Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Burgu më pengoi të shijoj ardhjen në jetë të fëmijës tim!

Unë që po ju shkruaj jam Taulanti, 30 vjeç, nga Burreli, por që jetoj në Tiranë prej rreth 15 vjetësh. Kam lexuar shumë histori të tjera në gazetën tuaj dhe kam nevojë edhe unë t’i tregoj dikujt këtë problem që më mori thuajse tre vjet jete e lirie. Isha prej 5 vjetësh i lidhur me një vajzë nga Dibra, e cila jetonte në Tiranë, ku po bënte shkollën për Gjuhë-Letërsi. Pas një viti që u lidhëm, ne vendosëm të jetonim bashkë në një shtëpi, pavarësisht se familja e saj nuk ishte në dijeni të kësaj bashkëjetese. Ata, normalisht, do të ishin kundër kësaj lidhjeje, sepse janë një familje dibrane dhe me mentalitet të vjetër, që jetojnë në Peshkopi.

Ne kaluam 4 vite bashkë. Pas katër vjetësh, aksidentalisht, pa dëshirën tonë, ajo ngeli shtatzënë. Ishte vërtet një periudhë shumë e vështirë si për atë, ashtu edhe për mua. Kur e mori vesh familja e saj, e nxorën jashtë dhe nuk e pranuan më në shtëpi. Unë isha i detyruar ta mbaja atë femër e të kujdesesha si për të, ashtu edhe për fëmijën tonë. Ajo ishte një studente e shkëlqyer, por gjithë këto probleme ndikuan në notat e saj, sigurisht, edhe në shëndetin e fëmijës sonë. Kishte shumë shqetësime dhe me urdhër nga doktori, u detyrua që dy muajt e fundit të bënte regjim shtrati. Gjatë kësaj kohe, problemet tona ekonomike sa vinin e shtoheshin. Unë punoja në një lokal si kamerier turnin e parë, pasi gjatë natës isha i detyruar të qëndroja në shtëpi, se e dashura ime, nëna e fëmijës tim, kishte shumë shqetësime. Kam një shoqëri jo shumë të mirë, më saktë, e kisha, se tashmë nuk e kam më dhe as nuk dua ta kem. Atyre u tregova për hallin tim, që nuk isha aspak mirë nga ana ekonomike dhe më thanë që shumë shpejt mund ta zgjidhja këtë problem, vetëm me 1 orë punë. Më habiti paksa, po direkt e kuptova që kishte të bënte me punë të pista. Ata ishin organizuar rreth 4 veta që të bënin një vjedhje, pra, të grabisnin një shtëpi. Ma propozuan që të bashkohesha edhe unë me ta, por fjala e parë që më erdhi në mendje ishte “jo”. Kur u mendova sërish, thashë me mendjen time: “Do ta bëj kësaj radhe dhe kurrë më në jetën time!”. Doja të dilja nga ajo gjendje ekonomike që çdo ditë vetëm po më stresonte më shumë, kështu që pranova.
Atë natë, të dashurës time i thashë se lokali do rrinte hapur deri vonë, pasi kishte shumë turistë, ndaj unë do të vonohesha. Po bashkëpunoja me ata njerëz vetëm se isha i detyruar e nuk kisha zgjidhje tjeter. Siç më thanë, ata kishin studiuar gjithçka dhe në atë shtëpi atë natë nuk kishte asnjeri. Rreth orës një, u nisëm. Po dridhesha dhe i lutesha Zotit çdo minutë që të mos më ndodhte ndonjë gjë e keqe. Gjithçka u duk perfekte, deri kur dëgjuam sirenat e policisë; me sa duket, komshinjtë i kishin lajmëruar. Unë shtanga, nuk dija çfarë të bëja. Katër të tjerët u larguan, kurse unë ngela sepse isha amator e u tremba. Ishte hera e parë që po bëja një gjë të tillë. Erdhi policia, më arrestuan dhe u futa në paraburgim. Shokët e mi, ata që unë i quaja të tillë, më kërcënuan se nëse do të tregoja emrat e tyre, ata do të lëndonin të dashurën time bashkë me fëmijën që ajo e kishte në bark. U detyrova ta mbaja atë faj vetëm për vete dhe të mbaja mbi kurriz edhe dënimin e të tjerëve.
