnë dhe më bëjnë të ndihem keq. Brazili më ka pëlqyer për spektaklin që bën, pse jo, edhe Barcelona. Me Ronaldon kam krijuar një raport personal falë profesionit dhe ardhjeve të tij në Tiranë…
– Cilat janë mangësitë më të mëdha që ka sporti ynë?
– Sporti shqiptar vuan prej vitesh për infrastrukturën, fushat dhe terrenet sportive. Ndjehem keq kur shoh ekipe që s’kanë ku stërviten, në baltë, shi e pluhur. Sado talente të kemi, s’mund të bëjmë hajër në futboll, nëse vazhdojmë të mendojmë për fushat ku luhet dhe harrojmë fushat ku stërvitesh. Aty është themeli i një sporti të tillë. Ka edhe një defekt tjetër. Jo të gjithë trajnerët që stërvisin veçmas fëmijët, janë të përgatitur dhe profesionistë. Kam parë edhe berberë, këpucarë e kuzhinierë që bëjnë trajnerin. Kjo më duket absurde.
– A mendon se do të vijë një ditë kur me të vërtetë do të përfaqësohemi denjësisht nga Kombëtarja jonë?
– Pa infrastrukturë sportive s’mund të kemi sport të zhvilluar. Jemi i vetmi shtet pa një stadium kombëtar që të plotësojë kushtet e UEFA-s dhe të FIFA-s, pra, nuk kemi një “shtëpi” të duhur për futbollin. Kur nuk ka ku të stërvitet fidanishtja, nuk kemi si të ecim përpara. Pa patur këta elementë të domosdoshëm për zhvillimin e sportit e në veçanti, të futbollit, nuk mund të pretedojmë ta shohim Kombëtaren tonë në finalet e një Europiani apo Botërori.
– Cili është sporti ku mund të krenohemi për sportistët që kemi?
– Mendoj se ai që na bën të gjithëve të ndihemi krenarë është sporti i peshëngritjes, sepse është një sport individual, pavarësisht disa njollave të zeza që ka pasur për dopingun. Është sporti që ka më shumë medalje në arenën ndërkombëtare, pavarësisht ulje-ngritjeve të ndryshme.

Nga afër me Dëfrimin…
– Sa lidhje ka kuptimi i emrit, me tipin tënd? Je shumë i dhënë pas dëfrimit?
– Emri im erdhi së pari nga gëzimi i fëmijës së parë dhe të qenit djalë. Babai im mendoi të quhesha Dëfrim dhe, pas 49 vjetësh, them që s’paska gabuar. (Qesh) Më pëlqen t’i ngjaj emrit, të i hareshëm, entuziast, i gëzueshëm, por mbi të gjitha, të sjell gëzim dhe mirësi te të tjerët. Kjo më mundon që nga momenti që kam arritur të kuptoj jetën dhe njerëzit. Dua të bëj sa më shumë mirë në këtë botë.
– Je baba i tre vajzave… E ke peng që nuk ke edhe një djalë apo je ende në kohë për ta patur?
– Vajzat që kam, përbëjnë gjithçka në jetën time, janë më shumë se tri vajza; tri dhurata që më bëjnë të ndjehem gjithnjë i ri. Unë them një shprehje: “Jo se s’kam desh të kem një djalë, por kurrë nuk e vuaj mungesën e tij”… Luna, Blerta dhe Rina sjellin aq gëzim te ne prindërit, saqë harroj shpeshherë që s’kam djalë.
– A janë ato të lidhura me sportin?
– Shkolla luan rolin e saj dhe ato e ndjekin sportin, por nuk kanë qenë protagoniste si sportiste. Vajza e madhe, Lunada, studion në Fakultetin Ekonomik në Tiranë dhe hobi i saj janë spektaklet. E dyta, Blerta, është në gjimnazin “Qemal Stafa” dhe hobi ka gazetarinë, ndërsa e treta, Rina, është në klasën e tetë, në shkollën “Kongresi i Manastirit” dhe është shpejt të thuhet se çfarë drejtimi do të marrë.
– Çfarë ke trashëguar nga origjina jote?
– Nga fisi, natyrisht, kam trashëguar cilësitë e tij të mira. Met’hasani në fshatin Sohodoll të Dibrës shquhet si një fis me shumë traditë, për mençuri e burrëri, për miq e shoqëri. Natyrisht, ndjehem i lumtur që prej atij fisi nuk kam dëgjuar qoftë edhe një fjalë të keqe deri më tani dhe shpresoj që kështu të vazhdojë edhe në shekuj të tjerë. Dikur, Idriz Elmazi ose Met’hasani, njihej në gjithë Dibrën. Më vonë, Selim Met’hasani, shumë trim e më pas Hakiku, por edhe emra të tjerë, kanë lënë gjurmë në kujtesën e historisë.
– A ke ndonjë pasion tjetër që do të mund ta zëvendësonte sportin, apo ky i fundit është profesion?
– Për mua, të dyja janë bashkë, pasioni dhe profesioni. Te gazetari sportiv kam gjetur veten dhe mendoj që s’kam bërë vetëm zgjidhje, por edhe zgjedhje. Ndjehem me fat që kam këtë profesion, ku realizoj edhe pasionin tim për të shkruar e folur drejt dhe saktë për sportin e njerëzit e tij. Këtë dua ta bëj gjithë jetën time.

Advertisement

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

EDI RAMA HAP EKSPOZITE NE PARIS

Next Post

Po bënte dashuri me një tjetër!

Advertisement