Çdo shoqëri që aspiron të quhet demokratike dhe kulturore duhet të ketë një përparësi edhe për poezinë si një format më të vetëdijes kolektive. Nuk flasim thjesht për një zhanër letrar, por për një instrument reflektimi etik, duke u bazuar në ndjeshmërinë shoqërore. Sot vërehet një paradoks i mprehtë: ndërsa poezia vazhdon të prodhohet, poetët nga ana tjetër mbeten sistematikisht të përjashtuar nga politikat e kulturës shtetërore, të lënë në hije si në aspektin financiar ashtu edhe në atë institucional e simbolik.
Krijuesit letrar janë segmenti prodhimtar i shpirtit të një kombi. Sot autoritetet e trajtojnë poezinë si një aktivitet dytësor, pa ndikimin e drejtpërdrejtë ekonomik, duke e përjashtuar nga prioritetet buxhetore dhe strategjike. Ky reduktim utilitar i artit e zhvesh poezinë nga funksioni kritik dhe emancipues, duke e kthyer në një “luks kulturor” që nuk meriton mbështetjen e strukturuar.
Po të flasim në praktikë, kjo përkthehet në mungesë fondi për botimet poetike, mungesë programi, rezidencë për poetët, konkurime formale, pa transparencë. Një nga format më të thella të neglizhencës është ajo financiare. Poetët mbijetojnë në kushte ekonomike të pasigurta, duke ushtruar profesione të tjera për të siguruar jetën. Kjo situatë nuk është thjesht një çështje ekonomike, ajo është thellësisht etike.
Sot autoritetet nuk investojnë te krijuesit e saj, duke dhënë qartë një formë “shfrytëzimi” të heshtur të talentit. Përtej aspektit financiar, poetët përballen me një mungesë të theksuar përfaqësimi institucional. Ata nuk përfshihen fare në aktivitete kulturore, në këshilla artistike, për hartimin e politikave letrare.
Këtu institucionet kulturore funksionojnë si struktura administrative, jo si hapësira dialogu me krijuesit, duke krijuar një hendek të rrezikshëm mes artit të gjallë dhe institucioneve që supozohet që i mbrojnë ata. Kur poezia shtyhet në periferi, zbehet aftësia e shoqërisë, pa reflektim, empati dhe kritikë. Një shoqëri që e bën veshin e shurdhët për poetët e saj rrezikon të humbasë gjuhën me të cilën flet vetë.
Sot shumë krijues kërkojnë politika konkrete, mbështetje financiare, programe konkrete për poezinë dhe artin e bukur të fjalës. Si rezultat, kur autoritetet nuk trajtojnë poetët e tyre, flet për një pasqyrë të qartë të marrëdhënies që ai ka me mendimin e lirë, kujtesën dhe shpirtin e vet kulturor…
RUDINA PAPAJANI







