– Doktoreshë, ju përshëndes! Kam disa shqetësime… E para, në situata të ndryshme më merret fryma. E dyta, kam shumë gromësima dhe e treta, që është më e rëndësishmja, pothuajse në çdo darkë më ikën fryma. S’e kuptoj pse, por u bënë 3-4 muaj me këtë problem. Ndoshta e kam nga lodhja. Edhe kur laj dhëmbët, më duket sikur më ikën gjuha dhe më del shpirti. Nga stresi, më duket sikur do të mbytem. Më duket vetja e paaftë për të punuar apo shkuar në ndonjë vend tjetër pune. Ju lutem, më thoni, a mund të shërohet kjo? Çfarë kam? Pres përgjigje këtë javë, nëse mundeni.
Dr. Valentina Qemalli (Asabella), psikiatre: – Shqetësimet e përshkruara nga ju tregojnë se po përjetoni një gjendje ankthi. Sigurisht që kjo trajtohet, por duhet parë nga afër dhe mësuar shkaku i kësaj gjendjeje që ju paraqisni. Unë gjithsesi do t’ju jepja disa këshilla: E para, duhet të evitoni përdorimin e kafes, cigares, alkoolit, qëndrimet në ambiente të mbyllura, si dhe qëndrimet e zgjatura para kompjuterit. Po kështu, ju duhet pak terapi për të rritur vetëvlerësimin, për të nxjerrë në dukje vlerat pozitive që jam e sigurtë se i keni. Mos hezitoni të flisni me psikiatrin. Ju keni një gjendje që mund të menaxhohet më shpejt sesa mendoni, ndaj ju jap kurajo.