Deputeti i opozitës, Nard Ndoka, në intervistën për gazetën “Intervista” pohon se vetë PD-ja duhet të reformohet për të qenë një parti opozitare që të pretendojë për të ardhur sërish në pushtet. Por, njëkohësisht, PD-ja, sipas zotit Ndoka, duhet të bëjë oponencën e saj në Kuvend, megjithëse bojkoti i opozitës ka ardhur për shkak të dhunës verbale që ka përdorur maxhoranca. Zoti Ndoka pohon që ndërkombëtarët i kanë thënë opozitës të ndërpresë bojkotin e Parlamentit, por edhe i kanë kërkuar maxhorancës që të japë konsensusin e saj. Ndërsa për konfliktin maxhorancë-Nishani, zoti Ndoka përgjigjet se Nishani po respekton institucionin e Presidencës me qëndrimin e tij dhe duhet që maxhoranca të mos sillet dhunshëm, duke rivotuar ligjet e kthyera, pa praninë e opozitës. Kjo maxhorancë nuk zbaton premtimet e saj për reforma në drejtësi, por sipas Ndokës, kërkon që të kontrollojë drejtësinë. Për deputetin e PDK-së, Ndoka, vizita e Papës së Vatikanit në Shqipëri është ngjarje e shënuar historike dhe një certifikatë e ndryshimeve të mëdha demokratike që kanë ndodhur në Shqipëri dhe e tolerancës e bashkëjetesës fetare të shqiptarëve.
Petraq Barjami: – Në çfarë dimensioni politik e shoqëror do të ndikojë për Shqipërinë dhe shqiptarët vizita e Papës?
Nard Ndoka: – Me të drejtë është quajtur si vizitë historike për të gjithë shqiptarët. Së pari, Papa Francesku do të japë mesazhe paqeje për të gjithë botën, duke përdorur dhe promovuar vlerat e tolerencës fetare në vendin tonë. Së dyti, çdo paragjykim se Shqipëria është një vend islamik, bie ose zbehet totalisht. Së treti, është një kënaqësi shpirtërore për të gjithë besimtarët katolikë në veçanti, por edhe besimtarët e tjerë, që simboli i paqes në botë, viziton vendin tonë. Papa Françesku vjen në Shqipëri, në vendin e Gjergj Kastriotit, atletit të Krishtërimit Europian dhe Nënë Terezes, virtyti i tolerancës dhe dashurisë njerëzore.
– Nga ndërkoha e vizitës e parë e Papës së Vatikanit, çfarë është ndryshuar në Shqipëri?
– Gjithçka. Ka ndryshuar për të mirë edhe Shqipëria, me një ekonomi më solide, më premtuese, tashmë jemi kandidatë për në BE, por edhe me një cilësi më të lartë të demokracisë e tolerancës dhe bashkëjetesës fetare të vetë shqiptarëve. Vetë zgjedhja e Shqipërisë nga ana e Papës për të bërë vizitën e parë pas zgjedhjes së tij në atë post, është certifikata e ndryshimeve të mëdha demokratike që kanë ndodhur në Shqipëri.
– Le të kalojmë tani të problemet tona: Zoti Ndoka, a bëhet (de facto) Presidenti Nishani pengesë e reformave të maxhorancës me mosdekretimin e ligjeve mjaft të rëndësishme, të cilat janë votuar në Kuvend me votë të cilësuar?
– Presidenti është institucion i rëndësishëm kushtetues, është garant i Kushtetutës, në kuptimin e akteve ligjore, të bashkëpunimit institucional, të harmonizimit dhe koordinimit midis të gjitha institucioneve që varen direkt nga ai, siç është Këshilli i Lartë i Drejtësisë, apo si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Presidenti po tregohet në lartësinë e detyrës së tij, i vëmendshëm ndaj reformave, bashkëpunues, por shumë i kujdesshëm për të qëndruar mbi palët. Të gjitha ligjet që janë kthyer nga Presidenti, në thelb kanë qenë problematike, si nga procedura e miratimit, si nga përmbajtja antikushtetuese, si dhe nga forma e përdorur, duke përjashtuar opozitën. Presidenti është garanti për të gjitha këto, ndaj ka vepruar drejt, për t’u dhënë mundësinë ligjvënësve shqiptarë, që të reflektojnë dhe t’i përmirësojnë ato. Por ne kemi një maxhorancë të dhunshme kartonash, që ka përjashtuar konsensusin si një element të domosdoshëm në një sistem demokratik, e cila vazhdon të miratojë ligje pa konsensus të opozitës, pra, ligje që nuk kanë jetëgjatësi më shumë se një mandat i kësaj maxhorance. Ligjet nuk miratohen për t’i rikthyer Presidenti, as për t’i hedhur poshtë Gjykata Kushtetuese, por për të krijuar një impakt, besim dhe garanci ligjore afatgjata.
