– Çfarë rrjedhe ndjek një ditë e Adelinës?
– Zgjohem herët për të çuar Fionën në kopësht, pastaj kam kohë për vete që të rregullohem, të ha mëngjesin në qetësi me apo pa burrin dhe shkoj jap mësim në shkollë, sepse jam mësuese kantoje. Sapo të mbaroj, marr Fionen në kopësht, bëhemi bashkë me bashkëshortin dhe shkojmë në ndonjë restorant ose përgatis ushqimin në shtëpi. Pastaj, vjen koha për lojërat me Fionën, kafeja e pasdites dhe koha për gjumë…
– Jeton më tepër me rregullat apo me përjashtimet?
– Jeta duhet të ketë disa rregulla, por edhe përjashtimet e saj, sepse nuk mund të jetosh gjithmonë me rregullat. Vetëm se njeriu duhet të dijë ku dhe si!
– Ku dhe si?
– Përpiqem të mos angazhohem tepër, që të jetë gjithçka në vend të vet në shtëpi apo kudo. Vetëkontrollohem pakëz edhe te shpenzimet e mia. (Qesh)
– Je e kënaqur me zgjedhjet që ke bërë deri më tani?
– Natyrisht që po, pavarësisht se çdo njeri ka mendimet e tij. Sipas situatës duhet vepruar dhe, kur bëj një rishikim të përgjithshëm, them se kjo jam unë dhe më pëlqen.
– Cila është gjëja më e bukur që të ka ndodhur në karrierën tënde muzikore?
– Unë kam realizuar shumë gjëra të bukura në muzikë, tek ajo e lehta më shumë, por edhe te klasikja, që është më e vështira. Kam krijuar një personalitet e një imazh timin dhe për këtë jam krenare. Shpeshherë, njerëzit më pyesin për gjëra të mijat apo për paraqitje, por nga natyra jam pak më e tërhequr kur është fjala për të folur për veten dhe disa gjëra dua t’i mbaj për vete.
– Tashmë, i gjithë procesi, duke filluar nga realizimi i këngëve, xhirimi i klipeve apo pjesëmarrja në koncerte është kthyer në rutinë apo vazhdon të jetë kënaqësi?
– Varet sa e do muzikën apo profesionin që bën. Natyrisht, disa gjëra kalojnë në rutinë, por këngët, interpretimet e paraqitjet e mëdha i bëj çdo herë me pasion dhe kënaqësi.
– Sukseset janë në proporcion të drejtë me punën, fatin apo këmbënguljen?
– Talenti është dhuratë nga Zoti. 1 % është pesha te talenti, kurse 99 %, është te puna, prandaj këto që sapo përmende, janë të lidhura me njëra-tjetrën.
– Cila është skena më e madhe ku ke kënduar ndonjëherë?
– Arena në qytetin e Pulës në Kroaci, me rreth 5000 spektatorë që më ndoqën dhe duartokitën pa fund. Do ta mbaj mend gjatë.
– E ka prekur kriza financiare botën e muzikës?
– Natyrisht që po. Në krahasim me vitet më parë, po, shumë madje.
– Me çfarë të pëlqen të merresh? Me se argëtohesh në këtë kohë?
– Tani nuk kam kohë si më parë, por kur kam, argëtohem me bashkëshortin dhe shoqërinë. Më pëlqen të dal për darkë dhe të bëj shopping, ashtu si çdo femër. Më pëlqen gjithashtu të lexoj revista të ndryshme për modën, kuzhinën apo për shtëpinë. Më parë më pëlqente edhe sporti… Për momentin, jam shkëputur paksa, ama shumë shpejt do ta filloj përsëri.
– Cili është komplimenti më i madh që ke marrë deri më tani në aspektin profesional?
– Edhe komplimentet prifesionale duhet të dish nga kush i merr. Unë i dua njerëzit që i njoh mirë dhe kam punuar shumë me ata. Prej tyre e marr me shumë dashuri dhe respekt komplimentin.
– Nga kush e ke marrë komplimentin më të bukur?
