Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Më tradhëtoi me shoqen time

Përshëndetje! Në këto momente që po ju shkruaj ndihem personi më fatlum në botë, duke marrë parasysh vuajtjet e mia që dikur më dukeshin pa fund… Lot, dhimbje dhe netë të gjata pa gjumë, ndihesha shumë e pavlerë, sikur nuk isha në nivelin e duhur, ndihesha “e pastrehë” shpirtërisht. Gjithçka filloi para pesë vjetësh, kur isha maturante dhe më dukej se çdo gjë që thoja ose bëja ishte e drejtë. Shoqet e mia, në atë kohë “engjëjt e mi mbrojtës”, flisnin gjithmonë për një djalë me emrin Ardi, një djalë i pashëm, me makinë, që vishej bukur e që me pamjen dhe qëndrimin e tij, tërhiqte çdokënd. Ai në atë kohë ishte 22 vjeç. Njëra nga shoqet e mia, Ina, më tha se kishte rënë në dashuri dhe madje ëndërronte të martohej me të, por e njëjta gjë po ndodhte edhe me shoqen tjetër, Lorin. Ai ishte nga ata tipa që nuk fliste shumë, ama dukej shumë mendjemadh, sikur nuk donte t’ia dinte nëse bota përreth tij shembej. Ishte i lumtur gjatë gjithë kohës, mendonte se mund të kishte çdo gjë që dëshirone. Situata po bëhej e padurueshme, shoqet e mia tashmë nuk flisnin për asgjë tjetër, përveçse për të. Mësimet nuk kishin më rëndësi, as familja, as unë. Ato ishin në garë se kush do ta fitonte e para dhe unë nuk u besoja veshëve e as syve. Po ziheshin për një mashkull që mua më dukej i pavlerë. Gjërat po përkeqësoheshin gjithnjë e më shumë. Ato nuk vinin më në shkollë, nuk më dëgjonin, nuk më telefononin, thjesht, u zhdukën. Kurioziteti ishte i madh për ta njohur këtë mashkull, por ndoshta rastësia apo fati, nuk donin që rrugët tona të kryqëzoheshin. Gjatë asaj kohe, unë iu përkushtova mësimeve, doja të humbisja mendjen dhe ashtu veprova. Çdo pasdite dhe fundjavave, shkoja në bibliotekën e shkollës. Më pëlqente ai vend, ishte i qetë. E gjeja pothuajse çdo ditë bosh dhe ishte vendi perfekt ku gjeja qetësinë, rrethuar nga librat. Por, një pasdite dimri, mbërrita me vonesë, shiu më kishte bërë qull dhe duart i kisha të zëna me çantën e librave. U afrova te dera e bibliotekës kur, ç’të shihja? Tavolinat ishin të zëna dhe, tek–tuk mund të gjeje ndonjë vend bosh. Sapo nxora librat nga çanta, dëgjova një zë: “Qenke lagur! Urdhëro, merre këtë nëse të duhet!”. Ktheva kokën dhe pashë se në krahun tim të djathtë ishte ulur një djalë dhe në dorë mbate një shami që ma kishte drejtuar, por isha aq e hutuar saqë s’e vura re kush ishte. “Faleminderit”, i thashë me zë të ulët. Më kishte qëlluar ta shikoja edhe herë të tjera, gjithmonë vetëm, por nuk i kisha kushtuar vëmendje. Atë ditë pata fatin t’i flisja. Qeshi me cepin e buzës dhe sytë i ktheu përsëri te libri që po lexonte. Për një moment, mendova se ai ishte një dritë në fund të tunelit. E vetmja gjë që doja ishte lumturia, pasi ndihesha tërësisht e lënduar dhe e lënë pas dore nga shoqet e mia që më braktisën për një mashkull. Doja të gjeja mbështetje diku dhe mendoj se për këtë arsye, fati solli në rrugën time këtë djalë.

