Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us
Kam një vit që nuk fle!
Eva Murati: Kam emrin e femrës së parë, por jam një engjëll!
Pse disa njerëz nuk i mbajnë mend ëndrrat?

Eva Murati: Kam emrin e femrës së parë, por jam një engjëll!

evaevaaa gazetEvën elegante e të ëmbël e takova në një sallon bukurie. Ajo të sjell ndërmend atë, të parën e femrave dhe, po bëhej akoma më e bukur, për një ngjarje të rëndësishme, ku ishte e ftuar. Komplimentet që merrte në sallon, i priste me një buzëqeshje dhe me shprehjen: “E, mirë, mos ma bëni shumë qejfin. Mos e teproni kaq shumë”… Nuk mund të më shpëtonte një personazh si ajo. Mistika e Evës nis që me emrin e saj, për të vazhduar me angazhimet profesionale. Në “Antilope”, së bashku me Artion Vreton dhe Qetsor Ferrunaj, por herë pas here edhe në krah të Krastës së madh, në emisionin “Duartrokitje”, Eva Murati tregon se nuk është thjesht një bukuroshe… 

Ah, po, para se t’ju tregoj bisedën që bëra me të, nuk mund të mos ju them se “Adami” i Evës është djali i ish-kryeparlamentares së Shqipërisë, zonjës Jozefina Topalli, Genar Topalli. Hëm, kaq shumë gjëra interesante te kjo vajzë. Tani kam 1 milion pyetje në mendje. Mjerë Eva!

