A mund ta quajmë çudi nëse marrim dhe japim informacion me anën e një shqise tjetër, përveç atyre pesë organeve shqisore që njeh deri tani shkenca? Po aftësinë e disa qenieve të gjalla për të ndjerë kataklizmat natyrore, si bie fjala, tërmetet, apo përmbytjet, si do ta quanim? Po aftësinë për të shëruar sëmundje pa ilaçe, vetëm me një të prekur të thjeshtë dhe të zakonshme? Nëse do t’i pranojmë këto veprime si çudira, atëhere duhet të pranojmë patjetër se, në këtë botë, fare pranë nesh, në shtëpitë tona, jetojnë disa “magjistarë” të vërtetë çudibërës… Besojmë se e kuptuat për cilët e kemi fjalën! Në radhë të parë, për macet e urta dhe të buta, që duan orë e çast të fërkohen dhe të përkëdhelen… Ne mësohemi aq shumë me to, saqë i quajmë “pjesë të familjes”, por edhe ato, ama, janë aq të dhëna pas nesh, sa shpesh bëjnë çudira për të na gjetur dhe për të na ardhur pranë. Tani njihen me qindra “histori” kur kafshët shtëpiake kanë përshkuar qindra kilometra rrugë për të gjetur “pronarët”. Është i njohur fakti, për shembull, që ka ndodhur me macen Shugar, të zotët e shtëpisë së të cilës, u transferuan nga Kalifornia në Oklahomë… Ata e humbën Shugarin e tyre të dashur rrugës dhe u dëshpëruan shumë, por nuk kishin asnjë mundësi ta kërkonin dhe ta gjenin. I gjeti ajo, pas 14 muajsh dhe iu hodh të zonjës së shtëpisë në prehër! E pra, Shugari nuk e dinte ku banonin ata, nuk e kishte adresën e tyre dhe s’pyeste dot njeri për ta, por i kërkoi dhe i gjeti. Si, qysh? Ja, këtu qëndron çudia! Nuk është më pak interesant edhe fakti me macen e verbuar Amado, të cilën pronarja, meqë u sëmur dhe nuk ia bënte dot hyzmetin, ua dha për ta mbajtur disa miqve të vet në një krahinë tjetër, goxha larg. Pas dy javësh, Amado u gjend para derës së shtëpisë së pronarëve të vjetër. E pra, ajo ishte e verbër, nuk shikonte nga sytë dhe e ndanin prej tyre jo vetëm disa qindra kilometra, por edhe lumi i madh Rona… E, megjithatë, i gjeti! Shkencëtarët francezë kanë kryer një eksperiment shumë interesant. Ata morën 20 qen dhe i larguan disa qindra kolimetra larg shtëpive të tyre, duke ndërruar banesa, ndërkaq, edhe vetë pronarët e tyre. E çuditshme, por të gjithë qentë gjetën jo vetëm shtëpitë e vjetra, por edhe të rejat. Shkencëtarët mendojnë se kafshët shtëpiake dhe, konkretisht, qentë dhe macet, orientohen në bazë të “skicës gjeomagnetike”, që vetëm ata dinë ta dëshifrojnë mbi të gjithë sipërfaqen e Tokës. Një nga aftësitë e mbindjeshmërisë së kafshëve shtëpiake është ajo e ndjerjes së rreziqeve. Njihet tanimë historia e Li Shuhuasë nga qyteti Fulin, që shpëtoi të zotin duke parandjerë rrezikun e rrëzimit të shtëpisë dhe duke e shprehur atë me anë të mjaullimave shumë të forta. Fill pas daljes së tyre, shtëpia u rrëzua, por ata tanimë ishin jashtë rrezikut dhe për këtë, i paralajmëroi macja. Thonë se aftësi të tilla për të parandjerë rrezikun kanë veç qenve dhe maceve edhe kuajt, edhe dhitë. Ka shkencëtarë që mendojnë se e njëjta aftësi është vënë re edhe te shpendët… Tanimë, njihet fakti se gjatë Luftës së Dytë Botërore, macet e paralajmëronin afrimin e bombarduesve armiq shumë kohë përpara aparateve të radarit. Kontributi i maceve për paralajmërimin e rrezikut ishte aq i madh, sa parlamenti anglez i kohës dekretoi një medalje të posaçme për macet, me devizën “edhe ne i shërbejmë atdheut”. Ato, duke paralajmëruar njerëzit me kohë për afrimin e avionëve bombardues armiq, i cysnin ata të hynin në vendstrehime dhe të shpëtonin jetën…
Të gjitha sa thamë janë interesante dhe na bëjnë t’i duam e t’i afrojmë kafshët shtëpiake, por ajo që na mahnit tek ato është aftësia për të shëruar veten dhe të tjerët. Tanimë, ka shumë njerëz që shërojnë veten dhe, sidomos, fëmijët e tyre, me anë të kuajve, qenve, maceve, delfinëve. Nuk janë të rralla rastet kur kafshët shtëpiake kanë shëruar të paralizuarit ose sëmundje të tjera më të rrezikshme. Më të afta e tregojnë veten në këtë fushë, macet. Njerëzit kanë vënë re prej kohësh se macet, sapo ndjejnë se i zoti është sëmurë, shkojnë sakaq te vendi i dhembjes dhe ia fërkojnë me butësi. Mjekët amerikanë kanë konstatuar se të sëmurët që kanë pësuar infarkt, kur kanë mace në shtëpi, shërohen më shpejt. Po në traditën e mjekësisë popullore, ka mjaft raste interesante që tregojnë aftësitë shëruese të kafshëve shtëpiake, të cilat mjekët popullorë i kanë vënë re dhe i përdorin në jetë. Kështu, për shembull, në çdo hotel tunizian, mbajnë një numër të madh macesh, të cilat i përdorin për t’u hequr klientëve streset dhe për t’u dhënë qetësi shpirtërore. Në Francë kanë shkuar edhe më tej: I përdorin macet në zyra dhe në dyqane për të krijuar komfort psikologjik. Këto ishin, pra, disa nga çuditë e kafshëve, të cilat duhen studiuar dhe shpjeguar edhe më mirë, për t’u gjetur bazën e vërtetë shkencore.
Advertisement