Doktorë ka gjithandej dhe na shohin…. edhe kur hamë një sanduiç për mëngjes, shoqëruar me një koka-kola zero, në restorant, kur teshtijmë pa vënë dorën para, kur i fikim dritat në orën 2 të mëngjesit… Ata kanë aq takt sa të mos ndërhyjnë kur ne bëjnë diçka të keqe për shëndetin, por tani e kanë thyer heshtjen dhe na tregojnë gabimet që bëjmë çdo ditë e që dëmtojnë shëndetin tonë…
1. Mbulo gojën me dorë kur teshtin
Isha në një udhëtim me avion SHBA-Francë dhe kisha pas meje një grua që filloi të teshtinte dhe të kollitej sapo avioni u nis. Ishte një udhëtim i gjatë dhe ajo vazhdonte me teshtimat, pa e vënë dorën para gojës! Njerëzit e sëmurë duhet të teshtijnë ose të kolliten në një shami të pastër. Do të doja të kisha marrë maskën e fytyrës me vete, sepse në raste të tilla, zakonisht, e përdor. Për fat të keq, atë ditë nuk e kisha marrë dhe tri ditë pasi mbërrita në Paris, u sëmura, gjë që më prishi gjysmën e pushimeve një javore që do të bëja në Paris.
2. Pakëso sheqernat
Një mëngjes isha në dyqanin e ëmbëlsirave dhe pashë një grua që po bisedonte me shitësin se si donte të binte në peshë, kështu që kishte hequr dorë nga yndyrnat. Kështu, ajo porositi një ëmbëlsirë me pak yndyrë. Megjithatë, keku në fjalë kishte sheqer, kështu që ajo, pas pak minutash, do të kërkojë prapë prej tij, sepse dihet që sheqeri kërkon sheqer. Unë doja ta kapja nga dora dhe t’i thoja: “Çfarë po bën? Nëse do të biesh në peshë, ose të mbash peshën që ke, duhet të kufizosh sheqerin për mëngjes dhe të hash diçka me shumë fibra, si drithërat integrale, plus proteina, si të bardhat e vezës, ose kos me 0% yndyrë. Kjo do të të bëjë të ndjehesh e ngopur dhe ta fillosh ditën në mënyrë të shëndetshme”.
3. Përdor shkallët
Çmendem kur shoh njerëz që presin ashensorin për t’u ngjitur në katin e dytë të një ndërtese, ndërkohë që mund të përdornin fare mirë shkallët. Ngjitja e shkallëve është një ushtrim i mirë aerobie që përdor një grup të madh muskujsh dhe të shton ritmin e zemrës. Ngjitja e shkallëve, pra, e vë zemrën në punë.
4. Mos ngacmo lëkurën
Shoh shpesh njerëz që ngacmojnë lëkurën e tyre (për të hequr lëkurën e vdekur, apo shtrydhur puçrrat), një zakon që u është kthyer në një tik nervor. Është një zakon që mund të lërë shumë lehtë shenja! Problemi qëndron te duart e pisëta. Duart tona kanë bakterie stafilokoku dhe streptokoku, për të mos përmenduar djersën dhe kripërat që mund ta irritojnë lëkurën. Gjithashtu, shtrydhja e puçrrave acaron aknen, gjë që të bën ta ngacmosh atë puçërr më vonë. Njëherë kam parë një grua që ngacmonte buzët e plasaritura. Ajo po fliste me dikë dhe, kur përqendrohej, ngacmonte buzët. Buzët e saj nxirrnin pak gjak dhe konturi i tyre ishte i acaruar, kështu që u afrova dhe i thashë: “Ju keni buzë kaq të bukura, përpiquni të mos i prekni sepse do t’ju ngelet shenjë!”. Ajo tha: “E di, e di, përpiqem të ndaloj, por e kam të pamundur”. Unë i sugjerova të vinte një buzëkuq shumë të bukur. “Kur të shohësh ngjyrën e kuqe, ose ndonjë ngjyrë tjetër në gishta, do ta kuptosh se çfarë je duke bërë”. Ngacmimi i lëkurës është diçka e pandërgjegjshme, kështu që duhet të gjesh një mënyrë për t’ia tërhequr vëmendjen vetes mbi këtë.
5. Mbase ka ardhur koha të blesh sutjena të reja
Për ato që s’e dinë: Gjinjtë janë të rëndë, ndaj është shumë e rëndësishme të vishen sutjenat që e mbajnë gjoksin në mënyrën e duhur. Përndryshe, stresi dhe lodhja e sistemit muskular-skeletor mund të shkaktojë dhimbje kurrizi dhe qafe, qëndrim jo të duhur të trupit, bile edhe dhimbje koke te disa gra. Më shumë rrezikohen gratë me gjoks të madh, por kam parë edhe gra me gjoks të vogël, me probleme. Shkoni në një dyqan të specializuar dhe zgjidhni sutjenat e duhura për ju.