U bëmë shumë shokë, mësonim bashkë, ai lexonte librat e tij filozofikë, ndërsa unë “mësoja” me sytë drejtuar nga ai. Ishte shumë i pashëm, por nuk doja ta lejoja veten të dashurohesha pas tij pasi kisha qëllim mësimet, doja të dilja sa më mirë, ama çudia ndodhi! Ai, me thjeshtësinë e tij më bëri të bija në dashuri, ta shihja botën me sy tjetër dhe, për të parën herë, të provoja këtë ndjesi të mrekullueshme, që herë-herë nuk më dukej reale. E si mund të mos dashuroheshe me atë person që më tregoi një pjesë të botës që unë nuk e njihja? Në sytë e tij unë shikoja gjithësinë, asgjë nuk më plotësonte si ai. Është e kotë të thuash që ëndrrat nuk ishin të një adoleshenteje. Gjumi kishte harruar të më bënte shoqëri, nuk më interesonte më asgjë, sikur edhe bota të shembej. Pak nga pak ditët kalonin dhe ne të dy u bëmë të pandashëm. Me pak fjalë, tashmë i përkisnim njëri-tjetrit. Ai më fliste shumë për të tashmen e të ardhmen që ëndërronte me mua, por kurrë për të shkuarën dhe, të them të drejtën, në atë kohë, kjo nuk më interesonte shumë. 20 vjetori im po afrohej dhe dëshira për të qenë një dtëlindje ndryshe nga të tjerat, ishte shumë e madhe. Ardi ndihej shumë i lumtur pranë meje dhe për këtë falënderonte Zotin. Shumë shpesh përdorte një shprehje që, sipas tij, s’duhet ta harroja kurrë: “Çfarëdo që të ndodhë, do të të dua dhe nuk do të të harroj kurrë!”. Kjo më vinte në mendime, por s’mendoja kurrë që kjo shprehje do të më mbetej i vetmi kujtim nga ai. Dita e shënuar për mua erdhi. Mesnatë. Poshtë pallatit fishekzjarret dhe kënga e ditëlindjes nuk mungonin… Lotët nga gëzimi, nuk kishin të ndalur. I dashuri im, në krye të gjithçkaje, më priste poshtë pallatit me një arush që në duar mbante buqetën me 20 trëndafila të kuq dhe një unazë mes tyre. Ai më tha: “Fillojmë një jetë të re së bashku? E shkuara nuk ka më rëndësi”. Unë, nuk u mendova dy herë dhe pranova. Ajo ishte një ditë e paharrueshme, që mes kujtimeve të së shkuarës, ishte një “copë jete” që më ringjalli dhe më hapi një derë të re, për ta parë botën me tjetër sy.
Dashuria mes nesh rritej dita-ditës dhe çdo ditë që kalonte, më bindte se ai ishte personi i duhur për të lidhur jetën dhe për të krijuar një familje. Ëndrrat kishin arritur kulmin dhe asgjë nuk më dukej e pamundur me forcën, vullnetin, dashurinë dhe, mbi të gjitha, dëshirën për të patur gjithçka ose asgjë me të. Në atë kohë, mund të arrija gjithçka që doja. Kaluan disa javë dhe ditëlindja e tij po afronte. Doja të ishte e paharrueshme, siç ishte e imja për mua. Ai kishte ndërmend të bënte një festë të madhe që të deklaronim dhe fejesën tonë, ose siç thoshte, “Dashurinë” tonë. Ai më falte gjithçka dhe, vështirë të besoja që pas engjëllit që njihja unë, fshihej djalli.
Doja që ditëlindja e tij të ishe madhështore, kryevepër dhe në mes të natës, te dritarja e tij, e veshur mirë, e parfumosur dhe e dashuruar, me dhuratat në dorë dhe me bindjen e plotë që do të isha gruaja e tij, isha drejtuar drejt shtëpisë së tij. Gjatë rrugës mërmërisja me vete këngën me fjalët që do t’i thoja. Gati duke kërcyer po shihja shtëpinë e tij nga larg. E lumtur siç isha, kisha arritur të mos e besoja ç’po ndodhte! U afrova dhe trokita në derë. Ç’të shihja?! I dashuri im e kishte shndërruar shtëpinë në një skenë romantike, plot qirinj dhe trëndafila. U gëzova, por një moment reflektova…
“Ç’janë këta qirinj? Po këta trëndafila? Kjo tryezë e shtruar bukur, për mua është?”.
“Po, zemër, normal që për ty, për kë tjetër do të jenë?!”
