– Kam një pyetje paksa delikate. Para tre vjetësh kam patur konflikte me ish-burrin tim dhe doja të ndahesha me të me ligj, por ngaqë jetoj në një zonë të thellë, edhe pse bëra shumë përpjekje, nuk munda të ndahesha nga ai, sepse më kërcënonte dhe shkonte gjer në dhunë ndaj meje. Më thoshte që “nga unë s’do të ndahesh kurrë”. I kërkova ndihmë edhe familjes, por ata nuk më ndihmuan, për shkak të fanatizmit. Për t’i shpëtuar kësaj torture që kisha çdo natë nga një burrë i dhunshëm, fanatik dhe që, për më tepër, më përdhunonte në krevat, sepse nuk doja të bëja dashuri me të, vendosa të ikja fshehurazi, sepse nuk kisha zgjidhje tjetër. Ai, çfarë s’më ka bërë për të më mbajtur lidhur pas vetes, por tani kam 8 muaj që jam arratisur nga shtëpia dhe jetoj e fshehur në një vend tjetër. Ai ka fuqi të jashtëzakonshme, saqë kontrollon dhe emrat e pasagjerëve që ikin jashtë me avion e po më kërkon nga të gjitha anët. Unë tani kam vendosur të ndryshoj emër dhe mbiemër. Ju lutem, më thoni, çfarë thotë ligji? Çfarë duhet të bëj që të ndryshoj emër e mbiemër? A është e mundur kjo gjë? A duhen dokumente? Si të veproj që ta ndryshoj emrin e mbiemrin dhe të iki jashtë shtetit? Pres një informacion nga ju. Faleminderit.
Av. Drn. Alban Duraj, “Duraj Lavv Firm”, email: info@durajlaë.com, cel. 0692737706 & ++35544532512: – Përshëndetje zonjë! Më vjen shumë keq për historinë që po ju ndodh. Ju keni bërë zgjidhjen më të mirë për momentin që keni shpëtuar nga izolimi, dhuna e kërcënimi i bashkëshortit tuaj. Legjislatori i ka kushtuar mbrojtje të veçantë institucionit të familjes pasi ai është shumë i rëndësishëm në shoqërinë tonë. Kodi i Familjes i ka trajtuar gjerësisht të drejtat dhe detyrat që kanë bashkëshortët ndaj njëri-tjetrit. Konkretisht:
– Neni 1 përcakton se: “Martesa, si një bashkëjetesë ligjore, mbështetet në barazinë morale dhe juridike të bashkëshortëve, në ndjenjën e dashurisë, respektit dhe mirëkuptimit reciprok, si baza e unitetit në familje. Martesa dhe familja gëzojnë mbrojtjen e veçantë të shtetit”.
– Neni 61, përcakton se: “Në qoftë se njëri nga bashkëshortët nuk plotëson në mënyrë të dukshme detyrimet e tij dhe vë në rrezik interesat e familjes, gjykata, me kërkesën e bashkëshortit tjetër, mund të përcaktojë të gjitha masat urgjente që lidhen me ta. Zgjatja e masave të parashikuara në këtë nen duhet të jetë e përcaktuar dhe në asnjë rast të mos i kalojë 3 vjet”.
– Neni 62 përcakton se: “bashkëshorti, ndaj të cilit ushtrohet dhunë, ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës me kërkesë për vendosjen si masë urgjente largimin e bashkëshortit që ushtron dhunë, nga banesa bashkëshortore”.
– Pra, në rastin tuaj, bashkëshorti juaj ka shkelur të gjitha të drejtat tuaja dhe nuk ka bërë detyrat e tij, të cilat ia ngarkon Kodi i Familjes dhe morali. Me këto veprime, ai ka konsumuar disa vepra penale, për të cilat duhet të mbajë përgjegjësi ligjore.
Përsa i përket pyetjes suaj lidhur me ndryshimin e emrit dhe mbiemrit, ligji nr. 10 129, datë 11.5.2009 “Për Gjendjen Civile”, rregullon përcakton në nenin 57 të tij procedurën për ndryshimin e emrit dhe mbiemrit të personit që interesohet, si më poshtë”:
1. Me përjashtim të rastit të korrigjimit të emrit/mbiemrit, çdo shtetas mund të kërkojë ndryshimin e emrit ose të mbiemrit pranë zyrës së gjendjes civile ku ka vendbanimin. Kërkesa duhet të përmbajë arsyen/shkakun e ndryshimit të emrit/mbiemrit dhe emrin/mbiemrin e ri që kërkohet të merret. Kërkesa paraqitet personalisht nga kërkuesi, në zyrën e gjendjes civile përkatëse.
2. Kërkesa për ndryshimin e emrit të përkohshëm të vendosur nga prindërit, mund të bëhet nga vetë personi brenda një viti nga data e mbushjes së moshës madhore. Në këtë rast, kërkesa përmban datën dhe nënshkrimin e kërkuesit, i cili duhet të përcaktojë qartë emrin e përhershëm që kërkon të marrë.
– Kërkesa për ndryshimin e emrit ose mbiemrit duhet të bëhet vetëm një herë dhe vetëm për shkaqe papërshtatshmërie. Kjo dispozitë nuk gjen zbatim në rastin e aplikimit të kërkesës për ndryshimin e emrit të përkohshëm, sipas pikës 2 të këtij neni.
– Në asnjë rast nuk mund të kërkohet marrja e mbiemrave që u përkasin personave me rëndësi historike, apo të tillë që mund të çojnë në lajthim, lidhur me përkatësinë e familjeve të shquara në shkallë kombëtare apo të mirënjohura në bashkinë/komunën ku ka vendbanimin kërkuesi, të përcaktuara si të tilla sipas procedurës së përmendur në pikën 4 të këtij neni.
– Ministri përgjegjës për gjendjen civile parashikon me udhëzim rregullat lidhur me përcaktueshmërinë e emrave/mbiemrave që konsiderohen të papërshtatshëm, si dhe listën me emra dhe mbiemra të personave që kanë rëndësi historike, familjeve të shquara në shkallë kombëtare apo të mirënjohura në bashkinë/komunën ku ka vendbanimin kërkuesi, së bashku me një listë, pasi merr paraprakisht mendimin e institucioneve të specializuara. Ky udhëzim është i detyrueshëm për zbatim nga zyrat e gjendjes civile, si dhe çdo organ tjetër shtetëror.
– Ajo çfarë unë kuptoj nga letra është se ju jeni frikësuar nga bashkëshorti juaj aq shumë saqë besoni çdo presion që ai ju bën. Ju duhet të qetësoheni, të mos keni frikë nga ai, pasi nuk ka të drejtë të futet në sistem dhe të shikojë hyrje-daljet e tua. Këto ai i ka mjete presioni për t’u afruar me ju, por nuk e kupton që kështu ju largon më shumë. Këshilla ime juridike është të mos e ndryshoni identitetin tuaj për kapriçot e një njeriu të “sëmurë”. Ajo çfarë mund të bëni është të shkoni në komisariatin ku keni vendbanimin, ta kallëzoni lidhur me ato çfarë ai ju bën dhe pastaj të kontaktoni një avokat për të bërë të gjithë procedurën e zgjidhjes së martesës. Shteti është mbrojtësi juaj më i mirë, nga çdo padrejtësi që mund t’ju bëhen. Jeni e mirëpritur pranë Studio Ligjore “Duraj”, pasi ne mund t’i kryejmë të gjitha procedurat për zgjidhjen e martesës. Te zyra jonë do të gjeni korrektësi dhe profesionalizëm.
Advertisement