Kulmet
Kulmi i durimit është
Të qërosh oriz me doreza boksi
Kulmi i thatësirës është:
Të bëjë lopa qumësht pluhuri
Kulmi i nxehtësisë është
Të bëjë pula vezë të ziera
Kulmi i fukarallëkut është
Të bësh dashuri me prezervativ të arnuar. Alban Arapi.
Interneti
Tha kunadhja e moshuar:
– Dhelpër, mbetëm pa martuar!
– Rri kunadhe, s’t’u mbyll sqepi,
Mos ki frikë, rroftë interneti! Izet S. Culli
Sonte
…Nëpër sytë e yjeve,
Në lulet e çelura dritës së tyre
Dalloj një tis
Të hollë gëzimi,
Ndaj zemrën e kam
Shndërruar në këmbanë,
Të zgjoj heshtjen e qiellit
Që s’flet
Dhe puthjen tënde.
Sonte
Prej fjalëve të tua
Rrjedh
Një verë e ëmbël që,
Sikur kërkon të dehë
Dhe vdekjen,
E unë për të çarë
Stuhitë e qiejve,
Kam kraharor
E krahë shqiponje,
Dhe sytë e tu.
Të gjitha vrimave të zeza
Në tokë e në qiell,
Mund t’u dhuroj lule
Pa më të voglën
Frik’ e pendim.
Sonte jam me ty
E fluturojmë nëpër yje… Miltiadh Davidhi
TE TI
Humbas, harrohem në kraharorin tënd!
Kur e gjitha, e tëra prehem në ty!
Kuturu dhe fjalët, të them diçka nuk mbaj mend!
Veç në heshtje, të heshtur flasim me sy!
E lashë pas dore unë botën të tërë,
Se bota për mua je vetëm ti!
Kështu siç je, i tërë dhe i bërë…
Të dua veç për vete, e imja dashuri! Eljona Bramo
Nuk munda, unë
Ti nuk munde kurrë të më jepje dashuri,
Aq sa unë, nuk mund të ndjeje ti për mua.
Edhe zgjodhe që të zhdukesh përgjithnji,
Kurse unë s’e zgjodha vetë që të të dua…
Ti nuk harron të vizitosh ëndrrat e mia
Nuk pranon të quhesh e harruar.
Ndoshta përpiqesh t’më kujtosh, që dashuria
mund të jetë e gjallë, duke munguar!
Ti nuk munde e kurrë s’arrite të kuptoje,
në shpirtin tënd a ekzistonte dashuri.
Edhe zgjodhe brenda vetes të kërkoje,
E unë zgjodha të të dua përgjithnji…
Paskëtaj nuk munda unë të të pranoja,
Dhe pse zemra kishte marrë tëndin drejtim.
E kërkove, bëre çmos të të harroja,
E unë zgjodha të të vuaj si kujtim…
S’mund të japësh dashuri kur është nevoja.
Dashuria nuk është gur, por një burim! Bledi Ylli
Kur e shkuara troket
Me mua thoje ishe i lumtur
Si kurrë ndonjëherë më parë
Por vuaje dashurinë e humbur
Unë të mjekoja plagën e patharë…
Koha kalonte e prisja me padurim
Zjarri im të të ngrohte një ditë
Ty të mjekoja e lëndoja shpirtin tim
Por nuk munda dot të isha e dytë.
Thonë, gozhda me gozhdë del
Por s’qe e shkruar, s’ia dola dot
Kur e shkuara të troket në derë
Thonë “mos e hap, lëre të shkojë”.
Nuk e di, tani që edhe unë shkova
Plagën time ty kush ta mjekon
Veç të keqen kurrë s’ta urova
Por e di, do ta kuptosh tepër vonë.
Për sa kohë kokën pas ta kesh
Të tashmen e humb pa kuptuar
Uroj një tjetër si unë të gjesh
Plagën time për të ta shëruar… Aida Previzi
Copëzat e shpirtit tënd
Do t’i mbledh copëzat e shpirtit tënd,
të përhapura nëpër vargje plot dhimje.
Me duart e shpirtit tim do t’i mbledh,
T’i mbyll në kasafortën e zemrës time…
Në vargjet e mia do t’i radhis,
me rrahjet e zemrës do t’i bashkoj.
Me zjarrin që m’djeg brenda do t’i ngjis,
me lotin e syrit tim do t’i formësoj.
Do t’i mbledh copëzat e shpirtit tënd ,
si një zog shtegtar maleve do fluturoj.
Nuk ma ndal fluturimin shi as erë,
veç buzëqeshja jote qiellore, mund të më ndalojë. Ylli Jahaj
Marr gjithçka
Dita sot është diell,
gjithë dritë dhe shkëlqim.
Ditë vjeshte, ditë tetori,
gjethe drurësh fëshfërijnë.
Marr krahë nga gjithë kjo ditë.
Nga dielli, marr ngrohtësi.
Marr gjithçka të mirëmunguar
edhe nga kjo fëshfërimë. Ollga Selmani (Farmacistja)
Nuk vdesin kujtimet…
Si mendon se të kam harruar
kur kaq shumë ndjeja për ty?
Çdo ditë vargje të kam shkruar
madje, kam bërë edhe poezi!
Në çdo varg a në çdo shkronjë
më shfaqej vetëm emri yt,
Të përqafonte çdo fjalë e imja
të puthte buzët, edhe sytë!
Një bllok e mbajta fort shtrënguar
e s’e kam lëshuar në asnjë vend,
Nuk mund ta besoja në tjera duar
se ai kishte kujtimin tënd!
Të kam dashur dhe prapë të dua
edhe pse gjërat nuk janë njësoj,
Jeta kaq shumë na ka ndryshuar
po kujtimet nuk vdesin, ato jetojnë! Fatmira Loci