– Përshëndetje doktor Jashari! Jam shumë kurioz të mësoj, çfarë është çrregullimi deluziv? Pres një përgjigje nga ju. Faleminderit.
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – Për të kuptuar edhe më mirë se ç’janë deluzionet, duhet të shpjegojmë më parë se ç‘janë iluzionet. Kjo ka shumë rëndësi, pasi iluzionet nuk janë sëmundje, por gabime “normale” të shqisave, ndërsa deluzionet janë shkëputje nga realiteti, prandaj sa herë që na vijnë njerëz me çrregullime deluzive, u themi familjarëve se “njeriu juaj është një çikë pa qejf”, domethënë, i sëmurë, pasi mund të ndodhë shpesh që vetë i sëmuri, jo vetëm që s’e kupton se është i sëmurë, por çuditet po t’i thuash, pasi ai nuk e kupton se i ka çrregullime, haluçinacione, ai i beson ato si të vërteta. Ndaj ka raste që familjarët çuditen me ne doktorët kur ne e dëgjojmë me shumë seriozitet të sëmurin i cili na i tregon si të vërteta gjërat krejt të çuditshme e absurde dhe biseda me të sëmurin ngjan si petullat me ujë. Ka edhe raste kur i sëmuri na thotë: “Ja, o doktor, të lutem, bindi këta familjarët e mi që s’më besojnë, që thonë se ia fus kot, se unë nuk di të gënjej e as nuk flas “kodra pas bregut”. Në të vërtetë, i sëmuri ka të drejtë, pasi vërtet nuk po gënjen ai; atë vetë e gënjen sëmundja, ai i “sheh” si të vërteta figurat, i dëgjon zërat, i ndjen aromat e mira apo të këqija, edhe aty ku nuk ka të tilla. Madje, ai mund të çuditet si nuk i shohin apo djejnë të tjerët dhe i duket sikur të tjerët nuk janë normalë. Pra, deluzionet janë sëmundje, sepse i sëmuri nuk është i ndërgjegjshëm apo i papërgjegjshëm për to, ai nuk thotë se “kështu më duket”, por thotë: “kështu është dhe, pikë!”. Për shembull, iluzion është të parit e një rrënje peme e cila lëviz si gjarpër i zi në ujin që e valëzon era dhe ne trembemi se na duket si gjarpër, por është deluzion (haluçinacion pamor) për të sëmurin që thotë: “Ja, tek është një gjarpër!” dhe tmerrohet, ikën, kur aty gjarpër nuk ka. Po ashtu është iluzion një shkop i futur në ujë që na duket si i përthyer, nga një distancë e largët, por na duket afër, shinat e trenit të cilat në distancë na duket sikur bashkohen, pra, të gjitha këto janë iluzione pamore, pasi njeriu e di, e kupton se këtu syri na “gënjen”, kurse do të ishte haluçinacion ose çrregullim deluziv pamor nëse i sëmuri tregon sende, njerëz apo objekte sikur janë aty ku nuk ka fare të tillë. Deluzionet janë me pasoja dhe i sëmuri mund të futet edhe në panik apo të “krijojë” hasmëri e që mendon se duhet të hakmerret apo “mbrohet” nga dikush kur tjetri as nuk di gjë dhe po ta dëgjojë, mund të habitet pasi s’ka asnjë punë me të. Pra, deluzionet duhen trajtuar e kuruar me farmakoterapi, përkujdesje e psikoterapi tip “hipnoze”, kurse iluzionet mund të jenë edhe të dobishme, siç është për shembull të shikuarit e një filmi, figurë pas figure, por që ne nuk e kapim me sy dhe na duken lëvizje të çrregullta. Iluzionet na ndihmojnë edhe në lidhje me aftësitë tona të imagjinatës dhe imagjinata na bën të përjetojmë apo të zbulojmë gjëra të bukura. Iluzionet, shpesh, përjetohen si ëndërr me sy hapur dhe personi është i ndërgjegjshëm se nuk është realitet, kurse deluzioni është përjetimi i vërtetë i një “realiteti” që mungon. Frikërat mund të na krijojnë edhe iluzione, porse ne i bindim njerëzit ankthiozë se frikërat nuk janë sëmundje. Për shembull, një njeri që ka frikë se mos çmendet, e vuan shumë këtë frikë sepse e kujton për realitet dhe përjeton lloj-lloj mendimesh iluzive, porse ai nuk çmendet kurrë sepse e kupton iracionalitetin e mendimeve të tij, kurse një i çmendur, jo vetëm që s’e di se është i çmendur, por as nuk ka frikë nga kjo sëmundje, madje mund të jetë edhe i gëzuar, nëse fjala vjen, beson se është pronar i madh i një banke apo pasurie që beson se e ka, por që në fakt, nuk ekziston. Dua t’u them doktorëve psikiatër, kolegëve të mi të nderuar, që të mendohen mirë para se të vendosin diagnozën “skizofreni”, se një pakujdesi e vogël në diagnostikim, e fut shërimin në qorrsokak dhe e merr më qafë pacientin, e dëmton dhe e vonon shërimin e tij, përveç kostos së lartë dhe brengave e lotëve të familjarëve.