– Nga profesoresha ime, e cila më ka thënë që kam vokalin më të ëmbël, më depërtues dhe një teknikë jashtëzakonisht të mirë. Kjo më ka bërë të ndihem shumë mirë. Kam marrë edhe nga kompozitorët që i respektoj shumë. Edhe nga fansat e mi, sigurisht, nuk mungojnë komplimentet…
– Cila është pika jote e referimit?
– Çdo njeri ka një pikë referimi besoj, por kjo puna e artit bazohet shumë në spontanitet dhe inspirimi që të vjen aty për aty, i kthen frymëzimet në punë. Jeta, përditshmëria dhe çdo gjë që përjeton janë pika të referimit, prandaj unë u referohem gjërave të bukura.
– Sa orë merresh totalisht me veten?
– Më parë më shumë. Tani e kam limituar pak, por kur merrem me veten, i jap gjithë ditën. Kujdesi për veten duhet, edhe pse pak më pak se kur nuk kishte lindur Fiona.
– Gjëja më relaksuese, sipas teje…
– Tani është vetëm masazhi dhe gjumi. (Qesh)
– Me kë e ke bërë foton e fundit?
– Me një shoqen time.
– Ke ndonjë foto nga fëmijëria me të cilën qesh sa herë e shikon?
– Po, si jo? Shumë madje.
– Cila ka qenë këshilla më e mirë e mamasë tënde?
– Janë shumë që ia vlen t’i tregosh, prandaj do të thosha vetëm se kanë qenë, janë dhe do të jenë këshillat më të mira, më me vend dhe që ende ia kërkoj, vetëm nga mënyra se si m’i thotë.
– E ke ditur që do të kishe këtë impakt në publik që përpara se t’i futeshe kësaj rruge apo erdhi papritur?
– Unë kam qenë e ledhatuar, si fëmija i parë që isha, pastaj kisha aftësinë që t’i bëja njerëzit të më dëgjonin vetëm mua, duke kënduar, duke folur dhe po ashtu, me veshjet e mia atraktive. (Qesh) Më karakterizonte sensi i humorit që fëmijë.
– Me një analizë objektive të vetvetes, gjykon se je më shumë një njeri i mirë apo i keq?
– Kush do të thotë që jam njeri i keq? Çdo njeri ka të mirat dhe të këqijat e veta. Unë mendoj se kam më shumë të mira.
– Cili është koncepti yt për Ferrin dhe Parajsën?
– Po përgjigjem si atëhere kur isha e vogël: Parajsa është me lule, ferri me ferra.
– Kë do të zgjidhje të dërgoje në të parën dhe kë, në të dytin?
– S’e kam mendu kurrë dhe nuk lodhem fare për këtë punë. Le t’i gjykojë natyra vetë, jo unë.
– Ti vetë, ku qëndron?
– Mbi dy këmbët e mia.
– Kur ka qenë hera e fundit që ke mbetur pa asnjë para në xhep?
– Kam qenë në Graz të Austrisë, në një festival dhe aq shumë shpenzova që në ditën e parë, pa menduar që kisha dhe një javë tjetër, sa mbeta pa para. M’i dërgoi babi, nëpërmjet një shoku që kishte në Austri. (Qesh)
– Çfarë do të të bënte të bije në gjunjë?
– Pyetje interesante! S’e kam menduar asnjëherë…
– Si do të ishte Adelina djalë?
– Këtë e kam menduar… Do të vraponin gocat pas meje, sepse e di çfarë kërkojnë ato. (Qesh)
– Përpiqesh të jesh gjithmonë më e mira?
– Me masë. Kur je e mirë, s’ke pse përpiqesh fare.
– Çfarë e mbush 24 orëshin tënd?
– Familja ime, puna ime.
– Motivi i jetës tënde…
– Tani është vajza ime Fiona dhe gjithë familja që kam. Jam shumë e lidhur me familjen dhe jemi bashkë në çdo veprim që bëj.
– Në fund, çfarë do na thuash?
– Paçi shëndet e suksese në jetë!