Në një konferencë shtypi që u organizua disa kohë më parë në Qendrën Hovard-Smitson, fizikanët amerikanë, përfaqësues të grupit të përbashkët BICEP2, shpallën botërisht se kanë zbuluar valët fillestare të gravitacionit që kanë lindur në etapën e inflacionit, kur formohej Gjithësia jonë. Në rast se ky rezultat do të pranohet si i mirëqenë, atëhere ky do të jetë një nga zbulimet më të rëndësishme të shkencës së ditëve tona, që do të meritojë plotësisht çmimin Nobel. Pse paska kaq rëndësi ky zbulim? Së pari, sepse u zbuluan valët, të cilat i parashikoi në Teorinë e tij të Relativitetit që në vitin 1916, Ajnshtajni i madh dhe deri tani, ato s’janë konfirmuar materialisht, ose më mirë të themi, nuk ka patur regjistrim të tyre zyrtar, çdo “zbulim” ka mbetur ende teorik sikurse ka qenë në kohën e Ajnshtanit. Së dyti, kjo, po të jetë ashtu sikurse thuhet nga pedagogët amerikanë të Hovardit, është një pohim tjetër i “teorisë së inflacionit” në kozmologjinë e ditëve tona dhe në evolucionin e vetë Gjithësisë. Së treti, kjo u jep dorë shkencëtarëve për të përdorur një metodë të re të studimit të Gjithësisë, e cila lejon të vlerësohen numerikisht proceset që janë bërë shkas për lindjen e këtyre valëve. Punimet u kryen në teleskopin BICEP2, të vendosur në Stacionin Amerikan të Antarktidës, që është vendosur në një nga vendet më të thata dhe plot dritë të Tokës sonë.
Sipas shkencëtarëve të Hovardit, zbulimi u bë në bazë të matjes dhe numërimit të rrezatimeve reliktore, ose sikurse kanë filluar t’i quajnë tani, të “fonit të mikrovalëve kozmike”. Ky është në fakt një rrezatim i cili “mbush” në sasi të barabartë të gjithë Gjithësinë, duke filluar që nga zanafilla e krijimit të saj. Kjo do të thotë se vektori i fushës elektrike në valët elektromagnetike lëkundet (ka oshilacione) në një rrafsh të caktuar. Matjet e polarizimit përfshihen në një drejtim të caktuar të këtyre oshilacioneve (lëkundjeve) të shkallës së shprehjes së tyre. Në jetën e përditshme, neve na takon të ndeshemi me një polarizim të tillë gjatë shpërndarjes së atmosferë, ose në pasqyrimin e tyre mbi sipërfaqen e ujit.
Autorët e zbulimit krijuan hartën e shpërndarjes në hapësirë të rrezatimit reliktor, analiza e të cilës jep mundësi të nxjerrim përfundime për mekanizmin e polarizimit. Çështja ështe se gjatë shpërndarjes së zakonshme, lind e ashtuquajtura “moda-E” e polarizimit. Në këtë rast, struktura e polarizimit të qarqeve elementare në hartë ka simetri të barabartë me atë të pasqyrës. Kjo “modë” u zbulua për herë të parë në vitin 2002, në interferometrin DASI. Në rast se polarizimi ka lidhje me valët e gravitacionit, atëhere situata ndryshon. Valët e gravitacionit, duke ushtruar presion mbi hapësirën, mund të shkaktojnë edhe modelime të tjera si ai “M-A”, duke dhënë polarizime në dy drejtime. Kësisoj, vetë zbulimi i “B-modës”, për shembull, mund të tregojë praninë e valëve të gravitacionit. Ndërkaq, valët e gravitacionit janë të dobëta dhe kjo dobësi nuk jep asnjë mundësi të krijosh polarizim të fortë. Në këtë rast, mund të ndihmojë “inflacioni”.
Studimi i valëve fillestare të gravitacionit do të japë një informacion të pamatë për proceset e momenteve të para, pas lindjes së Gjithësisë. Veç kësaj, këto valë, kur janë të fuqishme, mund të ndikojnë shumë në formimin e galaktikave. Pikërisht ato do të japin mundësi për të shpjeguar rritjen e tyre të shpejtë, si dhe shpjegimin e strukturave të tjera më të mëdha sesa priten.
Për çudinë e vetë shkencëtarëve, zbulimi i “Modelit-B” të polarizimit dha mundësi për të “zbërthyer” me lehtësi shumë enigma të tjera, si, bie fjala, a arrijnë ato rreze të përshkojnë masive të mëdha edhe të tjera. Sikurse pohojnë autorët e zbulimit, efekti i valëve fillestare të gravitacionit është shumë më i madh, prandaj kërkon një studim më të thelluar për një kohë më të gjatë…
Theksojmë se projekti BICEP2 (Background Imaging of Cosmic Extragalactic Polarization) nuk është i vetmi në të cilin bëhen kërkime për valët fillestare të gravitacionit. Me këtë veprimtari kërkimore shkencore janë marrë grupe të tëra studiuesish, duke përfshirë këtu edhe ato në satelitin e Agjencisë Evropiane të Kërkimeve Shkencore. Atje nuk janë arritur rezultate të këtilla, por të dhënat vazhdojnë të studiohen dhe shkencëtarët kanë shumë shpresa se studimi do të jetë shumë frutdhënës. Le të presim.
Advertisement