Ndërkohë që bota pret të mësojë se cili nga të afërmit e Aleksandrit të Madh është varrosur në varrin madhështor që u gjet kohët e fundit në Veri të Greqisë, ekspertët kanë zbuluar se çfarë figure fshihet pas mozaikut në dyshemenë e tij. Bëhet fjalë për mitin e Persefonës, të hipur në një kaloshinë, të cilën e kanë rrëmbyer dhe po e çojnë në botën e nëndheshme, në Had.
Gjetjet e Amfipolisit, në Veri të Greqisë, u shtojnë vërtetësi dyshimeve të specialistëve se varri mund t’i përkasë nënës apo gruas së Aleksandrit të Madh, ose ndonjë ushtaraku të rëndësishëm. Ekspertët deri tani kanë zbuluar statujat gjigande që ruanin varrin dhe mozaikun. Ky i fundit ka përmasa 4.5 metra me 3 metra dhe mbulon gjithë dyshemenë e një dhome, që mendohet se është paradhoma e dhomës kryesore ku ndodhet varri. Figura e tij femërore është Persefona, vajza e Zeusit dhe e perëndeshës së të korrave, Demetrës, që ka veshur një fustan të bardhë dhe po drejton një kaloshinë. Hermesi, mesazheri i perëndive, shihet të drejtojë karrocën për në botën e nëndheshme. Është një skenë popullore që ilustronte varret e asaj kohe, pasi diçka e ngjashme është gjetur edhe në një varr mbretëror, në Egjes, aty afër.