Nga unë, Flamur Bërdëllima, urime për ju:
– Sigurisht, unë nuk jam i pari që zbuloj se ti ke një zemër të florinjtë, i dashur Tom Doshi. Më ke ndihmuar disa herë, por këtë radhë të falenderoj, së bashku me vajzën tonë, Sarën, për ndihmën e vyer që më dhe në prag të shkuarjes së saj në universitet. Zoti të bekoftë, familjarisht!
– Gjithnjë kështu të mbaj mend, shoku im i shkollës Met Novi: I qeshur, i çiltër. Tani punon te Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ti djali i të shtrenjtit komandant timit Mustafa Novi dhe vëllai i Pranverës, komandantes time të çetës të shkollës “11 Janari”. Më nxore mallin, njeri i mrekullueshëm dhe paç sa më shumë lumturi në familje.
– E ndoqa shumë i përmalluar vendosjen e shtatores që u kushtohet klerikëve të martizuar. U vendos në oborrin e Katedrales së Shkodrës. Me njëfarë kuptimi, në “shtëpine e vet”. Të uroj fort nga zemra për punën e mrekullueshme miku im, shumë i vyer, Agim Rada, “fratelua” im.
– Dhe papritur diçka më lëvizi fort në zemër, e dashur Neli! Ti nëna e Ajlit dhe vajza e Dritës. Ti që, kur do, të “hedh përtokë” me ecjen tënde dhe sytë si ulli! Të uroj të jesh gjithë jetën e lumtur. Patjetër, edhe motrës tënde, Ketit, që tani po vazhdon edhe një fakultet të dytë. Ju dua fort të gjithëve!
– Ajo, vajza e shokut tim të fëmijërisë, u rrit si pa u ndjerë. Ajo, bukuroshja Elsa Karajani boton në gazetë (Revistë) elektronike: “Farmaci-22”. Të uroj vajzë, dikur e vockël. Ja, që u bëre kolegia ime. Të uroj dhe një fat të mirë, siç e meriton e dashur Elsa, fqinja ime!
– Me Elvis Roshin u takova te 15 katëshi, kurse Fatos Fushën e urova në telefon. Është fjala për dy qendrat e qyteteve Kavajë dhe Lushnje, ku ata janë kryetarë bashkie dhe marrin vërtet një pamje europiane. T’i gëzojnë qytetarët, të dashur miqtë e mi të vyer.
– Dhe ja, më në fund: Elbasani, me fondet e akorduara nga Ministria e Mjedisit, do të ketë landfillin e tij. Unë, që i kam parë vlerat e këtij qyteti, ngazëllehem. Urime miqtë e mi Lefter Koka dhe Qazim Sejdini.
– Kam dy berbera këtu pranë, që i njoh prej 40 vjetësh. Titin dhe Besimin. Shkoj aty, jo vetëm për t’u qethur, po edhe për muhabet. Janë vërtet të këndshëm, plot informacion. Gjë e bukur t’i kesh komshinj. Kështu, besoj se thotë edhe miku im Koço Mulla, që shkon më shpesh aty. Urime të treve.
– Ilir! Ishte një befasi që ti vazhdoje të bëje fizkulturë nga liqeni! Ti, basketbollisti dhe inxhinieri i shquar Ilir Trebicka, shoku im i fëmijërisë dhe sportit. Të përqafoj fort!
– Aq e patë, që Papa Prançeskut, iu dhuruan disa shishe vere. Sokol Balla apo edhe Blendi, i reklamuan, por mua më kënaqi që ishin verëra arbërore, prodhuar nga rrushi kallmet dhe në fabriken e mikut tim Fran Kaçorri. Njeriu ndihet mirë në këto raste, apo jo, i dashur Fran?! Të përqafoj dhe suksese gjithnjë.
– Ndonëse nuk të kam parë kohët e fundit në TV, e di që je në krye të punëve, aty në Komunën Dajti, i dashur Kujtim Qefalia. Si gjithnjë, i ndershëm, i papërlyer. Të uroj fort, i dashur miku im! Puthe fort Gersin, që tani është bërë goxha djalë!
– Nuk e ke idenë sa mirë u ndjeva, kur që të dy kujtuam babain tënd dhe pedagogun tim të dashur të gjuhës turke, të nderuarin Shaban Sollaku. Sa herë shkoj në Burrel, i bie borisë kur kaloj pranë shkollës së mesme që mban emrin e tij. U largua shpejt, po la pas një emër dhe dy fëmijë të mrekullueshëm, i dashur Kreshnik Sollaku. Të uroj fort, i dashur miku im, tani i rreshtuar fort, në diplomaci dhe politikë.
– Një grup miqsh shkodranë, po të gjithë më të mëdhenj se unë në moshë, ma bëjnë zemrën behar, kur i shoh bashkë të pinë kafe, te një lokal aty tek ish-Blloku. Dikur drejtonin rrethe apo ministri, por edhe Kuvendin Popullor. Ajo kohë ka ikur, por jo miqësia e tyre. Dhe uroj të mbesë kështu, i dashur Bardhi, i dashur Sulë, i dashur Shaqir dhe gjithë të tjerët!