Banorët e Japonisë dallohen në të gjithë botën për fizik të përkryer, shëndet të plotë e jetëgjatësi. Sipas një mendimi të përgjithshëm, këto janë pasoja të të ushqyerit racional, të zgjedhjes dhe të përgatitjes së ushqimit sa më mirë, madje thonë se “dieta japoneze”, mënyra e të ushqyerit në Japoni fillon me shtrimin e tavolinës, duke mbajtur parasysh edhe “finesa” të atilla, të cilat në shumë vende të tjera nuk përfillen fare. Kështu, për shembull, kur shtrojnë tavolinën për të ngrënë, japonezët u japin rëndësi përmasave dhe formës së enëve, pjatave, gotave, lugëve, pirunjve, pecetave, ngjyrës së tyre, etj. Në atë vend të bekuar, ekzistojnë 10 stile të ndryshme servirjeje dhe secili prej tyre ka, jo vetëm emrin, por edhe veçantitë e tij të papërsëritshme. Ndër ta, mund të përmendim: Stili i kedrit, stili i orizit, stili i “gjoksit”, etj. Një tavolinë e shtruar “ala jajponezçe” të kënaq syrin dhe të jep kënaqësi estetike pikërisht si një akuarel i pikturuar me mjeshtëri nga një mjeshtër peneli. Po jo vetëm me bukurinë dhe origjinalitetin e vet u tërheqin vëmendjen hurmanëve gjellët dhe tavolinat japoneze. Çështja është se kuzhina tradicionale japoneze njihet edhe nga mjekësia si më e shëndetshmja dhe me të mund të krahasohet vetëm ajo e disa vendeve mesdhetare. Por, çudi mbi çudirat në këtë fushë është “dieta”13-ditore japoneze”, që nuk është krijuar nga dietologët në laboratore, por ka ardhur si zhvillim i natyrshëm i kuzhinës tradicionale japoneze. Kjo dietë në fakt nuk ka ndonjë dallim të madh nga ushqimi i përditshëm i japonezëve dhe është pikërisht ky ushqim që i ndihmon ata ta mbajnë trupin në formë. Dietën japoneze, ose më mirë të themi, mënyrën japoneze të të ushqyerit e quajnë ndryshe edhe dieta e geishave. Kryesor në këtë dietë është përjashtimi kategorik i kripës, sheqerit, behareve pikante dhe alkoolit. Në dietën japoneze, një vend të rëndësishëm zë jo vetëm cilësia e ushqimeve, jo vetëm paraqitja e tij sa më bukur në tavolinë, por edhe sasia. Japonezët e mësojnë stomakun e tyre të hajë pak, ose më mirë, të hajë aq sa duhet dhe këtë rregull ata e respektojnë, pavarësisht se mund të jetë, për shembull, ushqim i mirë që u pëlqen shumë. Nga kjo pikëpamje, mënyra e të ushqyerit me dietën japoneze kërkon një vullnet të fortë dhe në qoftë se nuk je në gjendje të mos hash asnjë gramë më tepër nga sasia e parashikuar e ushqimit më të preferuar, atëhere, më mirë është të mos i futesh fare asaj rruge. Mënyra e të ushqyerit, sidomos e ashtuquajtura “dietë japoneze” mund të përdoret nga obezët edhe si mënyrë dobësimi. Ata që janë mbipeshë, po të ndjekin dietën japoneze, mund të bien nga pesha brenda 13 ditëve deri në 9 kilogramë, pa e dëmtuar aspak shëndetin e tyre, përkundrazi, duke e forcuar atë… Sipas dietologëve, këtë dobësim drastik e sjell mospërdorimi i kripës dhe i sheqerit. E dyta, gjithmonë sipas dietologëve, kjo ndodh sepse gjatë dietës zvogëlohet stomaku dhe ngopet më shpejt. Po çfarë përdorin më shumë japonezët në “dietën” e tyre? Kryesisht oriz, barishte dhe peshk, por epërsia e kësaj diete qëndron më shumë në faktin se çfarë nuk duhet ngrënë si sasi e si cilësi dhe jo se çfarë duhet ngrënë. Dhe, më e rëndësishme, sikurse thamë, është kufizimi drastik i kripës dhe i sheqerit.
Advertisement