Enkeleda Kurcani: – Eva, një emër me goxha peshë ky. Pse Eva?
Eva Murati: – Emrin ma ka vënë gjyshi. Eva, si femra e parë, pasi isha fëmija i parë në familje, gëzimi i parë.
– Ti, si i ke marrdhëniet me mëkatet, apo ato nuk tregohen?
– (Qesh) Besoj se jam një engjëll nga kjo anë, nuk i ngjaj Evës së parë që tundohet lehtë. Shpeshherë më kanë cilësuar si tepër serioze për në televizion. Besoj në Zot dhe besoj se ashtu siç sillemi, ashtu na kthehet mbrapsht. Përpiqem të bëj maksimumin, që mbrapsht të më kthehen gjëra të mira.
– Si nisi aventura jote në Agon?
– Ka qenë periudha shtator-tetor kur në të gjitha televizionet zakonisht bëhen përzgjedhje të reja, duke rifreskuar imazhet. Në fakt, kam shkuar në momentin e fundit tek Agoni, pasi më kishin kthyer përgjigje pozitive disa kanale dhe kisha vendosur për tjetër gjë. Por, mbas prezantimit të parë me stafin e Agonit dhe emisionin që më propozuan, mendja filloi të më kthehej, derisa vendosa përfundimisht…
– Artion Vreto dhe Qetsor Ferrunaj janë bashkëprezantues me ty në “Antilope”. Si u vendos për këtë treshe?
– Kur bëra kasting, në fillim, mendova se po konkurroja për një emision muzikor, shumë më i përshtatshëm për moshën time, por më pëlqyen për më tepër se kaq, prandaj vendosën të më jepnin një emision më serioz, që i përshtatet më tepër natyrës sime. Me Artjonin dhe Qetsorin jemi një treshe e mirë, pasi përveç faktit që jemi tre karaktere të ndryshëm, përfaqësojme edhe tre breza të ndryshëm të shoqërisë. Mendoj se harmonizimi i këtyre ndryshimeve ishte çelësi i suksesit të programit.
– Është ky format, i ngjashëm me “Le Iene” në Italia Uno?
– “Le Iene” është frymëzimi, pasi ne trajtojmë tema të ngjashme me ta, formati dhe misioni i të dy emisioneve është i njëjtë: Konstatimi i problematikave të ndryshme që shqetësojnë publikun. “Le Iene” ka kohë që operon si emision investigativ duke prekur edhe tema vërtet të nxehta e duke u bërë shtysë për zgjidhjen e këtyre problemeve, ndërsa “Antilope” është ende në fillimet e saj.
– Përse “Antilope”?
– Antilope është një kafshë e bukur dhe e fisme, e cila ka një veçori që na bëri përshtypje. Kur është në rrezik, bashkohet në tufë, duke formuar një forcë të pathyeshme, aq sa edhe luanët nuk guxojnë t`i sulmojnë. Emisioni ka për detyrë konstatimin, vënien në pah të problemit, prandaj ne jemi bashkë, për t`u përballur me “luanët”.
– Domethënë, ti je një Ilari Blazi shqiptare?
– Ilari Blazi, përveçse një bjonde rrezëllitëse, është një nga prezantueset më të suksesshme dhe me përvojë në shoubizin italian, por mbi të gjitha, një nga personazhet më popullore, e cila me pozitivitetin e saj, ka fituar zemrat e atij publiku. Shpresoj shumë që të jem kështu një ditë; ashtu si ajo, edhe unë të fitoj zemrën e publikut shqiptar.
– Po përsa i përket bashkëpunimit me Krastën në emsionin “Duartrokitje”, ç’mund të na thuash?
– “Duartrokitje” është një botë larg nga “Antilope”. Nëse në “Antilope” boshti janë batutat therëse dhe ironia, në spektaklin “Duartrokitje” këto nuk pinë ujë. Është një program i cili ka për qëllim të sjellë para publikut artistë shqiptarë që kontribuojnë si ambasadorë me artin e tyre jashtë Shqipërisë, por që nuk e kanë gëzuar duartrokitjen e vendit të vet. Kam mësuar shumë nga Adi; është vërtet një figurë për t’u patur shembull.
– Je kaq e re dhe ke marrë përsipër një barrë… Është e rëndë apo e përballueshme?
– Kur mendoj se sa i ngarkuar ka qenë ky vit, edhe vetë habitem se si kam gjetur kohën për të bërë gjithçka. Pastaj, kujtoj orët pa gjumë dhe them: “Ah, po!”. Unë bëj një jetë tepër aktive. Nëse nuk e sfidoj gjatë gjithë kohës vetveten, më duket sikur ka qenë një kohë e shkuar kot. Shumë shpesh e gjej veten të ngarkuar me shumë projekte të cilat një person i vetëm nuk do t’i kishte pranuar, por impenjohem shumë në çdo punë që bëj. Mendoj se për realizimin e tyre, i kam vjedhur kohë familjes, shoqërisë dhe njerëzve të dashur, të cilëve, po përfitoj nga rasti t’u kërkoj falje.
– Fillimet me botën e televizionit i ke në Agon?
– Kam prezantuar më përpara projekte të rëndësishme, por ky vit ishte fillimi zyrtar. Më është dhënë mundësia të bëhesha pjesë e televizionit më herët, por menjëherë pasi merrnin vesh moshën time (atëhere, nën 18 vjeçe) mundësia binte poshtë. Nuk mund të vendosësh në marrëdhënie pune një adoleshente. Kjo m`u bë mësim, prandaj ndoshta tani jam edhe më serioze nga ç’duhet.
– E mendon televizionin si pjesë të së ardhmes tënde?
