Jozefina Topalli; Aja, nusja e Filizit; Stela etj. Ajo ka edhe shumë emra të tjerë, të derivuar nga rolet e saj në shoun e humorit “Al Pazar”. Rudina Dembacajn, çdo të shtunë, e shihni nën petkun e shumë personazheve apo karaktereve që ajo sjell në skenë. Atë çka nuk e gjeni në “Al Pazar” për Rudinën, e gjeni në këtë intervistë…
Enkeleda Kurcani: – Rudinë, ka nisur një tjetër sezon i “Al Pazar” dhe ke një ndryshim goxha të madh: Personazhi yt më i rëndësishëm, ka kaluar në opozitë! Ti e kupton, besoj, për kë kam fjalën…
Rudina Dembacaj: – Po, por duke qenë se nuk është i vetmi personazh, nuk e kam ndjerë shumë mungesën… Megjithatë, nuk mendoj se nuk do ta luaj më në skenë. Zonja Topalli është pjesë e rëndësishme e opozitës dhe si e tillë, nuk them dot se nuk do të sillet më nga unë në “Al Pazar”. Humori politik është pjesë e rëndësishme e shout tonë.
– Është më e trishtë tashmë zonja Topalli, apo është bërë më luftarake, që të marrë sërish pushtetin?
– Më vjen keq të them se duhet të respektoj statusin e të qenurit në opozitë, kështu që edhe këtu në “Al Pazar”, nuk besoj se do të ketë peshë. (Si Jozefina) Nuk ka shans me u ba unë e trishtë!
– Si do vijojnë marrëdhëniet e saj me Ramën, tashmë që ai është bërë Kryeministër?
– Jo të gjitha ato që ndodhin në jetë, po ashtu, ngjiten në skenë.
– Në këtë sezon, ti vjen edhe me një tjetër rol te “Sulltani i qejflishëm i miletit”. Ç`karakter duhet të shfaqësh aty?
– Unë sjell rolin e Sulltaneshës Mahidevran. Forca qëndron te njësia humoristike dhe, suksesi qëndron në sjelljen në kohë të ngjarjeve në këtë telenovelë, brenda qëllimit që kemi për ta çtelenovelizuar jetën e shqiptarëve… Duhen prodhime Made In Albania, ky është edhe synimi ynë.
– Kam dëgjuar shumë njerëz që vdesin për atë rolin e mirditores, Ajes. Po ti, vdes për të?
– Aja është personazhi që e mbaj pak me hatër. E dua shumë, e luaj gjithmonë me qejf dhe energji… Aq shumë e dua, sa ndonjëherë ndjehem vetë si Aja! (Qesh)
– Ke njohur një personazh të tillë apo ky është një trill artistik?
– Karakteri vëzhgues i realitetit dhe karaktereve është baza e profesionit tim. Kam bërë një miks të personazheve të ndryshëm nga Mirdita, nga ata që kam takuar. Duke qenë nga Lezha, kam pasur rastin të rri e të bisedoj me shumë njerëz nga zona e Mirditës dhe, në qoftë se e kisha kënaqësi që më thërrisnin “zonja Topalli”, tani jam e lumtur që njerëzit, publiku më identifikon me Ajen apo personazhet e tjera që kam sjellë këtu.
– Pak a shumë, në të gjitha rolet, ti je në dyshe me Agron Llakajn. Të ndihmon kjo gjë?
– Jo vetëm me Gonin, por thjesht që interpretoj në krah tij është ndihmë e madhe për mua dhe njëkohësisht, për të gjithë stafin. Më ndihmon, jam me fat. Jam e sigurtë që ai s’do t’i pëlqejë këta rreshta, por unë jam mirënjohëse dhe them: “Agron Llakaj është shkolla ime, njeriu që më ka dhënë suport maksimal!”. Materialet e mia i shkruan po ai dhe për këtë, sinqerisht, ndihem e përkëdhelur nga fati.
– Po Stela, ç’thotë? Më duket se ka nisur një emision…
– Ne kemi një strategji të menaxhimit të personazheve… karakteret janë të gjithë në lojë. Dhe Stela, është në dispozicion.
– Ke kaq shumë personazhe! Të ndodh të të bëhen lëmsh në kokë batutat e tyre?
– Në fillim, unë e di ç’hiqja të mësoja tekstet, por tani, edhe kur marr tekstin paradite para shfaqjes, e fiksoj direkt. Nuk rri dot pa e thënë që Goni më ka ndihmuar edhe për këtë.
– Nëse do të shkëpusje nga një tipar për secilin prej roleve, ku ngjan me to?