– A mund të cilësohet një normalitet demokratik dhe kushtetues fakti që Presidenti (duke shfrytëzuar kompetencat e veta kushtetuese) nuk dekreton ligjet që Kuvendi i voton me votë të cilësuar, ndërkohë që vetë Presidenti është zgjedhur me votë të thjeshtë?
– Presidenti nuk është noter i Kuvendit, por një institucion i rëndësishëm Kushtetues, që kalon në filtrat e veta çdo ligj dhe çdo akt që miratohet nga Kuvendi, i cili miraton ligje, duke shkelur procedurat parlamentare, pa konsensus, me një shumicë të cilësuar parlamentare të blerë dhe jo të votuar nga qytetarët shqiptarë. Maxhoranca aktuale po përpiqet të dhunojë institucionet dhe pavarësinë e tyre, me të ashtuquajturat reforma, duke miratuar në Kuvend ligje që bien ndesh me Kushtetutën, ligje që kanë tendencën tek emrat dhe jo te reforma reale. Presidenti është zgjedhur sipas Kushtetutës dhe duhet të respektohet nga palët.
– Në këto situata tensioni politik midis maxhorancës dhe Presidentit Nishani, cila do të jetë zgjidhja institucionale?
– Maxhoranca aktuale, Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit duhet të respektojnë vetveten, pikë së pari, institucionin e Presidentit dhe Kushtetutën. Nuk mund të votohen të gjitha dekretet e kthyera të Presidentit në bllok, me urdhër politik. Një maxhorancë e përgjegjshme, duhet t’i merrte në konsideratë të gjitha vërejtjet e bëra nga institucioni i Presidentit, nën frymën e përmirësimit të ligjeve të kthyera, duke i kaluar për rishikim në komisione parlamentare dhe duke kërkuar sërish praninë e opozitës dhe konsensusin. Maxhoranca ka zgjedhur rrugën e përplasjeve institucionale, të dhunimit me forcën e kartonave të blerë, të injorimit të rolit të Presidencës, etj.
– A mendoni se duhet të rishikohen kompetencat kushtetuese të Presidentit, si edhe mënyra e zgjedhjes së tij?
– Mendoj se ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit kanë qenë të gabuara dhe një pazar i ulët nga ana e PS-së dhe PD-së në 2008-n. Nuk kemi dëgjuar nëse ndonjëra nga këto parti është penduar, për ta rikthyer realisht institucionin e Presidentit mbi palët dhe të pranuar nga palët, nëpërmjet ndryshimeve ligjore në zgjedhjen e tij. Kemi një PS që ka bërë gabime, por sot i përtyp ato gabime dhe i shfrytëzon për interes të saj, por në dëm të standardeve dhe të demokracisë.
– PD-ja vazhdon bojkotin në Parlament. A ndikon kjo klimë e polarizuar politike në Shqipëri në procesin e integrimit të Shqipërisë për fillimin e negociatave të Shqipërisë me BE-në, për një anëtarësim të plotë?
– Bojkoti nga ana e PD-së është kushtëzuar nga sjellja arrogante e disa deputetëve të maxhorancës në Kuvend, deri në dhunë fizike. Kur Parlamenti kalon nga institucion debati dhe alternativash politike, në ring boksi, në dhunë verbale e institucionale, atëhere bojkoti mbetet si mundësi. Pavarësisht kësaj klime tensionimi, i takon maxhorancës të krijojë hapësirat për rikthimin e opozitës në Kuvend. Me gjithë këto pengesa, unë mendoj se bojkoti është i dëmshëm për opozitën. Bojkoti nuk pengon procesin e integrimit, por tregon se në Shqipëri ka një klasë të papërgjegjshme politike.
– Bojkoti i PD-së është cilësuar nga shumëkush si mungesë e strategjisë së PD-së për të bërë opozitë të fortë. Sipas jush, cila do të ishte strategjia më efikase e opozitës për të bërë opozitë të fuqishme dhe bindëse?
– Opozita institucionale dhe efikase bëhet në Kuvend, por ka forma dhe mënyra të tjera për ta bërë opozitën. PD-ja ka nevojë në këto momente ndoshta për pak qetësi dhe përkushtim në riformatimin e vetvetes. Duke shpresuar në një PD më të fortë dhe një opozitë më të organizuar dhe me një vendim të shpejtë të rikthimit në Kuvend.
– Të gjithë politikanët ndërkombëtarë me të cilët është takuar zoti Basha, janë shprehur kundër bojkotit të PD-së në Parlament. Atëhere, kur edhe ndërkombëtarët nuk të mbështesin, a ka sens politik bojkoti?
– Të gjithë janë kundër bojkotit, madje edhe vetë zoti Basha, por bojkoti ka një arsye politike dhe morale, ndërkombëtarët i kërkojnë opozitës të kthehet në Kuvend, por edhe maxhorancës të vendosë dialogun dhe konsensusin e dhunuar, duke krijuar garanci për jetë normale parlamentare. Kur ka një opozitë që bojkoton, ka një problem madhor, pra, ka shkak dhe pasojë. Në këtë rast, maxhoranca është përgjegjëse për të dyja.
