– Jam Ina nga Kuçova. Më pëlqejnë përgjigjet tuaja, prandaj po ju shkruaj sërish. Ju në përgjigjen e parë më pyesnit se ç’lloj pagjumësie kam, por unë po ju them se nuk më zë gjumi fare as natën, as ditën, prej një viti. Ju lutem, më thoni nga se vjen ky çrregullim dhe me çfarë ilaçi shërohet? A është normale sipas mjekësisë, që unë nuk fle fare, doktor? Po për ushqimin çfarë më rekomandoni se ka ditë që nuk më hahet fare, madje as nuk më punohet?! As gjella nuk më hahet, as buka dhe ndonjëherë, më pështiroset. Mos po kaloj në anoreksi? Nuk kam pikë dëshire që të ha dhe as etje nuk kam. S’e ndjej fare nevojën që të ha. Kam edhe kujtesë shumë të dobët, nuk mbaj mend emrat e njerëzve dhe datat. Çfarë më rekomandoni, a mund të më shtrojnë në spital me këto shenja që kam nëse nuk kalohen me mjekim në shtëpi? Veç tyre, kam edhe dhimbje koke, edhe natën, edhe ditën dhe nuk më pushon fare, as me depon. Pres sa më parë përgjigje në gazetë se nuk po gjej përmirësim me mjekët e rrethit tim. Me respekt, Ina 29 vjeçe.
Nikolin Lacaj, psikiatër: – E nderuar Ina, sapo lexova përshkrimin e dytë, ndoshta pak më të saktë se përshkrimin e parë që keni bërë në kërkesën tuaj. Mendoj se problemi që ngrini nuk mund të ketë komoditetin e të përshkruarit të barit në mënyrën që kërkoni, kjo për arsyen e vetme se ballafaqimi, bashkëbisedimi, pyetjet që do të mund t’ju bëjë mjeku specialist, përgjigjet tuaja, vlerësimi i përgjigjeve tuaja, vlerësimi i ankesave, janë pjesë e intervistës, e cila të çon në vlerësimin klinik, nëpërmjet të cilit vihet diagnoza e saktë, duke marrë në mënyrë të kujdesshme historinë e problemit, si edhe me anë të ekzaminimeve klinike laboratorike, nëse këto janë të nevojshme. Atëhere mund të përcaktohet edhe mjekimi i përshtatshëm.
– Për t’ju sqaruar në atë që quhet intervista me personin me probleme në shëndetin mendor duhet të dini se sa ndikim pozitiv ka marrja e saktë e anamnezës, që do të thotë, marrja e historisë së sëmundjes në përgjithësi dhe në rastin tonë, e historisë së zhvillimit të çrregullimeve apo të problemeve të shëndetit mendor. Pra, nëpërmjet mënyrës së saktë të marrjes së kësaj anamneze, historisë së çrregullimit, varet vlerësimi klinik, vënia e diagnozës dhe mjekimi i përshtatshëm.
– Por, për të qenë sa më të saktë, kuptohet që ballafaqimi është e vetmja mundësi që përcakton në mënyrë profesionale kërkesat e mësipërme. Pra, në mënyrë specifike, për të bërë një histori duhet që personi të dëgjohet me kujdes nga mjeku specialist gjatë përshkrimit të problemit, të zbërthejë në detaje natyrën e problemit dhe rëndësinë (gravitetin) e simptomave në momentin aktual. Bëhet shqyrtimi sistematik rreth problemeve dhe simptomave të ndryshme që shpreh personi, pastaj në fund shikohet si ka qenë fillimi dhe ecuria e simptomave dhe e problemeve. Sigurisht, këtu ka vend edhe për të tjera të dhëna që marrim nga personi; historia personale, historia familjare etj. Në përshkrimin që ju keni bërë, vihen re shenja dhe simptoma që në mënyrë të përafërt mund t’i konsiderojmë si shenja të një gjendjeje apo çrregullimi depresiv. Meqenëse kërkoni shtrim në spital, sepse për momentin nuk e ndjeni veten mirë, atëhere takohuni paraprakisht me një mjek që ju do të donit për të bërë një konsultë, dëgjoni çfarë do t’ju thotë ai apo ajo e pastaj, veproni në të mirë të shëndetit tuaj.