Kuptimin e fjalës së urtë: “Kur të ngjitet gomari mbi dërrasa (mbi çati)”, që flet për gjëra të cilat janë të pamundura, shumë popuj e shprehin në mënyra të tjera. Kështu, fjala vjen, rusët thonë: “Kur të fishkëllejnë karavidhet në mal”. Kjo fjalë e urtë shpreh pamundësinë e karavidheve për t’u ngjitur në mal, ashtu sikurse tregon se gomerët e kanë të pamundur të ngjiten mbi çati… Po, meqë ra fjala, karavidhet mund të mos ngjiten në mal, por a këndojnë vallë ato?
Midis numrit shumë të madh të llojeve të karavidheve, që arrin deri në 40 mijë lloje, mund të ndeshësh në një fenomen që të habit: Disa karavidhe janë në gjendje të lëshojnë një zë që i ngjan fishkëllimës. Më të njohurat prej tyre janë “karavidhet violiniste”, të cilat jetojnë në territoret pranë deteve tropikale dhe mund të qëndrojnë gjatë në stere. Ato nuk kanë me se të fishkëllejnë sepse u mungojnë mushkëritë, por megjithëse “zvarriten” mbi tokë, ato marrin frymë ashtu sikurse edhe simotrat e tyre në ujë, me anë të velëzave. Ndërkaq, ato kanë mësuar të komunikojnë me njëra-tjetrën duke çokitur në tokë. Duke trokitur me këmbët e tyre, ato lajmërojnë shoqet për rrezikun që mund t’u kanoset. Ky lloj karavidhesh, që jetojnë ndanë detit në cekëtirat e tij, dinë që me “pincetat” e tyre goxha të gjata të nxjerrin nga këto trokitje një zë karakteristik. Me sa duket, kur ato qëllojnë tokën e lagur, lind i ashtuquajturi “efekt i kavitacionit”: nga presioni që ushtrohet mbi ujë krijohen fllucka gazi të cilat pëlcasin njëra pas tjetrës duke lëshuar tingujt karakteristikë të “violinës së tyre”. Kërcitje të lehta dhe tinguj të lehtë në formën e fishkëllimës lëshojnë edhe langustat, karavidhe të mëdha pa këmbë. Po t’i vësh re me kujdes, duket sikur ato i bien një instrumenti muzikor me tela dhe lëshojnë zëra fantastikë. Forca dhe lartësia e notave mund të ndryshojnë në varësi të forcës me të cilën rrahin ujin. Përsa u përket langustave, ende nuk dihet qëllimi i muzikës së tyre, ka vetëm supozime. Ka të ngjarë që me këta tinguj ato largojnë grabitqarët nga vetja sepse shpesh ato lëshojnë këto zëra kur tremben. Mund të jetë kjo edhe një mënyrë komunikimi me sishoqet. Veç diçka duhet nënvizuar: Organet e dëgjimit, karavidhet i kanë mjaft të “prapambetura”; ato s’janë veçse disa si qime të përhapura në të gjithë trupin. Vështirë të përfytyrohet se me anën e tyre ato “kapin” ndryshimet e holla të amplitudave të zërit, por drejtimin nga vjen, ama, janë në gjendje të përcaktojnë. Në SHBA po përdoret një metodë për kapjen e karavidheve me anën e emetimit të këtyre zërave… Nën tingujt e “këngës”, ato grumbullohen dhe pikërisht këtu bien në grackë, kapen të gjitha së bashku nga peshkatarët.
Advertisement