6. Mos i harxho kot lekët me pilula për dobësim
Kam parë gra që blejnë tableta për shkrirjen e dhjamrave. Në fakt, doja t’i paralajmëroja: Çdo kilogram që humbni është shumica ujë nga substancat diuretike që përmbajnë këto tableta dhe ju do ta merrni përsëri. Ndërkohë, po sforconi organizmin, mëlçinë dhe veshkat, të cilat ndihmojnë në eliminimin e substancave që nuk janë të mira për ju. Paratë që harxhoni për tableta dhe pilula “mrekullibërëse”, harxhojini për një nutricionist, që do t’ju ndihmojë të përpunoni një plan të shëndetshëm ushqimi.
7. Nëse je femër, mos e laj zonën intime!
Larja vaginale është një gabim që e bëjnë ende gratë. Sipas një studimi të bërë në SHBA, 40% e grave e bëjnë atë rregullisht. Disa lahen edhe para se të shkojnë te gjinekologu për vizitë, por në fakt, ky veprim pakëson saktësinë e një pap testi. Gjithashtu, larja e vaginës shton mundësitë për vaginozat bakeriale dhe infeksionet me myk, duke prishur barazpeshën e florës së saj bakteriale. Vagina e pastron vetë veten e saj dhe ka ekosistemin e saj të vogël, kështu që mos ndërhyni në të!
8. Evito muslin me sheqer
Bëhet fjalë për granolën apo muslin me sheqer, ose mjaltë (quhen kështu disa lloje drithërash që konsumohen në mëngjes, të përbëra nga tërshëra, frutat e thata, frutat e thara, etj,). Si dietolog, unë gjithmonë i shoh karrocat e të tjerëve kur shkoj në supermarket dhe kur shoh gra që blejnë granola, pyes veten nëse ato e dinë të vërtetën. Sigurisht, ajo është një përzierje farash dhe frutash të pasura me substanca ushqyese dhe fibra, por përmban më shumë yndyrë, sheqer dhe kalori për gramë se çdo drithë tjetër. Një çerek filxhani granola është baraz me treçek filxhani drithërash të thjeshta. Edhe një karrocë e mbushur me produkte “dietetike”, më befason. Kohët e fundit pashë një grua që blinte produkte pa yndyrë, si majonezë pa yndyrë, djathë pa yndyrë, kos pa yndyrë etj. Mendova me vete: Nëse të pëlqen shija e majonezës në një sanduiç, përdor majonezën e vërtetë, në sasi më të paktë, sepse ka edhe më shumë shije dhe do të kënaqesh më shumë. Disa nga produktet që s’kanë yndyrë, nuk janë edhe aq të varfra me kalori, sepse prodhuesit shtojnë sheqer për të zëvendësuar yndyrën.
9. Ato këpucë do të veshësh?
Vazhdimisht, vë re gra që veshin këpucë të papërshtatshme për aktivitetin që po bëjnë, si taka të larta për të ecur nëpër aeroport, ose shapka të sheshta në dysheme të fortë, jo në plazh. Asnjë këpucë nuk është e “ndaluar” të vishet, ama varet se ku duhet veshur… Për shembull, mund të veshësh taka nëse do të shkosh diku dhe do të qëndrosh shumë ulur, kurse shapkat janë të mira për sipërfaqet jo të forta. Këpucët që kam parë shpesh këtë pranverë ishin çizmet prej llastiku. Ato janë të lezetshme, por të papërshtatshme për t’i veshur gjithë ditën, pasi nuk ofrojnë mbështetjen e duhur për këmbët (as ajrimin e nevojshëm). Ato mund t’i veshësh vetëm një copë herë nëse do të ecësh në shi e pellgje me ujë. Kështu, do të të falënderojnë jo vetëm këmbët, por edhe gjunjët dhe kurrizi…
10. Evito kafeinën në darkë
Kur shoh dikë që porosit një kafe pas darke, e di se ai apo ajo nuk do ta bëjnë gjumin e qetë. Studimet kanë treguar se njerëzit që kanë kafeinë në trup në kohën e gjumit, nuk bëjnë gjumë të thellë, por gjumin e lehtë, që nuk të çlodh. Evito kafen, pra, pas orës 2 pasdite, ose pi një kafe pa kafeinë (dekafeinato).