– Shumë klientë me obsesione të çuditshme, të axhituar e dukshëm në ankth, me ide derealizimi, mund të përngjajnë fare lehtë me skizofreninë. Sipas shkencës, ajo që psikiatrët kanë diagnostikuar deri më sot si skizofreni, mund të jetë e ndarë realisht në 8 sëmundje të ndryshme. Sipas studimeve të fundit, “sëmundjet komplekse”, siç është skizofrenia, mund të influencohen nga qindra apo mijëra variacione gjenetike, të cilat në mënyrë komplekse bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. Pra, kur të vendoset diagnoza “skizofreni”, të jemi të sigurtë për këtë, pasi më mirë të mbahet për ca kohë i patrajtuar pacienti, sesa të trajtohet gabimisht, pra, të dëmtohet dhe vonohet shërimi. Në punën time 35 vjeçare kam parë lloj-lloj “çudirash” si për shembull, kur një klient është diagnostikuar nga doktori me skizofreni, ndërkohë që ai ka qenë i droguar, pra është njëlloj sikur një të dehur ta kujtojmë për skizofren. Po ashtu, shumë klientëve me çrregullime obsesive-kompulsive doktorët u kanë dhënë rispoleptin apo alanzapinën vetëm sepse kanë dëgjuar për ca frikëra të “çuditshme” që ka klienti dhe nuk e kanë marrë fare parasysh faktin se klienti është i vetëdijshëm që nuk duhet t’i ketë ato, pra, është në luftë me to, ndaj edhe ka ardhur te doktori. Zakonisht, skizofrenët nuk vijnë vetë te mjeku, pasi ata nuk e besojnë se janë të sëmurë. Ka plot raste kur një familjar e sjell skizofrenin te doktori vetëm duke i thënë se duhet që ta shoqërojë atë pasi vetë familjari ndjehet sëmurë. Në këto raste, neve na duhet me zor që ta bindim skizofrenin se ka nevojë edhe ai për ca “qetësues” ose ilaçe që e mbrojnë për të qenë kaq “mirë”. Le pastaj rastet kur histeritë kujtohen për epilepsi, kur ndryshimi në mjekim është krejt ndryshe e kur histeriku është “aktor” i madh, e zgjedh gjithnjë vendin kur bie, ndonëse me kalimin e kohës, i bëhet “zakon” e nuk mundet të mos bjerë, kurse epileptiku nuk kupton asgjë se ku bie, nuk e di se ka rënë dhe mund të bjerë në zjarr, në ujë apo të thyejë kafkën. Si ka mundësi që të vendoset diagnoza epilepsi pa e pyetur klientin nëse e zgjedh vendin ku bie dhe se sa herë është dëmtuar? Të mos e bëjmë “gogol” këtë skizofreninë, pasi ajo është një sëmundje plotësisht e trajtueshme, e shërueshme, aq sa skizofrenët ndonjëherë janë aq të zotët e të dobishëm në ca drejtime, aq sa mund ta kemi parë filmin ku një profesor skizofren fitoi çmimin Nobel në matematikën apo ekonominë që studionte. Nuk është “shejtani” apo “Djalli” që ua dikton atyre çuditë tepër të zgjuara, por ajo pjesë e mendjes brilante që si mendja e Ajnshtanjit, çudirat i kishte vetëm në disa drejtime dhe ishte aq harraq e “ordiner” në ca përgjigje sa s’besohej. Ndaj edhe shumë shkencëtarë sot thonë se “skizofrenia” nuk ekziston. Madje, jo gjithmonë prania e haluçinacioneve flet për sëmundje psikike, pasi ka edhe “haluçinacione” të sugjestionuara, të induktuara si për shembull, një nënë beson e vuan se djalin e saj e sulmojnë, e ndjekin vetëm e vetëm se këto ia thotë djali, ose siç ka qenë një rast studimi nga doktoreshë Jurikova në Bullgari që vajzën e cila thoshte se “unë fluturoj” dhe e besonte këtë, e përjashtoi nga diagnoza skizofrenike kur mori vesh se ajo kishte parë hinduset para kamerave që mposhtnin gravitacionin e ngriheshin në ajër, ose nga dhimbshuria për babain e vdekur, duke parë “Liqenin e mjelmave” ku vajzat “ktheheshin” në mjelma e “fluturonin” dalëngadalë filloi që të besonte se dhe ajo “fluturon”. Në këto raste, ajo u induktua, u manipulua nga e pabesueshmja e cila iu duk si e besueshme, nga dëshira për ta bërë këtë gjë thoshte disa “përjetime” që i duken si të vërteta kur janë “pseudo”, fallco, por që në bisedat e shtruara me Jurikoven e shprehu se thellë-thellë e kishte ndjerë sikur e bënte, por asnjëherë s’e kishte bërë këtë lloj “fluturimi”. Pra, kjo vajzë, nga një grup doktorësh ishte trajtuar me barnat e gabuara sepse vetëm psikoterapia dhe kthjellimi psikik e sollën në dyzen shpirtëror. Është njëlloj si me një kompjuter i cili e ka problemin me “programet” dhe ne përpiqemi që t’i zëvendësojmë pjesët, veglat, kur ai funksionimin e ka shumë në rregull…
Advertisement