– Sinqeritetin. Unë, si natyrë, si kur jam e nervozuar, e qetë, e lumtur, në çdo rast, përgjigjem direkt me atë që ndjej. Po ta vësh re, të gjitha personazhet e mia e kanë këtë të përbashkët.
– Përveç punës, kujt tjetër i kushton rëndësi e kohë?
– Patjetër që familjes dhe mbi të gjitha, është Hana, mbesa ime, 1 vjeçe. Një minutë kohë po të kem të lirë, dua ta kaloj me të. E quaj ditë me fat kur mundem të shkoj ta marr në çerdhe. Unë dhe Hana kemi një lidhje të jashtëzakonshme! Në fakt, harxhoj goxha kohë edhe në dyqane apo qendra tregtare, sidomos kohët e fundit. Gjithashtu, edhe duke gatuaj. E kam shumë qejf gatimin. Edi (i fejuari) vdes për gatimet e mia!
– Foto shooting tashmë është në modë. Ti, që e ke falas këtë shërbim nga i fejuari yt, si ia shpërblen atij?
– Shpërblim?! Nuk e kemi ndërtuar marrëdhënien mbi shpërblimin. I gjendemi njëri-tjetrit gjithmonë kur kemi kohë dhe mundësi. Pastaj, më ka disa foto shooting borxh! Ka filluar të përtojë të merret me mua… (Qesh) Më gjendet në çdo moment, me forma e mënyra të ndryshme.
– Makina e re e blerë për ditëlindje, si po ecën? A është komentuar po aq shumë sa Jaguari i Majlinda Bregut?
– Nuk besoj se është me vend krahasimi, ku unë dhe ku Majlinda! I kisha mundësitë dhe i plotësova vetes një dëshirë. Makina ime nuk është ndonjë çudi, por unë e ndjej veten shumë mirë ama. Në makinë këndoj me zë të lartë, është i vetmi vend ku nuk më thotë njeri: “Na shurdhove, je stonaturë e gjallë!”. (Qesh)
– Çfarë bën kur je në trafik? Shan, mban ndonjë objekt antistres, i bie borisë?
– (Qesh) Po. Një ditë për shembull pata një ngjarje pikërisht për momente të tilla: Shava dikë! Isha me xhama mbyllur, por ndodhi që ai më lexoi buzët… Pastaj më erdhi paralel me makinë dhe pashë që ishte një djalë. Me të qeshur, më tha: “Pse me nerva ti?”. Pastaj më njohu: “Uaaaa Rudiii!!” dhe më komplimentoi! Kushedi ç`fytyrë kam bërë nga komplimenti që më bëri. Pastaj, qesha si rrotë, i kërkova falje, u pashë në pasqyrë dhe i thashë vetes: “Rudi, je femër!”. (Qesh)
– Si është marrëdhënia që ke me aktorët e tjerë në “Al Pazar”?
– Marrëdhënie shumë e mirë. Behari, Altini, Flonja, Kela të gjithë janë pjesë e ndërtimit të atmosferës positive. Kalojmë shumë kohë bashkë dhe ndjehemi si familje, sepse nuk jemi staf shumë i madh.
– Si do ta përshkruaje ambientin e punës ku ndodhesh? Njerëzit janë shumë kuriozë të dinë se si është për ju një ditë e zakonshme në punë…
– Kryesisht, ka atmosferë shumë të mirë. Debati është i domosdoshëm dhe na afron më shumë me njëri-tjetrin, por nuk lejojmë në asnjë moment të lëshojmë në cilësinë dhe nivelin e shfaqjes. Unë jap maksimumin në punë.
– Nëse nuk do të dilje më në skenë, si do të ishte për ty?
– Skena për mua është dashuri shumë e madhe. Nuk e kam ndërtuar të ardhmen me: Në qoftë se… Kam fat që bëj punën që dua.
– Kujt ia detyron suksesin dhe famën tënde?
– Unë suksesin e ndaj me të gjithë stafin, sepse te ne kështu funksionon dhe më vjen mirë që edhe Goni e thotë shpesh: “Mbreti i suksesit është tavolina!”. Të gjithë punojmë dhe japim mendimin tonë për çdo ngjarje e çdo karakter. Puna dhe pasioni, dashuria që kam për këtë profesion, bëjnë që të marr shpërblimin e dashurisë së publikut… Në fund të fundit, profesionit tim i jap dashuri dhe ai ma kthen me të njëjtën monedhë.
– A e kthen ndonjëherë kokën pas për të bërë krahasimet?
– Për çdo njeri, e kaluara është pasqyrë e së ardhmes… Rritja ime nuk fillon këtu… Mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar në rritjen time profesionale. Por, tashmë këtu diferenca është e madhe dhe kam dëshirë të ngulem mirë: Jam e lumtur që jam këtu!