Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Të mbash në shtëpi një kafshë… ekzotike!

Në pamundësi për të shkuar me avion në xhunglën afrikane, mbyllini sytë dhe provoni imagjinatën… Gjelbërimi i gjallë i bimësisë së dendur, cicërimat e zogjve të të gjitha llojeve dhe ngjyrave, një burim që rrjedh diku aty, zhurmat e çuditshme tipike të mistershme, si dhe rreziku gjithnjë i pranishëm se një gjarpër mund të të përdridhet në trup, një tigër mund të ta presë rrugën ose një majmun mund të të rrëmbejë nga dora aparatin fotografik… Një shëtitje me mendje në botën e egër dhe, befas, rikthimi në realitet, ju bën të kuptoni se ekzotika ka zbritur edhe në shtëpitë e shqiptarëve, për të cilët, tashmë, nuk është më në modë të mbash një qen apo një mace. Një majmun, tigër ose gjarpër, po! Sepse janë ata që tërheqin vëmendje dhe sepse kështu, nuk është më e nevojshme të marrësh rrugën për në cirk apo për në kopshtin zoologjik…

kadiri me gjarprinKadiri: Kur e mbaj në dorë, ndihem hero!
– Përshëndetje Kadir! Ti mban në shtëpi një gjarpër… Pse një kafshë të tillë dhe jo një qen apo një mace, për shembull?
– Çdo njeri mund ta mbajë një qen apo një mace; gjarpër nuk para mban njeri në shtëpi! (Buzëqesh) Kur isha i vogël, i kisha shumë qejf. Pastaj, pashë një gjarpër kur luaja në park. Ata janë shumë të bukur, plus që është interesante kur e nxjerrin gjuhën jashtë në çdo moment. Për më tepër, kur e ke në dorë, të bën të ndihesh hero, sikur nuk ke frikë nga asgjë.
– Si e gjete dhe sa kushtoi?
– E bleva në dyqanin e kafshëve dhe kushtoi afro 200 euro.
– Me çfarë e ushqen?
– Me minj. I blej edhe ata… Zakonisht, ushqehet një ose dy herë në javë.
– Sa vjeç është gjarpri tani dhe sa ka qenë kur e ke marrë?
– Ishte 6 muajsh kur e mora. Tani është 3 vjeç.
– Sa rrojnë gjarpërinjtë?
– 20-30 vjet, por nuk jam i sigurtë 100%. Mundet të sëmuret dhe të ngordhë më shpejt. (Buzëqesh)
– I ke vënë emër?
– Akoma jo, s’di si ta quaj. (Qesh)
– Po si e thërret?
– Gjarpërin mund ta thërrasësh, por nuk vjen. Duhet të shkosh ta marrësh aty ku është.
– Përbën rrezik ta mbash në shtëpi? Është agresiv?
– Jo, këta gjarpërinj nuk janë agresivë pasi u është hequr helmi. Nuk mund të marrësh një gjarpër në mal dhe ta sjellësh për ta mbajtur në shtëpi. (Buzëqesh)
– Ku fle ai?
Ka një kafaz prej qelqi dhe rri atje pothuajse gjithë kohën, i mbyllur. Vetëm kur dua ta mbaj në dorë, e nxjerr jashtë.
– Nuk ke frikë se natën mund të dalë nga kafazi dhe të të mblidhet pas trupit?
– Nuk ndodh, se e mbyll mirë kafazin me kyç.
– Të është ankuar ndonjë komshi?
– Jo, deri tani, jo.
– Çfarë natyre ka gjarpëri? Çfarë ke kuptuar në kaq kohë sa e mban?
– Gjarpërinjtë janë shumë të zgjuar. Nëse nuk i trazon, as ata nuk të trazojnë. I mban në dorë, të shtrëngohen rreth dorës e lëshohen pastaj.
– Ç’kafshë tjetër të intrigon po aq sa ai?
– Do të më pëlqente të kisha një iguana…

ervini me tiger 2Ervini: Jam i fiksuar pas tigrave!

