Unë që po ju shkruaj jam Ana. Kam lexuar shumë prej historive nga jeta që janë shkruar në gazetën tuaj, por kjo histori që do t’ju tregoj, është vërtet shumë e dhimbshme. A e dini se dhe njerëzit me të meta mendore, fizike ose ndryshe siç quhen handikapatë, dashurojnë? Një rast të tillë e njoh unë. Është pikërisht vajza e tezes sime ajo që sa herë e kujtoj, më dhimbset shumë. Asnjëherë nuk e kisha menduar se këta njerëz kishin ndjenja dhe mund të dashuronin njësoj si një njeri normal. Unë jetoj në një fshat dhe tezja ime jeton në të njëjtin fshat, ashtu si unë. Ajo ka lindur pesë fëmijë, tre djem dhe dy vajza. Njëra prej vajzave ka probleme mendore e fizike. Njërin nga krahët nuk e përdor, por flet, vetëm se i mbahet pak goja. Ajo ka kaluar një temperaturë shumë të lartë kur ka qenë e vogël dhe pasojat po i vuan edhe sot e kësaj dite. Atë vajzë, tezja e mbante vetëm në shtëpi dhe nuk e linte të dilte fare as në qendër të fshatit, as në shkollë. Të dy, burrë e grua, e vuanin shumë dhimbjen e vajzës së tyre. Të gjithë njerëzit e lagjes që e njihnin vajzën, e donin, e mbanin shumë afër e bënin muhabet me të. Ajo fliste dhe dukej sikur nuk kishte probleme, vetëm se defektin fizik e kishte dhe kjo e privonte nga mjedisi që e rrethonte. Ajo ishte vërtet një vajzë për të ardhur keq edhe në pamje (Zoti më faltë, por nuk është fare e bukur), por ishte tip inteligjent, fliste pak dhe kuptonte shumë. Fakti që po tregoj historinë e saj, më bën të ndjehem keq, sepse ajo nuk e meritonte këtë që i ndodhi…
Vendi ku ajo dilte dhe sodiste natyrën ishte një si tip pylli i vogël që kishte tezja mbi shtëpinë e tyre. Aty ishte shumë bukur, kishte sheshe me lule e gjelbërim dhe shumë pemë të larta. Aty ishte vendi ku ajo kalonte pjesën më të madhe të ditës. Dukej sikur aty gjente kënaqësinë dhe lumturinë. Kishte kohë që, kur kthehej nga ai vend, e kuptoja se ishte më e gëzuar, më e qeshur. Sytë i ndrinin dhe kishte një pamje ndryshe në fytyrën e saj. Ajo ishte rreth të tridhjetave dhe në atë gjendje nuk e kisha parë asnjëherë. Ajo ishte në botën e saj ëndërrimtare dhe jeta kishte filluar t’i dukej më e bukur. Një njeri që i rrinte shumë pranë, që e kishte njohur që në fëmijërinë e saj, ashtu siç e njihja dhe unë, do ta kuptonte menjëherë se në jetën e saj diçka kishte ndodhur, madje ajo kishte filluar të krihej dhe të vishej më bukur se zakonisht. Ndonjëherë, unë, si me të qeshur, i thoja: “Meri, mos ke gjë rënë në dashuri që ke ndryshuar kaq shumë?” dhe ajo qeshte. Më dukej sikur buzëqeshja e saj fliste vetë. Unë me mendjen time mendoja se asaj i pëlqente ndonjë nga djemtë e lagjes dhe vetëm kaq, por gjërat ishin më të thella dhe këtë, ne e kuptuam vetëm kur gjërat u përkeqësuan.