– Pavarësisht arësyetimit që bën PD-ja për bojkotin e Parlamentit, cili është mendimi juaj, a duhet të vazhdojë bojkoti?
– Bojkoti nuk duhet të vazhdojë, por beteja politike në Kuvend duhet të jetë më e organizuar dhe më e fortë. Ne nuk duhet të zbrapsemi nga disa deputetë që nuk kanë lidhje me Kuvendin dhe janë rastësisht aty, të cilët po keqpërdoren nga palët.
– Çfarë hapash konkretë duhet të bëjnë maxhoranca, opozita, apo të dyja njëkohësisht, për të zbutur këtë polarizim politik, për hir të integrimit të Shqipërisë si anëtare e BE-së?
– Maxhoranca duhet të distancohet dhe t’i dënojë aktet e rrugaçërisë në Kuvend, duhet të krijojë klimën për dialog, duhet të respektojë dhe të pranojë opozitën si një vlerë për sistemin, të rikthejë besimin dhe konsensusin politik.
– Zoti Basha është shprehur se PD-ja studion mundësinë e bojkotimit të zgjedhjeve vendore në 2015, si reagim i kundërshtimit të Reformës Territoriale. Ju, si parti, apo edhe si Union Demokristian, do të ndiqni të njëjtën politikë me PD-në?
– Nuk ka një vendim për bojkot të zgjedhjeve dhe nuk besoj se do të ketë, por një ndryshim i rregullave të lojës në mënyrë të njëanshme duhet të ketë një reagim dhe një vendim të merituar. Maxhoranca duhet të heqë dorë nga tentativat për të përjashtuar opozitën nga e drejta kushtetuese. Maxhoranca duhet të konkurrojë me opozitën dhe jo me veten, ndaj rregullat vendosen dhe pranohen bashkarisht.
– Zoti Ndoka, ju si e shpjegoni që asnjë zyrtar i lartë apo politikan deri tani në Shqipëri nuk është dënuar për korrupsion, edhe pse nga të gjithë pohohet se ka korrupsion, kur ndërkohë në të gjitha vendet ballkanike janë dënuar edhe ish-kryeministra?
– Këtë pyetje duhet t’ia bëni Kryeministrit. Ai ka patur dikur në opozitë një dosje me “zë dhe figurë” dhe një premtim, që “…kur të vijmë ne në pushtet, do ta gjykojmë skandalin e madh korruptiv…”. Nëse maxhoranca dhe qeverisja aktuale nuk e fillon nga vetja, të tjerat janë demagogji dhe luftë klanesh.
– Maxhoranca, por edhe Presidenti Nishani kanë pohuar domosdoshmërinë e një reforme në drejtësi, por të dy këta subjekte politike janë në kahe të kundërta. Cila do të ishte reforma e duhur në Drejtësi?
– Reforma në drejtësi është e lehtë që të realizohet, por mungon vullneti politik, si dje, ashtu edhe sot. Maxhoranca nuk kërkon reformë dhe standarde, por thjesht kontroll mbi drejtësinë. Kjo maxhorancë ka hedhur poshtë me votë politike emra gjyqtarësh nga më të mirët në sistem (rasti i Gjovalin Përndocës e Petrit Cenos). Kjo maxhorancë, megjithëse ka kritikuar me të drejtë maxhorancen e kaluar, na kishte premtuar se nuk do të bënte të njëjtën gjë, por po vepron njësoj. Të gjithë i sulmojmë gjyqtarët dhe sistemin e drejtësisë, por unë mendoj se ne kemi një sistem mjaft funksional dhe të strukturuar shumë mirë, gjykata te nivelit të parë funksionale, Gjykatë të Lartë shumë profesionale, Gjykatë Administrative, Gjykatë për Krimet e Rënda, Gjykatë Kushtetuese, pra, sistemi funksionon. Duke e krahasuar me sistemin tonë në tërësi, për shembull me administratën lokale, me administratën e lartë shtetërore, me doganat, tatimet, policinë etj., ku vazhdojnë të ndryshohen zyrtarët sa herë ndryshojnë shefat e tyre, sistemi i drejtësisë mbetet sistemi më i konsoliduar dhe më profesional, duke e rritur performancën dhe cilësinë nga viti në vit. Fjala “reformë” në këtë rast është e madhe, sistemi ka nevojë për përmirësime dhe mbeshtetje politike.
– Ju keni të njëjtin qëndrim për çështjen “Fullani” sikurse PD-ja?
– Unë kam qëndrimin tim, që çdo zyrtar duhet të hetohet dhe jo të lançohet, çdo zyrtar duhet ta ndjejë veten të kontrolluar, por edhe të respektuar. Rasti “Fullani”, më tepër po përdoret për “shou” mediatik dhe politik, sesa realisht ka peshë dhe vëmendje reale.