Fluturoja me lehtësi
– Kam parë në ëndërr sikur po i thoja familjes sime: “Shikoni si fluturoj unë!”. Fluturoja shumë lart në qiell, kisha një lehtësi shumë të madhe kur i lëvizja krahët e shijoja çdo gjë. Po kështu, ëndërroja duke zbritur shumë lehtë. Pra, e gjithë ëndrra ishte shumë e lehtë dhe e bukur, përgjithësisht.
– Fluturimi, sidomos në një ëndërr të tillë, përfaqëson lirinë, sidomos kur ndodhesh mes situatave që duket sikur të kufizojnë. Fakti që keni fluturuar me lehtësi, duke shijuar çdo gjë, tregon se jeni në krye të çdo situate dhe vështirësie që keni hasur kohët e fundit. Domethënë, do t’ia dilni mbanë dhe do të dilni e fituar. Për këtë, do të ndiheni krenare. Edhe familja juaj, që duket sikur nuk ju vlerëson aq sa duhet, do ta shikoni që është me ju.
Kishin vrarë mamin
– Kam parë në ëndërr sikur shkova te shtëpia e gjyshes, ku ishin mbledhur shumë njerëz. U thashë: “Pse janë mbledhur kaq shumë njerëz?” dhe më thanë: “Të ka vdekur mami”. Unë, e tronditur, fillova të bërtisja: “Jo, s’ka mundësi!”, por më thanë që një grua e kishte goditur pas koke me një gjë të fortë. Unë ulërija duke qarë, kërkoja mamin nëpër shtëpi dhe i thyeja të gjitha gjërat që shikoja përpara. Ju lutem, më tregoni ç’do të thotë, se jam shumë në ankth. Ledi.
– Nuk duhet të dëshpëroheni, e dashur Ledi, sepse mamin tuaj nuk do ta gjejë asgjë. Duhet të shqetësoheni vetëm pak për veten sepse ëndrra në fjalë tregon që jeni në një situatë shumë stresuese dhe ju ka humbur durimi për çdo gjë. Mund të humbisni vetëkontrollin, nga një goditje që keni pasur kohët e fundit nga ana shpirtërore prej dikujt që mund të ketë lidhje me shoqërinë, dashurinë, familjen etj. Jeni shumë e tronditur, ama e gjithë ëndrra tregon që nuk po kujdeseni shumë për veten. Mamaja në ëndërr ju përfaqëson juve që keni marrë këtë goditje dhe mund të shpërtheni më keq në ditët në vazhdim. Ëndrra ju fton të ruani qetësinë dhe të vendosni një ekuilibër të brendshëm sepse e keni humbur fare. Mund të kërkoni edhe ndihmën e familjes.
Një femër e bukur
– Kam parë në ëndërr një femër shumë të bukur bionde, me sy bojëqielli, që i kishte flokët shumë të gjatë. Unë e mendoja se ajo ishte e bukura e maleve, siç ekzistonin nëpër legjenda. Ishte aq e bukur, saqë më mahniti. Unë që e kam parë, jam femër, ndaj edhe habitem.
– Të shikuarit e një vajze të tillë të cilën ju e keni menduar si një hyjneshë, nuk përfaqëson gjë tjetër përveçse natyrën tuaj të gjallë, të bukur dhe me aftësi të jashtëzakonshme, ama janë cilësi që ju nuk e dini që i keni. Ju mendoni se nuk jeni edhe aq e mirë sa ju përshkruajnë, pra, keni një vetëvlerësim të ulët. Duhet të filloni të ndryshoni mendim, pasi jeni femër me cilësi të mira dhe e bukur. Nga momenti që do ta shikoni veten në këtë mënyrë, do të keni më shumë sukses në çdo fushë.
U dashurova me një të panjohur
– Kam parë në ëndërr një të panjohur, që nuk e kam takuar kurrë në jetën time. Më e çuditshmja ishte se ndjeja për të, njësoj sikur të ekzistonte vërtet. Dhe, jo vetëm ndjeja, por realisht, e dashuroja, prandaj jam e habitur me këtë ëndërr. A ka ndonjë kuptim?
– Personi i panjohur është ajo pjesë e vetes suaj që është fshehur brenda jush dhe që nuk guxon të nxjerrë krye, sepse ju trishton. Pra, ëndrra do të thotë që ju keni nevojë të dashuroni shumë dhe t’ju dashurojnë po kështu. Prandaj e keni parë këtë ëndërr, që është edhe si një lloj këshille ndaj jush: Do të thotë të shprehni ato çfarë ndjeni, sepse askush nuk mund t’ju kuptojë, nëse qëndroni në heshtje. Gjithë të mirat!
Vrisja morrat
– Përshëndetje astrologe! Kam parë një ëndërr shumë të shpifur, por jam bërë merak prandaj po jua çoj. Shihja morra dhe më pas sikur i vrisja. Çfarë parashikojnë?
– Ëndrrat me morra kanë kuptime të ndryshme, në varësi të ëndrrës. Shikimi i tyre tregon siklete të natyrave të ndryshme. Kur shikoni veten të mbuluar me to, parashikon siklet shëndetësor, por edhe shtypje apo shfrytëzim nga dikush në punë, në familje apo në jetën private. Në rastin konkret, që i keni parë duke i vrarë, do të thotë që çfarëdo vështirësie të jeni duke kaluar, do ta hidhni mbrapa shpine e do ta kapërceni, sepse keni karakter të fortë. Pra, ju do të bëni të pamundurën që ta kaloni çdo vështirësi, sepse jeni natyrë e fortë.
Qeni i komshiut
– Kam parë në ëndërr qenin e komshiut sikur po lihte. Unë dola në dritare dhe i thirra. Ai më erdhi pranë dhe më lëpinte, më qëndronte afër, ama i kishte sytë si me lot. E përkëdhela dhe e futi kokën poshtë krahut tim, duke u strukur, aq sa më dukej sikur ishte njeri e jo qen…
– Qeni përfaqëson karakterin tuaj në njëfarë mënyre. Jeni natyrë fisnike, shumë besnik dhe për më tepër, shumë i/e dashur. Lehja e tij tregon që do të merrni një lajm nga dikush apo diçka. Strukja e tij te ju, tregon se jeni ju ai që keni nevojë për besnikëri dhe dashuri rreth jush. Ju ka munguar kjo gjë kohët e fundit dhe ndiheni shumë i vetmuar sepse mendoni se të gjithë ata që ju rrethojnë, nuk janë të sinqertë me ju. Por, sytë që keni parë me lot, tregojnë një lloj ngushëllimi, që mund ta gjeni shumë shpejt, mjafton ta dëshironi shumë këtë gjë.