Më përjashtuan nga provimi
– Ç’do të thotë të shohësh në ëndërr sikur të përjashtojnë nga provimi? Theksoj që nuk jam në shkollë, por më ndodh ta shoh veten në bangat e shkollës sikur ngel në provim, sikur s’më kujtohen fjalët; një siklet i paparë! Dua një parashikim. Ju falënderoj.
– Të shikoni sikur ju përjashtojnë nga ndonjë provim, parashikon ankth për diçka personale tuajën, ose mungesë besimi në vetvete, pra, një lloj uljeje vetëvlerësimi. Nëse keni ndonjë projekt ose plan personal, ose çfarëdoqoftë ai, në këtë periudhë nuk është e këshillueshme të merrni vendime. Jeni në ankth dhe ëndrra ju këshillon të qetësoni veten e të keni më shumë besim te vetja juaj sesa te personat që ju rrethojnë. Nuk po themi që dikush është me hile në rrethin tuaj, por që nuk duhet ta kërkoni mbështetjen te të tjerët, kur ju vetë veten nuk e mbështesni sa duhet. Në momentin që do të filloni të keni më shumë besim në vetvete, nuk do të shikoni më ëndrra të tilla.
Minjtë
– Kam parë në ëndërr sikur më hyri në shtëpi një mi shumë i madh e një i vogël. M’u futën te dollapi i rrobave dhe rrëmonin gjërat. Më pështirosën aq shumë saqë mundohesha t’i largoja, por u zgjova nga gjumi nga sikleti. Pres një parashikim.
– Minjtë, në përgjithësi, përfaqësojnë shqetësimet e ditës ose të së kaluarës, që ju shqetësojnë akoma në të tashmen. Pra, ata janë simbol i gjërave të vogla që simbolizojnë frikë, bezdisje dhe shpesh, edhe paralajmërojnë të keni kujdes nga njerëzit që fusin hundët në punët tuaja sepse mund t’ju shqetësojnë, ashtu siç ju ka ndodhur në ëndërr. Por, çdo gjë është kalimtare; do të arrini t’i largoni shumë shpejt situata apo shqetësime të tilla.
Shikoja nga dritarja…
– Kam parë një ëndërr shumë të çuditshme dy net rresht. Isha në një ambient jo shumë të njohur për mua dhe shikoja nga dritarja njerëz që lëviznin. Sapo ata kthenin kokën, unë fshihesha pas parmakut të dritares. Ata ishin kërcimtarë, aktorë, njerëz të thjeshtë. Unë rrija në dritare, por kisha një shqetësim brenda vetes që nuk doja ta tregoja. Çfarë kuptimi ka, ju lutem? Vjoleta.
– E nderuar Violeta, dritarja, në vetvete, përfaqëson këndvështrimin tuaj në jetë, por në varësi të përmbajtjes së ëndrrës, tregon akoma më tutje që ju nuk jeni shumë aktive. Jeni thjesht një vëzhguese e të tjerëve dhe shpesh, përgjoni atë që bëjnë të tjerët, gjë që ju është shndërruar tashmë në një lloj hobi. Këtë gjë ose e bëni sepse ndiheni shumë e vetmuar, ose sepse prisni më shumë nga të tjerët sesa nga vetja. Duhet të jeni tip shumë e mbyllur në vetvete dhe kjo ka ndikuar jo mirë te ju. Ëndrra ju fton të dilni nga vetizolimi dhe të përballeni si me problemet, ashtu edhe me botën jashtë. Ndoshta keni frikë nga përballja, nga njohja me problemet, me persona të rinj, pra, është diçka që ju shqetëson brenda vetes, ndoshta fakti që ndiheni e izoluar. Ju e keni vetë veten në dorë, kështu që mund të dilni nga kjo gjendje, duke filluar nga momenti që lexoni këtë shpjegim, ndryshe, rrezikoni të ndiheni akoma më e vetmuar.
Qaja pa pushim
– Çfarë do të thotë ta shohësh veten në ëndërr duke qarë? Ndonjëherë, kaq shumë qaj saqë zgjohem po duke qarë. Nuk i mbaj mend si episode, por di që nuk pushoj së qari, as kur zgjohem. Doja të dija kuptimin e kësaj ëndrre. Faleminderit.
– Nuk duhet të shqetësoheni kaq shumë, sepse e qara, në shumicën e ëndrrave, parashikon çlirim emocionesh e ngushëllim në jetën reale. Përgjithësisht, shumë persona i mbajnë emocionet e tyre brenda vetes dhe pamundësia për t’i shprehur në jetën reale, bën që personi të ketë një lloj shqetësimi brenda vetes e akumulim ndjesish, të cilat shpërthejnë gjatë natës në ëndrra të tilla. Të qarët në këtë mënyrë siç e shprehni ju, tregon rrugën drejt çlirimit nga e kaluara dhe fillimit të një jete të qetë. Ju, me siguri, keni mbajtur shumë ndjenja brenda vetes prej kohësh dhe ndoshta brengoseni më shumë seç duhet për të ardhmen. E qara ju ndihmon të çliroheni fizikisht, emocionalisht, por është edhe një shenjë që e ardhmja do të jetë shumë më e qetë dhe më e bukur. Do të harroni gjithçka që ju ka bërë të vuani gjer tani dhe ju presin momente të bukura.
Isha në burg
– Kam parë veten në burg dhe u thoja punonjësve aty: “S’e kuptoj pse më keni futur në burg, unë s’kam bërë asgjë të keqe”. Theksoj që jam femër dhe u çudita kur pashë këtë ëndërr, sepse as kam njeri në burg, as e kam përmendur. Isha pas hekurave dhe kërkoja që të më shpjegonin dhe të më nxirrnin, por askush nuk më dëgjonte. Pres një shpjegim. Faleminderit.
– Të shohësh veten në burg, s’do të thotë që ka lidhje me burgun në jetën reale, por tregon pengesat që keni ju. Keni një plan në dorë, por do të keni pengesa për ta realizuar. Mund të jetë projekt pune, mund të jetë diçka personale për jetën private. Jeni e rrethuar nga disa persona shumë ziliqarë, të cilët po mundohen t’ju pengojnë me çdo kusht. Fakti që nuk ju dëgjon askush në ëndërr, do të thotë që do të kaloni ca ditë të vështira, sepse s’do të keni mbështetjen që kërkoni. Megjithatë, kjo s’do të thotë të dëshpëroheni, sepse ëndrrat jo gjithmonë dalin, ose më saktë, mos i besoni sidomos kur kanë tendencën për të treguar diçka negative. Ndonjëherë, jemi vetë ne ndërtuesit e së ardhmes dhe duke menduar pozitivisht, mund të zgjidhim gjithçka. Ëndrra të tilla edhe ju paralajmërojnë që nëse keni ndonjë projekt, të reflektoni më mirë dhe ta studioni situatën rreth jush që të mos ndiheni e burgosur, si në ëndërr. Gjithë të mirat!