“Po askush nuk e dinte që unë do vija në shtëpinë tënde sonte! Ç’është kjo fytyrë? S’ke pikë gjaku në fytyrë, je mirë? Mos më tremb të lutem, më thuaj çfare ke? Diçka nuk shkon!”
Nuk po merrja asnjë përgjigje, vetëm po pyesja dhe po flisja pa pushim si e marrë. Nuk e di pse, por m’u duk sikur gjithçka mbaroi, mori fund. M’u duk sikur u zgjova nga gjumi ku kisha rënë. Bota po më shembej mbi kokë dhe ai nuk përgjigjej. I rrodhi vetëm një lot dhe më tha: “Unë vetëm ty të kam dashur në këtë jetë…”.
Pa mbaruar fjalia, ra dera. Vrapova drejt saj, por Ardi më ndaloi…
“Mos guxo Ardi. Hape derën.”
“Mirëmbrëma!”…
Një zë i dëgjuar dhe i mirëdëgjuar. Ishte ajo, ishte shoqja ime, Ina! Kam bërtitur sa kam patur shpirt, kam qarë, kam “vrarë” veten njëqind herë në atë çast. Pse nuk vdiqa në ato momente? Pse nuk u shemb bota? Të shembej me mua në krye, nuk doja të jetoja. E gjithë jeta ime mori fund, ishte ai djali i “famshëm” që dikur më tregonin shoqet e mia, ai që bënte për vete çdo femër dhe nuk donte t’ia dinte për asgjë.
“Ina ç’do këtu?”, e pyeta.
“Ti, ç’do këtu?”, ma ktheu.
“Erdha t’i uroj ditëlindjen të dashurit tim”, i thashë.
Ajo e kuptoi, unë e kuptova, të tre e kuptuam që mori fund. E qëllova me shuplakë në fytyrë. Nuk doja të mendoja që ekzistonte një person i tillë. Ina nuk bënte asgjë! Ajo e dinte për lidhjen tonë, por mjaftonte të ishte me Ardin dhe pranonte gjithçka. Si mund të ekzistojnë persona të tillë? Me ironinë më të madhe, ajo më tha: “Ky është djali që të kam folur kaq shumë në gjimnaz” dhe unë nuk e përmbajta dot veten, shkatërrova çdo dhuratë që kisha blerë për të, grisa çdo dedikim dhe, duke e parë në sy, e qëllova përsëri. Ina u mundua të na ndante, por unë e kapa nga krahu dhe e përplasa në divan.
“Jeni bërë për njëri-tjetrin”, u thashë me një zë të rënduar. Përplasa derën dhe dola jashtë. Ardi më erdhi nga mbrapa të më shpjegonte gjithçka, por ç’më duhej mua shpjegimi, kur çdo gjë kishte marrë fund?! Ai, gjatë gjithë kohës me kishte tradhtuar sepse ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron.
Burrëria nuk ia lejonte të mos kishte shumë femra në krah. Mendoja se si mund ta kishte pranuar Ina një lidhje të tillë, por nuk logjikoja asgjë, për mua, nuk kishte shpëtim. Doja të zhdukesha! Fakti që isha bërë një lodër e tyre më gërryente çdo herë e më shumë dhe nuk dija ç’të ndjeja; urrejtje apo mëshirë për ata njerëz të pashpirt? Ditët kalonin dhe unë nuk kisha dëshirën më të vogël për të bërë asgjë. Doja që ato ditë të bëheshin muaj, vite, shekuj dhe ta harroja atë imazh. T’i harroja ata njerëz, të kthehesha përsëri “unë”. E kisha humbur ndjesinë e të qeshurit me shpirt. Kisha humbur besimin te njerëzit. Ah, ajo dashuri e mallkuar më shndërroi në njeri të akullt. Më “vranë” të gjallë, ç’më duhej jeta? Më shkatërruan vitet më të bukura në jetë. Si mund të kem besim te një mashkull unë tashmë? Jo, është e kotë, nuk e vuaj më atë zhgënjim. Më vodhën vite jetë, por jeta vazhdoi dhe për mua, retë e zeza që po më pengonin diellin, po zhduken dalëngadalë. Tani është radha ime të jem e lumtur. E doja marrezisht atë djalë që më zhgënjeu, ishte një dashuri pa kushte, prandaj sot nuk besoj as te hija ime. Shumë persona mund të më gjykojnë, por kjo është historia ime, ç’të bëj me të përveçse të qaj, të kujtoj dhe të ëndërroj sikur diçka do ndryshojë nga ajo ditëlindje që ndryshoi gjithçka?

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Pse do jape Besniku 1 milion euro për Kombëtaren?

Next Post

Edi Rama per ndeshjen Serbi-Shqiperi

Advertisement