Advertisement

– Si është të kesh një tigër?
– Emocionuese, shumë interesante…
– Ku e mban?
– Në shtëpi. Unë ndodhem në Londër tani, por vëllai dhe motra janë në Tailandë (aty ku e mban edhe tigrin) pastaj kemi edhe njerëz që kujdesen për mirëmbajtjen në rezidencë dhe që i paguajmë një herë në vit. Janë shumë të bukur. Natyrisht, thonjtë ua presin gjithmonë se të gërvishtin me ose pa dashje.
– Të duhet leje nga fqinjët për ta mbajtur? Ke një dokument për të?
– Jo, në Tailandë e kanë pothuajse të gjithë një. Për ata, tigri është një kafshë shtëpiake, janë mësuar.
– Sa vjeç është tigri yt?
– Tani, është 9 muajsh, por unë e kam qëkur ishte i vogël fare.
– Kanë kosto të lartë?
– Ata hanë shumë, por ushqimi s’kushton shumë. Ushqehen me kafazët e trupit të pulave. Domethënë, pulave u heqin kofshët e fileton dhe kafazin e shesin. Janë dyqane apostafat ku blen kush ka kafshë të egra.
– Sa të gjatë e kanë jetën tigrat?
– Të shkurtër e kanë! Deri në 25 vjet në habitatin e tyre, në xhungël, kurse ata që i mbajnë mbyllur, deri në 15 vjet. Kjo është gjëja e parë që të shpjegojnë, por kur janë të vegjël, mund t’i mbash se, kur rriten, s’ke fuqi t’u rrish nga mbrapa në grup. Ai që kam unë, është një felin dhe, mbas 6 vjetësh, shkon në 300 kg peshë. Unë jam i fiksuar pas tigrave. Prandaj edhe ato vajza që kam qejf, i thërras shpesh me emrin tigër…
– Sa ka kushtuar?
– Dhuratë nga një ish-e dashur.
– Me çfarë çmimi i gjen, nëse kërkon t’i blesh?
– 4000-6000 dollarë në Tailandë por nuk e sjell dot në asnjë mënyrë. Është si të transportosh lëndë narkotike. Shkon në burg direkt dhe duhet të kesh certifikatë për të dhe kafazin 6×6 metra, në moshë të vogël, natyrisht…
– Në këto kushte, përbën rrezik ta mbash në shtëpi? Mund të jenë agresivë?
– Jo, kur janë të vegjël deri 2 ose 3 vjeç, je në rregull, nuk janë agresivë. Ushqimi nuk u mungon, duan vetëm të luajnë. Pastaj vijnë trazirat; kemi kohë… (Qesh)
– Çfarë ndodh pastaj?
– Do ta marrin mbrapsht. Nuk është se do të marr një tjetër pastaj. Për mua, ishte thjesht një dhuratë dhe, si dhuratë, është fantastike. Një surprizë e vërtetë! (Buzëqesh) Është si fëmijët. Sa janë të vegjël, janë të mrekullueshëm. Kur fillojnë të rriten, rriten edhe problemet dhe, s’kemi më moshë për probleme. Do mendojmë për familjen… (Buzëqesh)
– Me çfarë emri e thërrisni?
– Ermela. (Qesh). Bëj shaka. Oyyyy, është femër.
– Çfarë emri është Oy?
– I ngeli Oy, pasi në Tai është një emër që mbahet shumë. Është i shenjtë, antik. Janë emra që në kohën e Budës.
– Çfarë natyre ka një tigër? Çfarë ke kuptuar nga kontakti me ta?
– Sa shikon kovën me pula, i ndriçojnë sytë. Bëhen agresivë kur kanë uri. Kanë gjithmonë uri, por vetëm nuk jam futur asnjëherë brenda, pa një njeri afër. Nuk është se nuk kam frikë, por edhe nuk duhet t’i lësh ta kuptojnë këtë. Kanë atë bukurinë e vet derisa janë të vegjël. Oya në fillim pinte vetëm qumësht, nuk hante. Ngadalë pastaj rriten dhe, çdo muaj, sheh ndryshimin. Janë edhe shumë ledhatarë.

iva1papagalli2Iva Mera: Si unë, edhe papagalli, bëjmë rrëmujë në shtëpi!