Pas një muaji, dola në gjyq, ku mora dënimin me burg. E dashura ime po priste fëmijën tim. Në atë kohë ishte nëntë muajshe dhe në një gjendje tepër delikate, ndaj nuk erdhi dot në gjyqin tim. Vazhduan ditët e ferrit për mua… Në atë kohë që isha në burg, kisha vizita vetëm nga familja, pasi e dashura nuk vinte dot. Pas një muaji mora lajmin e mrekullueshëm se im bir kishte lindur. Po çmendesha nga gëzimi, por edhe nga hidhërimi, pasi unë nuk isha afër që ta prekja, ta puthja, ta përkëdhelja atë krijesë të vogël, të pafajshme. Çdo natë mendoja momentin kur do ta merrja në dorë… Ideja që jashtë më priste e dashura ime me fëmijën tim, më bënin gjithmonë e më të fortë për t’i përballuar ato ditë të vështira, në qelitë e errëta të burgut.
Vetëm pas tre muajve, më në fund, pashë të dashurën time me foshnjen në krah, që po më priste ulur në një karrige. Gati sa nuk po fluturoja nga gëzimi, ishte një moment aq emocionues, sa nisa të qaja teksa prekja duart e djalit tim, teksa e puthja atë gjithandej. Pas tre muajsh, po takoja edhe të dashurën time, që kishte ndryshuar… Shtatzania e kishte lënë pak të mbushur, por përsëri ishte shumë e bukur. Aty i tregova se si ishte puna dhe ajo m’u betua se do të më priste derisa të dilja nga ai ferr ku isha futur.
Çdo të mërkurë ishte dita e takimit dhe ajo vinte gjithmonë me fëmijën në krah e me një qese ushqime. Sa herë i shihja ata të dy, mëe jepnin force që t’i kaloja ato ditë të zymta, pas atyre hekurave ku edhe dielli hynte me pakicë. Kisha grumbulluar shumë urrejtje për shokët e mi, por s’kisha çfarë të bëja, nuk duhej të isha përzier në atë punë. Kaluan dy vjet dhe unë shikoja djalin tim tek rritej e gërmëzimet e para, por nuk kisha mundësinë të dilja me të, ta shëtisja dhe ta çoja në parqe lojërash. Pas këtyre dy viteve, më kishin mbetur edhe tre muaj burg. Po më dukeshin si 100 vjet, derisa të kalonin. Erdhi dita e shumëpritur, data 15 qershor; më në fund do dilja nga ai vend që më ishte bërë si ferr. Dola jashtë dhe lashë gjithçka aty brenda; nuk mora asnjë rrobë, nuk doja të kisha asnjë kujtim nga ai vend. Jashtë më priste zemra ime, me djalin, Flavion, i cili erdhi me vrap tek unë dhe më përqafoi. Doja që gjithçka të ndalte në atë moment. Më në fund, isha me Flavion dhe me zemrën time, që e dua shumë. Organizuam një darkë, ku ftova familjarët e mi dhe të të dashurës sime, që tashmë ishte bërë gruaja ime. U gëzova pa masë kur gruaja më dha lajmin se edhe familja e saj e kishte pranuar tashmë këtë lidhje. Mbaroi ajo darkë dhe nisëm një jetë të re, të tre, një familje tashmë e vërtetë dhe më në fund, e bashkuar.
Tani kanë kaluar pesë vjet, djali im do të fillojë klasën e parë, gruaja ime është futur në një shkollë private si mësuese letërsie dhe unë mbarova një kurs për elektricist, ndërkohë që po mundohem të punësohem në një institucion shtetëror. Kjo, pra, ishte edhe historia ime. Uroj që kurrë të mos ju ndodhë një gjë e tillë apo e ngjashme…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

NGA FRONTI I BETEJËS PËR DREJTËSI … Nga Agron BERDAJ 

Next Post

Kë ka kapur policia sot?

Advertisement