– Televizioni më ka intriguar gjithmonë, por nuk ishte aspak ashtu siç dukej. Mendoj se çdo gjë në jetë duhet ta provosh që të japësh një përfundim, edhe atëhere, pothuajse të saktë. Për mua është një eksperiencë e vlefshme, që më ka ndihmuar të kuptoj më shumë, jo vetëm për marrëdhënien me kameran, por më tepër për marrëdhënien njerëzore. E shikoj më tepër si një shkollë që më bëri mirë në shumë drejtime, në përballjen me botën e vërtetë. Mund të them se e shoh në të ardhmen time të afërt. Për të largëtën, s`di ç`të them; koha i pjek më tepër njerëzit dhe preferencat ndryshojnë me kalimin e viteve.
– Rrogat në Agon Channel kanë një nam të mirë. Krasta e ka cilësuar të tijën “të paturpshme”. Ajo jotja, e tillë është?
– (Qesh) Adi, me këtë që ka thënë, ka shkaktuar një stuhi thashethemesh mitike për rrogat në Agon Channel. Personalisht, mund të them se më tepër se rroga, më joshën gjëra të tjera, për të bërë zgjedhjen e atij kanali. Rroga është e bollshme, s`mund të gënjej, por unë doja të “vidhja” eksperiencën dhe mënyrën e të punuarit në një televizion gati simotër me televizionet italiane. Do të kisha nisur me çfarëdolloj rroge.
– Ti ke pafund foto të bukura. Është thjesht pasion apo diçka më shumë?
– Në fillim, bota e modelingut dhe e fotografisë është e vetmja mënyrë për të çarë. E pranoj që nuk ndihem edhe aq mirë kur më drejtohen si modele, pasi nuk kam ndonjë interes të veçantë për fushën e modës, por çdo hap që kam bërë më ka bërë mirë, për të qenë më e lirshme para aparatit dhe kamerave.
– Çfarë të bën të çlirohesh para objektivit të aparatit fotografik?
– Përgjithësisht, njerëzit nuk e kuptojnë, por një sesion profesional fotosh, ngjan shumë me të luajturit e një filmi; duhet të futesh brenda në rol. Gjithnjë, para se të pozoj, diskutoj me fotografin, ideuesin e setit e personin që ka zgjedhur veshjet, se çfarë do të donte të përcillte ky set dhe përpiqem ta realizoj.
– Eva, ke një lidhje dashurie me Genar Topallin, djalin e ish-Kryeparlamentares shqiptare. Të kesh vjehrrë Jozefina Topallin nuk është edhe aq e zakonshme, apo jo? Ç’mund të na thuash për këtë lidhje?
– Të gjithë ata që më njohin mua, e dinë që tashmë jam e lidhur prej shumë kohësh. Shumicës së njerëzve që më rrethojnë nuk u bën më përshtypje, sepse e kanë gjetur Genarin në jetën time qëkur më kanë njohur në fillim. Shpesh, nga ky çlirim, ndoshta edhe pak nga naiviteti, duke mos pasur parasysh pyetjet me konotacion provokativ, e kam gjetur veten në nëntituj gazetash, ku nuk kam dashur të bëj pjesë aspak. Më duket gjë e ulët të përfitosh nga sinqeriteti i dikujt për të shitur gazetën, kështu që kam vendosur të jem e rezervuar, përsa i përket jetës private. Nëse vërtet dikujt i intereson lidhja ime, atëhere po them se jam e lumtur.
– Ngjarja e këtij viti ishte dhe mbrëmja e maturës, besoj…
– E gjithë dita ishte e mrekullueshme, që në mëngjes, në ceremoninë e hedhjes së kapeleve të diplomimit e deri te mbrëmja në darkë. Kur je në shoqëri të mirë, gjithnjë kalohet bukur. Përpiqem të jem e sjellshme dhe e dashur me të gjithë, korrekte kur e sjell situata, por kur vjen fjala te shoqëria, jam tepër përzgjedhëse, përpiqem të mbaj një grup sa me të ngushtë, të cilit mund t`i besoj jo vetëm buzëqeshjet, por edhe lotët. E me një grup të tillë, si mund të mos ia kalosh mirë!?
– Kush ishte shoqëruesi yt?
– Kevini, një nga miqtë e mi më të mirë, shoku im i bangës prej 3 vjetësh.
– Si kanë qenë tre vitet në “Petro Nini” për ty?
– “Petro Nini” është një nga etapat e jetës sime, që do të më sjellë gjithmonë më shumë kujtime; një vend ku mora jo vetëm arsimim dhe dije, por edhe u rrita. Kam kaluar kohë të bukura, kujtime të cilat nuk do t`i harroj kurrë. Do të kthehem sërish në shkollë, për t`u ritakuar në datë 15, bashkë me grupin tim. Kam ndërmend ta kthej në traditë, për t`u mbledhur dhe për të rikujtuar kohët e bukura.
– Pas emrit të “Petro Ninit”, ç’emër të pret për studimet e larta?
– Gjithë jetën time jam rritur me mendimin se do të bëhesha mjeke, ashtu si babai im. Dy vitet e fundit të gjimnazit, fillova të kuptoja se duhet të bëja zgjedhjen time, jo atë çka prindërit dëshironin për mua, pasi e shikoja tmerrësisht larg natyrës sime. Zgjedhja më e përshtatshme m`u duk Juridiku, edhe pse sakrifikova shumë nga pikët e fituara me mund. Prindërit replikuan si fillim, sigurisht, por nuk mund të thonin gjë; në fund të fundit, ua kisha bërë qejfin me mësimet. (Buzëqesh)
– Dukesh si ato vajzat që i kanë të gjitha. Në të vërtetë, të mungon ndonjë gjë?
– Njeriu nuk mund të jetë asnjëherë i kompletuar në gjithçka. Unë punoj shumë për atë që dua. Mendoj se nëse një person rri pa bërë diçka, ai nuk po e shfrytëzon në maksimum jetën e tij. Këtë përpiqem të bëj edhe unë; nuk dua të lë asnjë moment pa punuar për gjërat që dua, të jem gjithnjë një hap më pranë ëndrrave të mia.

Advertisement

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Kam një vit që nuk fle!

Next Post

Pse disa njerëz nuk i mbajnë mend ëndrrat?

Advertisement