– Papagalli yt është mashkull apo femër?
– Është mashkull dhe e quajnë Niki…
– Me çfarë e ushqen?
– Me ushqimin e tij dhe pak sallatë, si shpërblim, kur këndon bukur… (Qesh)
– Po kur flet bukur?
– Nuk është nga ata që flet, por përpiqet të nxjerrë ndonjë zhurmë të vogël.
– Cila ka qenë një nga situatat më të këndshme me të?
– Situatë e bukur është kur qeni im i shkon afër e i leh dhe Niki shumë herë ia kafshon hundën me sqepin e tij të vogël, se bezdiset.
– Si do të ishte bashkëjetesa e tyre nëse në shtëpi do të kishe edhe një gjarpër?
– Një gjarpër?! Joooooo… Ose njërin, ose tjetrin…
– Je në kërkim të një papagalli femër, për t’i çiftëzuar?
– Jo, akoma. Ndoshta më vonë do të kërkojë një femër…
– Sa ka kushtuar?
– Nuk e di sepse e kam dhuratë nga babi.
– Pse një papagall?
– Sepse më pëlqejnë shumë kafshët. Ja pse në shtëpi kam qen, peshq dhe papagalli mungonte.
– Çfarë keni të përbashkët, ti dhe papagalli?
– Si unë, edhe ai, bëjmë rrëmujë në shtëpi… (Qesh)
– Çfarë nuk do të doje të dëgjoje kurrë nga një papagall që flet?
– Nuk do të doja të dëgjoja t’i përsëriste fjalët e mia, kur nxehem në shtëpi… (Buzëqesh)

irlanita foto profesionale me majmuninIrlanita: Më kthen dorë, sa herë nisem t’i gjuaj!

– Është përgjegjësi të mbash një kafshë ekzotike si majmuni në shtëpi?
Është një kënaqësi e pashpjegueshme. Po përfitoj këto kohë që nuk kam impenjim tjetër, përveçse të kujdesem për një majmun të llastuar, tekanjoz dhe të dashur, po ashtu. Përgjegjësia është e barabartë me atë për një foshnje.
– Është mashkull apo femër?
– Mashkull.
– Si e ke quajtur?
– Xhango.
– Sa kohë ke që e mban?
– Rreth tre muaj dhe jam e lumtur për këtë bashkëjetesë.
– Me çfarë e ushqen dhe a ka preferenca për ushqimet që konsumojnë njerëzit?
– Është majmun që nuk ha banane, por ha pfarëdolloj fruti tjetër. Vdes për frutat e thata, patatinat dhe farat.
– Je përballur me surpriza të tilla si për shembull, kthimi përmbys i shtëpisë?
– Xhango, çdo ditë e kthen shtëpinë përmbys e unë duhet ta sistemoj në çdo moment. Mundësisht, të zëvendësoj objektet e thyera, përpara se të bëhet ndonjë debat në shtëpi.
– Ka ndonjë gjest në sjelljen e tij, që të bën të mendosh se vërtet e kemi prejardhjen nga majmuni?
– Pavarësisht se është një kafshë me instikte të egra për shkak të origjinës së tij, ai kupton çdo gjë dhe përgjigjet me gjeste. Ai ha me duar, ulet si ne, ka shumë qejf dushin. Komunikon në të gjitha mënyrat.
– Ia ke vënë filmin me Çitën? Si reagon?
– I kam treguar disa video në You Tube, me raca të ndryshme majmunësh dhe reagon çuditshëm… sikur ka frikë, fshihet mbas meje.
– Si kujdesesh për higjienën e tij?
– Xhango rri gjatë gjithë kohës me pampers, edhe kur fle.
– Situata më e këndshme me të?
– Të kthen dorë, sa herë nisesh t’i gjuash. (Buzëqesh) Vetëm ta shohësh në fytyrë, të bën për të qeshur.
– A është shqetësues në tavolinë gjatë kohës që familja ha?
– Me keqardhje e them që unë e mbaj në kafaz 60 % të kohës. Duhet të ambientohet edhe me shtëpinë e vet, jo vetëm me shtëpinë time.
– Cila është pjesa e tij e preferuar e shtëpisë? Ku i pëlqen të qëndrojë më shumë?
– Në kuzhinë.
– I vesh edhe rroba, veç pelenave?
– Nuk do asgjë në trup, edhe pse ka ftohtë.
– Ajo që nuk duron dot dhe me të cilën nuk është mësuar ende në ambientet e shtëpisë…
– Tualeti.
– Si e kupton kur i pëlqen dhe kërkon të dalë shëtitje?
– Xhango, gjatë gjithë kohës, do të rrijë jashtë.
– Kadiri na tha se, kur mban një gjarpër, ndihesh hero në sytë e njerëzve… Si të bën të ndihesh një majmun?
– Pa diskutim, në qendër të vëmendjes.

Alma Buci

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Sa është pagesa vullnetare për të plotësuar vitet e pensionit?

Next Post

Grim i përkryer, nga nëna, te vajza!

Advertisement