Kura çhelmuese po përhapet gjithnjë e më shumë në SHBA, sidomos tek yjet hollivudiane. Parimi i saj është i thjeshtë: Të pastrosh organizmin nga helmet, duke i ofruar një lloj pushimi. Të mirat e saj thuhet se janë të shumta, që nga linja, forma, përmirësimi i punës së organeve, etj. Disa këshilla dhe shpjegime për ta ndjekur më mirë. Kujdes, kjo kurë nuk është një dietë!
Parimi
Ashtu si motorri i një makine, edhe organizmi ynë mbushet me papastërti. Ai grumbullon mbeturina, të cilat, me kalimin e kohës, pengojnë funksionimin e tij normal dhe shkaktojnë lodhje, lëkurë, flokë dhe thonj të zbehtë, irritim, depresion dhe një rezistencë më të pakët ndaj infeksioneve…
Helmet kanë dy burime: Të brendshme, sepse organizmi prodhon vetë mbeturina dhe të jashtme, të lidhura me mjedisin (ndotja atmosferike, duhani, alkooli, ilaçet, ngjyrosësit dhe hormonet që ndodhen në ushqime). Në parim, trupi ynë i evakuon mbeturinat, por ai nuk ia del dot nëse ato janë të shumta. Kurat e çhelmimit kanë për qëllim pastrimin e trupit, për t’i dhënë një energji të re. Ato janë të shumëllojshme, ndryshojnë për nga kohëzgjtatja (4 ditë, një javë, një muaj…) dhe përbërja e tyre (me fruta, vegjetariane, me perime…).
Argumentet e ithtarëve të tyre
Në botën moderne, të gjithë jemi të prekur nga grumbullimi i helmeve. Ato mund të jenë pasojë e një mbingarkese të trupit me ushqime (festat e fundvitit, për shembull), e një stresi apo punës (periudhë provimesh), e një sëmundjeje, ose thjesht e një higjiene të keqe të jetës që vazhdon (mungesë aktiviteti fizik, duhani, abuzimi me ushqimin, ekspozimi ndaj ndotjes…), prandaj është e nevojshme një kurë e tillë. Ajo bëhet e domosdoshme kur shfaqen një ose disa simptoma, si: Lodhje kronike dhe vështirësi për të fjetur, lëkurë opake, probleme me zorrët, sy me rrathë, të vjella dhe probleme me tretjen, dhimbje muskujsh dhe kockash, flokë pa shkëlqim, apo të yndyrshëm, migrena, mbajtje uji nga trupi, ankth, depresion, stres akut, etj.
Argumentet e kundërshtarëve
Ideja sipas së cilës kurat pastrojnë organizmin nga ndotësit dhe pesticidet me të cilët përballemi çdo ditë është një thjeshtëzim i situatës. Duhen më shumë se dy ditë me lëngje perimesh për të pastruar organizmin nga këto helme. Mënyra më e mirë për të mos grumbulluar papastërti është ta ekspozohesh sa më pak ndaj tyre. Përsa i përket agjërimit total, sipas mjekëve, ai është i papërshtatshëm. Jo vetëm që e dobëson organizmin, duke e privuar nga ushqimet e nevojshme për funksionimin e tij, por për më tepër, ai bën efektin e kundërt, duke favorizuar prodhimin e helmeve.
Si bëhet kura e çhelmimit?
– Zgjidhni momentin e duhur. Kura e çhelmimit bëhet në fillim të pranverës, në verë, apo vjeshtë, kur ne kemi nevojë për ushqime më të lehta dhe jo në dimër, për shembull. Gjithashtu është mirë ta bëni kur jeni pushim, sepse rrezikoni të lodheni nga ndryshimet, ose të vuani nga dhimbjet e kokës, apo marramendja.
– Kufizoni apo evitoni disa ushqime: Sheqerna të rafinuara, yndyrna, duhan, alkool, kafe, produkte shtazore, gjellë të parapërgatitura, etj.
– Privilegjoni ushqimet natyrale. Pini të paktën 1.5 litra ujë në ditë, përdorni ushqime bio, erëza, fruta, perime dhe çaj.
– Rishikoni higjienën tuaj të jetës. Për të drenazhuar helmet, preferoni aktivitete që shkaktojnë djersitje, si fizkulturë, sauna dhe hamam, apo çajra që lehtësojnë nxjerrjen e djersës. Për ta ndihmuar organizmin të eliminojë helmet, lejojeni të çlodhet. Mund të bëni edhe një drenazh limfatik, një lloj masazhi që përmirëson qarkullimin e limfës, e cila mbledh helmet e qelizave dhe i evakuon nëpërmjet gjakut.
– Përdorni bimët, në formë kapsulash apo çajrash: Një bimë e quajtur otrosiphon, çikorja dhe bishtat e qershive kanë veti diuretike, karboni tërheq pas vetes helmet e aparatit tretës dhe i largon nëpërmjet jashtëqitjes, mentja dhe gjembi i gomarit lehtësojnë punën e mëlçisë, mëllaga dhe gjëmbaçi stimulojnë kalimin e ushqimeve në zorrë, etj.