Meri kishte filluar të ndjente shqetësimet e para me trupin e saj, ajo ankohej se kishte dhembje barku vazhdimisht, derisa tezja me burrin i bënë një vizitë dhe, doktori i fshatit, nga simptomat që kishte vajza, dyshoi për shtatzani. Tezes i ra pika. Menjëherë ajo shkoi në qytetin afër fshatit tonë dhe për t’u siguruar i bëri vajzës një eko. Me të vërtetë rezultoi se vajza ishte tre muajshe shtatzënë. Atyre sa nuk u iku mendja fare. E pyesnin vajzën se kush e kishte bërë një gjë të tillë, por ajo as që e çonte në mendje t’u tregonte ndonjë gjë. Tezja u detyrua t’i gjente edhe psikologe, por edhe pas disa seancash me të, ajo nuk mundi të nxirrte ndonjë gjë në dritë. Madje më keq akoma, ajo kishte filluar të bëhej agresive dhe qante në çdo moment të ditës. Gjendja u përkeqësua kur i hoqën fëmijën dhe nuk e linin më të dilte nga shtëpia. Ajo ishte mbyllur në botën e saj dhe vetëm qante.
Në një bisedë me tezen time, i thashë se duhet ta linin Merin të lirë sepse ndoshta atë nuk e kishin përdhunuar, por dikush mund të kishte përfituar nga ndjenjat e saj dhe e kishte futur në grackë për kënaqësitë e tij. Duke e menduar më në thellësi çështjen, i thashë se vendi kur rrinte Meri më shumë, para se t’i ndodhte kjo gjë, ishte toka mbi shtëpinë e tyre. Aty ajo rrinte gjatë gjithë kohës dhe ndoshta priste që t’i vinte shoku i saj. Dhe në fakt, ata ashtu bënë, e lanë të lirë për të rënë në gjurmët e njeriut që kishte abuzuar me të, por asgjë nuk doli në dritë. Personit që i kishte bërë keq Merit, si duket i kishte rënë në vesh ajo që i kishte ndodhur asaj dhe nuk donte të dilte më në skenë, nga frika se e kapnin dhe e denonconin në polici. Gjendja e Merit vazhdonte të ishte e pandryshuar, ajo gjatë gjithë kohës rrinte e mërzitur dhe nuk i qeshte buza kurrë. Tezja dhe burri i saj, përveç vuajtjes së fëmijës që e kishin të sëmurë, duhet të përballeshin me një tjera fatkeqësi, atë të dhunës që kishin ushtruar mbi vajzën e tyre. Të paktën kështu mendonin ata, por unë mendoja të kundërtën, se ajo i ishte dhënë me dëshirën e saj burrit me të cilin kishte patur një lidhje.
Një ditë, teksa ishim mbledhur te tezja dhe bënim muhabet edhe me mamin tim, burri i tezes na tregoi për një djalë aty në lagje që ishte fejuar. Ai në fakt ishte rreth të 40–ave, por ngaqë ishte bari me dhi, asnjë femër nuk pranonte të fejohej me të. Në momentin kur burri i tezes po tregonte për të, Meri u ngrit duke qarë dhe shkoi në dhomën tjetër. Të gjithë ne po shikonim njëri-tjetrin në sy dhe në të njëjtën sekondë e krijuam historinë që mund t’i kishte ndodhur Merit. Ai ishte bari dhe ruante dhitë në pyll, çdo mbrëmje dhe mëngjes shikonte Merin që rrinte e vetmuar në krye të arës dhe përfitoi nga kjo gjë, duke iu afruar asaj, për ta joshur. Mënyrat se si ai e bëri për vete atë vajzë të mjerë, i di vetëm ai. Burri i tezes nuk ishte në gjendje ta vërtetonte, pasi vajza e tij nuk tregonte asgjë dhe vetëm qante kur e pyesnim. Për të mos e lënduar akoma më shumë, ata vendosën të mos e hapnin më këtë bisedë në familjen e tyre, por ajo që vuante më shumë ishte Meri.
Prej asaj ndodhie, asaj nuk i qeshte më buza. Për këtë them se dashuria qenka një ndjenjë që nuk njeh moshë, por as shtresa shoqërore. Ajo është një ndjenjë që të lumturon, por edhe të trishton si në rastin e Merit, e cila ushqente një ndjenjë që nuk e plotësoi asnjëherë.